ARKIVI:
10 Mars 2026

Reagim akademik–politik ndaj propagandës fetare të Milazim Krasniqit

Shkrime relevante

Sulmi i frymëzuar nga ISIS pranë shtëpisë së Mamdanit në Nju Jork

Hans Rustad / Document.no Policia ndalon Emir Balatin pasi ai u përpoq...

A janë të detyruar deputetët që të qëndrojnë në sallë dhe të marrin pjesë në votim?

Prof. Dr. Kolë Krasniqi, ekspert i sigurisë, Pejë Sipas Kushtetutës së Republikës...

Fillimi i fundit të perandorisë politike kurtiane

Agron Mani, Ferizaj A është sot Vjosa Osmani vaksina kundër përhapjes së...

Të drejtat e gruas jashtë botës perëndimore: regresi ligjor dhe beteja për të drejta njerëzore edhe pas 8 Marsit

Shqipe Bytyçi, poete, Zvicër Të drejtat e grave nuk janë vetëm çështje...

A është Kosova republikë, apo juristokraci, pyetja është tani…?

Agim Vuniqi, Vashington “Juristokracia i referohet një sistemi qeverisjeje ku gjyqtarët e...

Shpërndaj

Nga: Shqiptar Shaljani, Shalë E Bajgorës
Zëdhënësi i Lëvizjes së Deçanit – Dega në Mitrovicë
___
DEKLARATË ZYRTARE PËR OPINIONIN PUBLIK
___
Profesor Milazim Krasniqi, i njohur në opinion si apologjet i islamit politik dhe predikues i konceptit të “identitetit islam të shqiptarëve”, ka botuar së fundi një shkrim propagandistik kundër Lëvizjes së Deçanit. Shkrimi i tij nuk është analizë akademike, por fletushkë apologjie ideologjike, e mbuluar me petkun e profesoratit.
Në vend që të debatojë me argumente shkencore, Milazim Krasniqi prodhon pasione fetare, frikë, shpifje dhe etiketime, duke e trajtuar këtë çështje jo si studiues, por si delegat i një teokracie të imagjinuar, që ua përshkruan vetes rolin e mbrojtësit të “identitetit islam të shqiptarëve”, term që nuk ekziston në asnjë akt juridik, historik apo shkencor.
1. Katolicizmi nuk është import; islamizimi i dhunshëm ka qenë imponim.
Profesor Krasniqi e paraqet katolicizmin si “religjion të huaj”, ndërsa mbyll sytë para faktit se shqiptarët kanë qenë të krishterë shekuj para Lindjes së Muhamedit. Dokumentet e hershme, gjuha, letërsia e parë shqipe dhe personalitetet themeltare të identitetit tonë kombëtar dalin nga kleri katolik shqiptar.
E kundërta ndodhi më pas: në periudhën osmane, identiteti u zëvendësua me emra arabë, rite turke dhe kulturë të huaj, duke e gjymtuar trashëgiminë tonë europiane. Kjo nuk është propagandë, por fakt shkencor i dokumentuar nga akademitë europiane dhe rajonale.
2. Lëvizja e Deçanit nuk imponon fe: fton në rikthim, jo në nënshtrim.
Ndryshe nga xhamitë e politizuara që paguhen dhe kontrollohen nga agjenci të huaja islamike, Lëvizja e Deçanit nuk ka asnjë financim të jashtëm, asnjë qindarkë nga asnjë shtet, asnjë agjenci fetare, dhe nuk detyron askënd.
Ne promovojmë të drejtën e qytetarit shqiptar të kthehet te identiteti i të parëve me vullnet të lirë, jo me presion, jo me para, jo me doktrinë importi.
Ky është dallimi ndërmjet rikthimit qytetar dhe nënshtrimit fetar.
3. Milazim Krasniqi manipulon kur e barazon Lëvizjen me Kishën Ortodokse Serbe.
Shkrimi i tij është jo vetëm shpifje politike, por ofendim historik:
Kisha Katolike ka ruajtur gjuhën shqipe.
Ka mbrojtur shqiptarët nga serbizimi. Ka qenë shtylla kryesore e identitetit europian të kombit.
Ndërsa pikërisht ortodoksia serbe ka përdorur fenë si armë për t’i bërë shqiptarët “shkie” e më pas serbë. Barazimi i Lëvizjes me Serbinë nuk është argument: është shpërfytyrim historik me qëllim nxitje të urrejtjes fetare.
Kjo thirrje është alarmante dhe e rrezikshme, sidomos kur vjen nga një profesor universitar.
4. Identiteti shqiptar nuk është çështje fetare, por kombëtare
Katolicizmi, islami, ortodoksia apo bektashizmi nuk e bëjnë shqiptarët shqiptarë. Por arabizimi kulturor, i veshur me fjalë fetare, po e zëvendëson identitetin tonë kombëtar. Dhe mu kjo frikë e shtyn Milazim Krasniqin të sulmojë Lëvizjen e Deçanit.
Ne nuk jemi kundër islamit si besim. Ne jemi kundër politizimit të islamit dhe shndërrimit të fesë në ideologji shtetërore e kombëformuese, gjë që është rrezik për shoqërinë, shtetin e së drejtës dhe demokracinë.
5. Ftesë publike për debat të hapur, ballë për ballë.
Ne i bëjmë ftesë zyrtare Milazim Krasniqit për debat publik, akademik dhe të televizuar:
Temë: “Identiteti shqiptar: rrënjë kombëtare apo teokraci e importuar?”
Pa sharje.
Pa insinuata.
Pa retorikë xhamish.
Me dokumente, me argumente, me histori.
Nëse z. Krasniqi refuzon, e vërteta është e thjeshtë: nuk ka argumente, ka vetëm frikë nga rikthimi i shqiptarëve tek vetvetja.
PËRFUNDIM
Lëvizja e Deçanit është lëvizje qytetare, kulturore, shqiptare, jo fetare, jo politike, jo nën ndikim të huaj.
Kush ka frikë nga kthimi tek rrënjët, ka frikë nga shqiptaria.
Kush ka frikë nga katolicizmi shqiptar, ka frikë nga Europa në të cilën duhet të jemi.
Shqiptar Shaljani.
Zëdhënës i Lëvizjes së Deçanit – Dega në Mitrovicë.
_______
Ja shkrimi i Milazim Krasniqit:
Milazim Krasniqi
“LËVIZJA E DEÇANIT” PO MASHTRON, SEPSE KATOLICIZMI NUK ËSHTË SHQIPTARIZËM
Milazim KRASNIQI/Prishtinë
“Lëvizja e Deçanit” dhe grupe të tjera hibride antishqiptare e kanë shndërruar në kalë të betejës së vet donkishoteske tezën se gjoja kalimi në katolicizëm siguron forcim në shqiptarizëm. Barazimin e katolicizmit me shqiptarizmin, po tentojnë ta paketojnë si të vërtetë përfundimtare, edhe pse asnjë shenjë barazie nuk mund të ekzistojë ndërmjet katolicizmit si një religjion botëror dhe shqiptarizmit, si një identitet kombëtar i një kombi të vogël ballkanik. Prandaj do ta analizoj këtu shkurt, por mjaftueshëm saktë, se çka është katolicizmi dhe cili është relacioni eventual i tij me shqiptarizmin. Pse? Publiku ynë i gjerë, sidomos shumica muslimane ka nevojë për këtë shpjegim, sidomos gjeneratat e reja, të cilat jo vetëm në Kosovë po edhe nëpër Europë ndeshen me ide për konvertim. Prandaj, publiku ynë i ekspozuar sulmeve brutale të këtyre kryqtarëve të sotëm donkishotesk në Kosovë e në diasporë, do të duhej të dinte disa të vërteta themelore mbi katolicizmin si besim fetar.
E para, katolicizmi është pjesë përbërëse e Krishterimit, si religjion botëror. Pra, katolicizmi është pjesë e religjionit botëror e jo e ndonjë ideologjie kombëtare. Nga ndarja (shizma) e kishave e vitit 1054 janë krijuar ndasi e dallime doktrinare brenda Krishterimit, por katolicizmi ka qenë dhe ka mbetur pjesë thelbësore e tij, ndërsa Kisha Katolike është një strukturë mbinacionale. Thënë thjesht, katolicizmi nuk mund të kthehet në dekor nacional të asnjë kombi, as në dekor nacional italian, as gjerman, as brazilian, as spanjoll, më së paku në dekor nacional shqiptar. Ndërsa Kisha katolike me përbërjen e saj heterogjene dhe me shtrirjen e saj globale, assesi nuk mund të ketë tipare të ndonjë kishe kombëtare, siç i kanë kishat ortodokse, ruse, greke, rumune, bullgare, serbe.
Sa i përket dokrinës së katolicizmit, ajo mbështetet në librat e shenjtë (Biblën), në traditat dhe në koncilet e Kishës. Kisha katolike e mban si themelues të vetin Jezu Krishtin (Isa, a.s.) Rrjedhimisht, nuk mund të ketë ndonjë identitet nacional shqiptar, që do të mund të buronte nga katolicizmi e nga Kisha Katolike. Meqë brenda katolicizmit sot në botë aderojnë rreth një miliardë e pesëqind milionë njerëz, është naive të mendohet se shqiptarët mund të kenë ndonjë ndikim ose ndonjë vend të spikatur brenda tij a brenda Kishës Katolike.
Sa u përket festave fetare katolike, natyrisht që edhe ato janë brenda historisë dhe dokrinës së Kishës e aspak të lidhura me ndonjë histori a traditë shqiptare.Pandaj është naivitet pretendimi se përmes tyre forcohet kujtesa e identiteti kombëtar. Në çdo religjion, festat fetare janë festa fetare, nuk bëhen kurrë festa kombëtare.
