
Nga: Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë
Në javët e fundit, mediat zvicerane kanë trajtuar me shqetësim fenomenin e rritjes së konservatorizmit islamik në mesin e komunitetit shqiptar mysliman në Zvicër. Artikuj si ai i botuar nga “Sonntags Zeitung” – me titull domethënës “Islami shqiptar po bëhet gjithnjë e më konservator” – sinjalizojnë një ndryshim të dukshëm në mënyrën se si një pjesë e shqiptarëve po e interpretojnë fenë e tyre. Në disa xhami, vajza të moshës fillore tashmë mbajnë shami, imamë shqiptarë marrin pjesë në aktivitete me prirje radikale, dhe vërehet një distancim gradual nga fryma liberale që dikur e karakterizonte Islamin shqiptar.

Ky zhvillim ngre pyetje të thella për identitetin tonë kombëtar, për mënyrën si dëshirojmë të prezantohemi si komunitet në një shoqëri evropiane dhe demokratike si ajo zvicerane. Shqiptarët, në thelb, janë një popull evropian — me rrënjë të lashta në kulturën e qytetërimit perëndimor, me një ndjenjë të fortë kombëtare që ka mbijetuar përmes shekujve. Feja islame nuk është as themel dhe as shtyllë e identitetit tonë. Ajo u imponua historikisht, gjatë pesë shekujve të pushtimit osman, përmes dhunës, presionit dhe përfitimeve të padrejta sociale ndaj atyre që e pranonin.

Për shqiptarët, që kanë njohur gjithmonë bashkëjetesën nder fetare si vlerë qytetare e kombëtare, feja islame nuk ka qenë asnjëherë bërthama e bashkimit. Përkundrazi, ajo shpesh ka shërbyer si mjet për të dobësuar ndjenjën e përkatësisë kombëtare dhe për ta larguar shqiptarin nga Evropa – në vlera, në mentalitet, në kulturë. Ajo ka mbjellë ndarje, ka ushqyer fatalizëm dhe nënshtrim, dhe në shumë raste ka zbehur energjinë krijuese që shqiptarët e kanë trashëguar nga tradita ilire dhe humanizmi perëndimor.
Në diasporë, e sidomos në Zvicër, ku shqiptarët kanë mundësi të jashtëzakonshme për arsim, liri dhe integrim, kthimi drejt formave të mbyllura fetare është hap prapa. Mbulesat për vajza të vogla, predikimet me ngjyrim misogjin dhe imitimi i kulturave të huaja nga Lindja e Mesme nuk janë shenjë besimi, por shenjë humbjeje identitare. Nuk ka asgjë shqiptare në to. Nuk ka asgjë evropiane.
Në vend që t’u mësojmë fëmijëve gjuhën e vendit pritës gjermanishten apo frëngjishten që u shërben për integrim në shoqërinë zvicerane, hoxhallarët u mësojnë rite fetare arabe. Fëmijëve duhet t’u mësojmë gjuhën shqipe, kulturën dhe dinjitetin që buron prej saj. Duhet ti çojmë në shkollën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe aty ku mësohet historia shqiptare, heroi Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Nënë Tereza, Kadare etj. Kombi ynë nuk ka nevojë për fundamentalizëm fetar, por për vetëdije qytetare, për dije, për emancipim dhe për krenari kombëtare.

Feja është çështje personale. Por kur ajo shndërrohet në mjet për të ndikuar tek fëmijët, për të imponuar modele të huaja e për të errësuar vlerat e hapura të kulturës shqiptare, ajo bëhet rrezik për identitetin tonë kombëtar. Shqiptarët nuk kanë ardhur në Zvicër për të ndërtuar një geto fetare, por për të qenë pjesë dinjitoze e një shoqërie të zhvilluar dhe demokratike.
Feja islame, në formën që po përhapet sot në disa xhami shqiptare, është antikombëtare sepse nuk na afron me rrënjët tona, por na lidh me një botë që s’është e jona. Është koha që të flitet hapur për këtë – pa frikë, pa komplekse, me vetëdijen se shqiptaria jonë është më e fortë se çdo ideologji fetare.



PERGEZIME Zoja Nexhmije Mehmetaj per kete shkrim te sakt dhe patriotik.
Rrajte e kesaj te keqe mjerisht jane te thedha dhe asht zor mi zhngul.