
Nga: Kadri Kryeziu
___
Dje isha në Llugë të Podujevës, në përurimin e obeliskut për heroin Afrim Zhitia, shokun tim të burgut në Pozharevc. Ishte një ditë nderimi e kujtese. Por aty ishte edhe Ali Ahmeti.
Nuk e kuptova pse ky njeri shfaqet në ceremoni të tilla. Arroganca për të parakaluar përpara familjeve të dëshmorëve, ndërsa vetë nuk ka respektuar kurrë sakrificën e tyre, është fyerje.
Sot, rrugës për në Prizren, kalova në Deçan. Mu kujtua Beg Rizaj — sy-patremburi i tre luftërave, luani i betejave për liri. Njeriu që në këtë foto i ruante shpinën Ali Ahmetit. Dhe i njëjti njeri, vite më pas, u vra pabesisht në Lagjen e Trimave në Kumanovë. U mashtrua, u tradhtua, dhe u la të pushkatohej si trofe lufte.
Ku ishte atë ditë Ali Ahmeti? Çfarë bëri për ta ndihmuar? Asgjë.
Çfarë ka bërë që prej asaj dite? Asgjë.
Nuk ka shkuar kurrë te varri i Begut, nuk ka vendosur një lule, nuk ka nderuar familjen e tij. Por del nëpër ceremoni, flet për heronj, sikur të mos mbante mbi supe barrën e një turpi.
Kjo është fytyra e vërtetë e Ali Ahmetit: aty ku ka kamera, por kurrë aty ku ka përgjegjësi. Ai nuk i detyrohet Begut vetëm një lule, por një ndjesë publike. Duhet të shkojë te varri i tij, të bjerë në gjunjë dhe të kërkojë falje. Ky është minimumi i ndershmërisë.
Prizren, 20 shtator 2025