Sa i përket gjuhës së liturgjisë, gjuha latine ka qenë gjuha zyrtare, deri në Koncilin e Dytë të Vatikanit (1962-1965.) Pra, edhe gjenerata të tëra të shqiptarëve katolikë kanë jetuar e kanë dëgjuar liturgjitë latinisht, por ajo nuk i ka bërë më pak shqiptarë. Kisha Katolike, nga ana e saj, ka proklamuar ekumenizmin si qëllim final të sajin në raport me kishat e tjera të shumta. Ndërsa në raport me religjionet e tjera, përfshirë edhe Islamin, ka proklamuar dialogun ndërfetar dhe tolerancën. Pra, Kisha Katolike ka proklamuar pajtim dhe tolerancë, duke u shkëputur nga praktikat e së kaluarës.
Duke pasur para sysh këtë histori, këtë përbërje dhe këto zhvillime brenda katolicizmit e Kishës Katolike, mund të nxirren këto përfundime: 1. Katolicizmi është pjesë thelbësore e krishterimit si religjion botëror e nuk mund të bëhet kurrsesi religjion kombëtar i ndokujt. Pra, as i shqiptarëve, për çka përhapin mjegull militantët e “Lëvizjes së Deçanit.” 2. “Kisha katolike është mbinacionale dhe e centralizuar”, siç thuhet qartë edhe në Enciklopedinë Kroate. Si e tillë ajo nuk mund të fragmentohet në “kishë katolike shqiptare.” 3. Doktrina e katolicizmit buron nga Bibla, nga traditat dhe nga koncilet e Kishës, jo nga praktika a histori kombëtare shqiptare. Këtë doktrinë nuk mund ta ndryshojnë konvertitët e organizimeve të sotme hibride, si “Lëvizja e Deçanit.” 4. Një pjesë e kombit shqiptar i përkasin këtij besimi, por numri i tyre është pothuajse simbolik në kuadër të një miliardë e gjysmë katolikëve anekënd planetit. Kontributi atdhetar i klerikëve dhe besimtarëve katolikë shqiptarë brenda kombit tonë shqiptar është pjesë përbërëse e lëvizjeve tona kombëtare, kulturore e politike. Por si në rastin e komuniteteve të tjera fetare, ajo e ka burimin te ndjenjat kombëtare, te ideologjia kombëtare, te zhvillimet historike, jo te doktrina katolike, si e atillë. 5. Kisha Katolike ka hequr dorë nga konvertimet me dhunë dhe ka shpall ekumenizmin dhe dialogun ndërfetar e tolerancën me besimet e tjera fetare. Prandaj, askush nuk ka të drejtë që në emër të saj të kërkojë konvertime me dhunë në Kosovë. Në këtë kontekst, është koha e fundit që vetë Selia e Shenjtë ta shprehë një qëndrim të qartë ndaj organizimeve hibride si “Lëvizja e Deçanit”, e cila fton në konvertim me dhunë në emër të katolicizmit. Dhe është koha që shteti i Vatikanit ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, me çka do të qartësohej plotësisht se kush flet në emër të katolicizmit lidhur me Kosovën dhe banorët e saj. Sidoqoftë, edhe pa atë njohje zyrtare, mund të thuhet se kërkesat e “Lëvizjes së Deçanit” për kthim nga Islami në katolicizëm, janë në kundërshtim me strategjinë e Vatikanit për dialog e tolerancë me Islamin. Tendencat e “Lëvizjes së Deçanit” janë më shumë të lidhur me kohën e Rekonkuistës, kur Kisha bënte kthimin me dhunë në katolicizëm. E dyta, theksimi i aspektit nacional nga “Lëvizja e Deçanit”, ka afri me doktrinën e Kishës Ortodokse Serbe, e cila e thekson identitetin nacional. Prandaj, gjasat janë se kjo lëvizje është më shumë brenda konceptit të Kishës Ortodokse Serbe, ndërsa katolicizmin e përdorë si maskë për të mashtruar.
E fundit në këtë shënim: besimtarët katolikët shqiptarë janë pjesëtarë të nderuar të kombit tonë shqiptar dhe janë jashtë kësaj lëvizjeje të çoroditur. Deri sot nuk është asnjë rast që ndonjë katolik tradicional të jetë përfshirë në këtë lëvizje (përveç personelit në dy-tre kisha.) Rrjedhimisht “Lëvizja e Deçanit” nuk ka të bëjë me kthim në katolicizëm, aq më pak me forcimin e shqiptarizmit. Ideja e tyre qendrore është pikërisht dobësimi i shqiptarimzit në Kosovë, sepse pa dobësimin e shqiptarizmit në Kosovë, nuk mund të kthehet ndikimi i Serbisë në Kosovë. Ndërsa dobësimi i shqiptarizmit në Kosovë nuk mund të ndodhë pa u dobësuar identiteti islam i shumicës së shqiptarëve të Kosovës. Identiteti ynë islam ka qenë dhe është në konflikt me ortodoksinë serbe, që nga koha kur edhe kalimi masiv i shqiptarëve në Islam ka qenë në të vërtetë ikje nga gllabërimi nga pretendimet gllabëruese të Kishës Ortodokse Serbe, për t’i kthyer shqiptarët ortodoks në serbë. Kjo është edhe sot fusha e betejës ndërmjet shqiptarëve e serbëve në Kosovë.

K O M E N T E

2 KOMENTE

  1. Kur thona “ISLAM”, shumica kujtojne se Islami asht Besim fetar. Kete e thone nga INJORANCA, sepse nuk lexojne librin Kuranin, te cilin e ka perpilu me thanjet e veta arabi Muhamet. Ma vone e kan permbeldh ne nji liber.
    Islami asht nji perzimje e urdhnave fetare me Ligjin Arab te shekullit VII, te Mesjetes.
    Ne kete liber ligjet e Sheriatit thuhet se jane urdhna te Allahut-Zotit. Pra Muhameti Hyjnizon keto ligje te arabe te Mesjetes tue i paraqite si urdhna te Zotit. Keto ligje arabe te shekullit VII bijne ne kundershtim me te gjitha ligjet e SOTME te gjitha vendeve te botes. Prandej asnji vend nuk i pranon keto ligje. Ketu nuk asht puna e aspektit fetar. Kush po qane kryte sot se cka beson o nuk beson ti. Beso cka te duesh, vec leni rahat njerzit ne jeten e vet. Por ama mbasi ti po don me ia imponu keto ligje mesjetare njerzimit, ti mor zotni bjen ne kundershtim me te gjithe boten. Pre kndej del Islamofobia, qe don te thote mospelqim i Islamit, ose frige nha Islami mbasi ligjet e sheriatit ne Islam kercnojne njerzimin.
    ZGJIDHJA E PROBLEMIT:
    Te HIQET LIGJI I SHERIATIT NGA KURANI DHE TE MBESIN ATY VETEM PIKPAMJET FETARE.
    Persa kohe ju nuk hiqni Ligjet e sheriatit, gjithmone ka per te ekzisti Islamofobia, sepse bota nuk kethehet mbarapa ne shekullin e VII te mesjetes, por hece PERPARA.

