ARKIVI:
7 Mars 2026

Kur shteti mbahet me spango: Adhokracia*) bëhet mbijetesë politike në Kosovë

Shkrime relevante

Provokim në zemër të Kosovës: Flamuri i një shteti të huaj në Mitrovicë , policia e ruan atë…!

Luan Dibrani, Gjermani Ngjarja e fundit në Mitrovica, ku policia e Kosovo...

Përçarje brenda Iranit midis Gardës Revolucionare dhe udhëheqjes politike

Njerëzit vizitojnë Parkun Kombëtar Hapësinor të Gardës Revolucionare, pak jashtë Teheranit,...

Sipas historianit Kristaq Prifti, në Kosovë nuk ekzistonte popullsi turke

Msc Belisar Jezerci, historian POPULLSI TURKE NË KOSOVË NUK EKZISTON ! Ne bazë...

Urime për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit

Luan Dibrani, Gjermani  Sot, më 7 Mars, në këtë ditë të shënuar të...

Fjalë respekti dhe mirënjohjeje për Mësuesin tim, Sabri Raçi

Arif Ejupi, Gjenevë Disa njerëz kalojnë në jetën tonë pa lënë fare...

Shpërndaj

Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina

Ngërçi – ose më saktë paraliza absurde – që po shfaqet edhe më tej në Parlamentin e Kosovës, tashmë ka kaluar nga një krizë procedurale në një sëmundje kronike institucionale. Me bllokim të seancave, mungesë kuorumi dhe – së fundi – bojkot të opozitës, kemi hyrë në një fazë ku improvizimet ad hoc janë bërë mënyra e vetme e funksionimit të shtetit. Ky realitet i trishtë, që ilustron edhe gjendjen e kapur të Kuvendit (“zemrës”së shtetësisë), flet më shumë për shizofreninë politike sesa për mungesën e vullnetit të duhur politik. Parlamenti, që duhej të prodhonte stabilitet demokratik përmes artikulimit të ligjeve të reja akomoduese me kërkesat dhe standardet e botës perëndimore, sot nuk po arrin as të mbajë rend dite!

Dhe kjo situatë apo gjendje stagnimi e vendnumërimi për nga natyra, përkon me atë që në sociologjinë politike shquhet dhe identifikohet adhokraci – një model e formë e përkohshme specifike, e pastrukturuar, e mbijetesës institucionale. Sociologjikisht, kjo gjendje është një simptomë e përplasjes midis modelit autoritar të (bajraktarizmit)trashëguar dhe mungesës së kulturës (rregullave dhe normave) demokratike. Raste konkrete të adhokracisë në praktikën tonë parlamentare;

1.Thirrja e seancave pa koordinim paraprak, pra, pa marrëveshje politike vetëm për të arritur njëfarë improvizimi e fasade funksionaliteti, duke shmangur çështje të kornizuara dhe precizuara me rregullore, ligje e Kushtetutë, janë raste tipike të një sjellje e modeli organizativ institucional që po ushtrohet nga një strukturë e decentralizuar e të cilës nuk i shihet fare hierarkia(!), por, që për objektiv ka marr përsipër zgjidhjen e problemit të ngërçit (paralizës apo bllokimit!) si një sfidë djallëzore të planifikuar në jetën politike të Republikës.

2.Tendenca e krijimit komisioneve ad hoc, pa një marrëveshje kreative e fleksibile të supozuar dhe të përgaditur me ambicie e synime të gjetjes së një zgjidhje kompromisi për të iu shmangur bllokimit, na ilustron poashtu, një pamje të paradigmës së adhokracisë “made in Kosova”. Realitet ky që faktikisht përveç fshehjes aë mungesës së konsensusit politik, po i degradon edhe të arriturat e matura të procesit të ahtendërtimit të Kosovës.

3. Pazaret nën tavolinë për kuorum, ku për shkak të mungesës së marrëveshjeve të qëndrueshme e fleksibile, partitë parlamentare po mbështeten në individë me “background” të respektuar për të plotësuar minimumin teknik të legjitimitetit.

4. Ndërhyrjet e presidentes në rolin e ndërmjetësueses, jashtë kompetencave të përcaktuara nga Kushtetuta, për të zëvendësuar mungesën e dialogut institucional – është një tjetër formë adhokratike.

5. Keqpërdorimi i diskursit ligjor, ku në vend të adresimit të temave madhore si reforma zgjedhore, integrimi evropian, apo çështja e Asociacionit, Kuvendi i Kosovës është shndërruar në skenë të smirave, inateve klanore dhe interesave të ngushta partiake. Ky degradim nuk është thjesht reflektim i një krize politike. Është edhe pasojë e një kulture politike të paformuar, ku vendimmarrja ndodh jashtë institucioneve, përmes kalkulimeve personale dhe marrëveshjeve të përkohshme gojore!

Adhokracia, në këtë kontekst, nuk është më një mjet fleksibiliteti institucional për raste emergjente, por një mashtrim sistemik, ku të gjithë bëjnë sikur shteti funksionon, ndërsa në realitet ai po “mirëmbahet” me infuzione të vendimeve fragmentare dhe pa vizion afatgjatë. Sot për sot, Parlamenti i Kosovës nuk është më vend i prodhimit të politikës publike dhe aulë i ligjeve të reja (aq të nevojshme, për “higjienën” demokratike të vendit), por pasqyrë e improvizimeve të elitave që, në mungesë të pjekurisë politike, nuk arrijnë të ndërtojnë konsensus për asgjë që ka të bëjë me interesin e shtetit dhe të kombit. Nga ky ngërç – që është më shumë bllokim i qëllimshëm sesa dështim i rastësishëm – nuk dilet përmes zgjidhjeve (ad hoc) të momentit.

Demokracia nuk (ri)ndërtohet përmes adhocizmit, por përmes institucioneve të konsoliduara, dialogut të vazhdueshëm dhe respektit për rregullat e lojës. Sociologjikisht, kjo gjendje është simptomë e përplasjes midis modelit autoritar të trashëguar nga e kaluara e jonë dhe mungesës së kulturës demokratike që na privoj robëria shekullore… Adhokracia do të vazhdojë të jetë prezentë – dhe e dëmshme – për aq kohë sa elitat tona politike nuk e ndjejnë as përgjegjësinë minimale, e as pjekurinë e duhur për t’i dalë zot funksionimit institucional dhe vizionit për një shtet të vetëm në Ballkan… *)Adhokracia, si formë dhe model i përkohshëm i organizimit dhe i ushtrimi të pushtetit, prejudikon një strukturë të përkohshme, fleksibile e shpeshherë reaktive, që krijohet për të adresuar një problematikë sociopolitike që gjendet jashtë “orbitës” institucionale të një shteti apo vendi të caktuar.

Në rastin e ngërçit (lexo; paralizës dhe bllokimit) tonë aktual, ky koncept fiton peshë e konotacione specifike edhe për shkak të “dhimbjeve” të transicionit dhe brishtësisë që e vuan ende shteti i Kosovës. Si i tillë, adhokracia po (keq)përdoret ekskluzivisht si një strategji e mbijetesës institucionale për subjektet politike!?

Në dioptrinë sociologjike, kjo gjendje e cilësuar si “shizofreni politike”, mund të shpjegohet edhe si një lloj përplasjeje sociale midis modeleve të trashëguara autoritare që i “legalizoj” mungesa e qeverisjes sonë historike me vetën tonë.

Adhokracia bashk me traditën e munguar të respektimit të rregullave e normave të dalura nga “tyta” e legjitimiteti demokratik, do mbesin edhe për një kohë “banore” aktive në skenën politike kosovare.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu