SKENA TË ABSURDITETIT
Të krimit, të gozhdimit,
të kërcënimit dhe të linçimit,
të gjakut dhe të varreve,
të tekave dhe të hakmarrjeve,
që prangojnë duar e këmbë,
që na bëjnë të na vijë turp
kur veten shohim në pasqyrë.
T’i thërrasim mendjes së turbulluar
e ndërgjegjes së rrënuar,
ta ndërpresim këtë ves të ndytë,
të mos ia nxjerrim njëri-tjetrit sytë!
Ç ‘është kjo çmenduri e ky absurditet?
Babai djalin vret e djali nënën,
burri gruan, vëllai vëllain,
shoku shokun, miku mikun.
Jemi çmendur dhe verbëruar,
duke u bërë dorë e zgjatur e armikut!
Ves i lig, ves i ndytë!
Nëpër shekuj i kemi nxjerrë
njëri-tjetrit sytë.
Lëmshit të krijuar
asnjëherë nuk i është gjetur filli!
Mjaft me vrasje!
Mjaft me varre!
Mjaft me urrejtje, dhunë e hakmarrje!
Të ndërpritet kjo çmenduri,
ky mjerim dhe kjo ngrënie e vetvetes!

Arif Ejupi, Gjenevë, 12 tetor 2026