  2. Revista DRINI.us – Kryeredaktori Bajram Kabashi, publikon shkrime që të zgjojnë kurreshtjen për lexim dhe KOMENT.
    Lexova shkrimin e z. Shqiptar Shaljani, alias Ahmet Musa dhe KOMENTIN e z. Paul Tedeschini.
    Prita pak kohë a mos po përgjigjet prof.dr. Milazim Krasniqi, mirëpo konsiderova se ky ka thënë atë që duhet thënë!
    1. Sa i përket reagimit të z. Shqiptar Shaljani, po theksoj këto të vërteta:
    – Emri i vërtetë i tij është Ahmet Musa, por është KONVERTUAR në të krishter -katolik dhe ka ndërruar emrin.
    – Ka kërekuar që në fshatin e tij Bajgorë (Mitrovicë) të nderton KISHË KATOLIKE, por deri tash, NUK I ËSHTË LEJUAR.
    2. Sa i përket KOMENTIT të z. Paul, po i bie shkurt:
    2.1 Islam është fjalë arabe që do të thotë: përulësi, nënshtrim, dëgjueshmëri – ndaj Zotit. Pikërisht për këtë quhet “Islam”;
    2.2. Shkrimtari dhe mendimtari Amerikan, Majkël H. Hart, i krishter, në librin e tij me titull: 100 personalitetet më të shquara në Historinë Njerëzore. Muhamedin (571-632) e ka renditë TË PARIN, para Budës, Shën Palit, Jezu Krishtit etj. dhe deri më sot nuk ka marrë kritika, reagime, kundershtime etj.
    2.3. Sa i përket KUR’ANIT, po e citoj vetëm mendimin që ka dhënë dr. Flamur Kabashi:
    «Kurani, Fjala e Allahut të Madhëruar, që i zbriti Muhamedit (mëshira e Zotit qoftë mbi te). Është Libri i Fundit i shpallur njerëzimit. Libër Mrekulli e i Lartë, që nuk përçmohet, Libër i Shenjtë e nuk përdhoset. Mrekulli si në mësimet e tij, ashtu edhe në gjuhën e lartë, në radhitjen e fjalëve dhe fjalive. Mrekulli në stilin dhe të dhënat që i sjellë. Mrekulli me ndikimin e tij në shpirtrat e njerëzve. Mrekulli që asnjë njeri s’mund të vjen me diç të ngjashme me të. *Ibn Atije ka thënë: “Libri i Allahut, sikur t’i hiqej ndonjë fjalë, e pastaj të shikohej në tërë fjalorin arab, që të gjendet ndonjë fjalë më e mirë sesa ajo që e ka sjell Kurani, nuk do të gjesh. Çdo fjalë e Kuranit, është fjala më e mirë e mundshme e vendosur në vendin e vet. Sikur ta hapje Kuranin, e ta hiqje një fjalë, e pastaj ta hapje fjalorin arab, që thuhet se i ka rreth 12 milion fjalë, dhe të mundohesh ta gjesh një fjalë më të mirë, më precize, apo më të saktë në përdorim sesa fjala Kuranore, nuk do të gjesh.»

    3. Bibla dhe kur’ani NUK KANË KUNDERTHËNIE.
    4. Parimet Islame e pranojnë Biblën si libër të Shenjët dhe Jezu Krishtin për profet të Zotit, por me emrin Isai.

    Respekt,
    për juve dhe
    për z. Bajram Gjergj Kabashi

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu