
Ibrahim Kelmendi, Gjermani
___
REXHEPI E NUHIU – MARTIRË APO VIKTIMA?
___
Më vjen keq kur ca bashkëveprimtarë shtrydhin talentin e tyre për të sajuar glorifikime, pa pasur idenë se ka ardhur koha të reflektohet, nëse Rexhep Mala e Nuhi Berisha ishin vetëm viktima të një komploti që ua kishte bërë UDB-ja, kur i vrau natën e 11/12 janarit 1984. Pra, tashmë po heshtet se Rexhepi e Nuhiu e kishin graduar veten e tyre për komandantë të “Partisë së Luftës”, ndërsa Kadri Osmani ishte (vetë)caktuar komandant suprem i tyre dhe i asaj “Partie”.
Unë kam rrëfyer më shumë se një herë se Xhafer Shatri, i cili ishte penetruar në krye të kryesisë së LR(S)SHJ-së, – organizatë e “formuar” më 16 janar 1982, siç ka raportuar diplomati i Shqipërisë, Bujar (Kadri) Hoxha, me kabllogramin e Ambasadës së Shqipërisë në Ankara, apo më 17 shkurt 1982, nga kuadrot e UDB-së, Sabri Novosella e Abdullah Prapashtica, siç kanë falsifikuar ata vetë, – i ka komplotuar edhe Kadriun, Rexhepin dhe Nuhiun. Ai Xhafer, i cili kishte “përfaqësuar” OMLK-në inekzistente më 15 maj 1982, duke ia bashkëngjitur “bashkimit” të Sabriut e Abdullahut, në vitin 1983 e mashtron Kadri Osmanin & Co., se kryesia e LR(S)SHJ-së e ka formuar “Partinë e Luftës”, duke i caktuar për shtab komandues Kadriun, Rexhepin e Nuhiun…
Kam informuar se si, aksidentalisht, e kam zbuluar atë komplot të Xhaferit gjatë mbledhjes së kryesisë, sepse ai na pat broçkullisur një mashtrim, duke e prezantuar si urdhër nga “Partia e Luftës”. Meqë nuk e pata besuar, i kërkova provë. Dhe aty doli se ai po na manipulonte neve “në emër” të udhëheqjes nga Kosova, kurse ata në Kosovë po i manipulonte “në emër” të kryesisë sonë.
Duhet të ketë qenë ai komplot i Xhaferit që ka krijuar “prova” për UDB-në, ta fillonte survejimin ndaj “Partisë së Luftës”, e cila u përmbyll me tragjedinë për Rexhepin e Nuhiun – tragjedi që ne po e glorifikojmë edhe tani si heroizëm.
Jusuf Karakushi, atëherë (janar 1984) ministër i Brendshëm i KSAK-së, ka rrëfyer në prani të shumë vetave në Hamburg-Alltona (pasi kishte kërkuar azil politik në Gjermani): “Për t’i arrestuar Kadri Osmanin, Rexhep Malën e Nuhi Berishën, kemi angazhuar policinë speciale, e cila e kishte qendrën në Ajvali. Komandant i saj ishte Tahir Zemaj. Pasi që ndodhi tragjedia, janë bërë analiza, meqë urdhri ishte që ata të arrestoheshin e jo të vriteshin. Tahir Zemaj është shkarkuar nga posti i komandantit, sepse kishte bërë gabim profesional – i kishte vrarë ata pasi u ishin mbaruar fishekët…” (perifrazim).
Nuk ka qenë rasti i parë as i fundit që UDB-ja ka viktimizuar veprimtarë të guximshëm, duke u ngritur komplote si ky që prezantova (në raste të tjera, komplote të tjertërfarë).
Pastaj kam pasur rast ta njoh Kadri Osmanin në vitin 1991 apo 1992, në Tiranë e Durrës (sepse më lutej t’ia shtypja traktet që i shkruante). Kam dëgjuar versionet e tij për ato zhvillime me pasoja tragjike. Por, meqë ai tashmë ishte në “trans”, kisha vetëm keqardhje për të, prandaj nuk i kam rrëfyer ndonjëherë e as nuk i kam arkivuar në mbamendje rrëfimet e tij. Ai ka lënë gjëra të shkruara, më shumë se mjaft, dhe ndokush edhe mund t’i sistemojë e analizojë, nëse kanë ndonjë vlerë si dëshmi historike.
— I përjetshëm qoftë kujtimi për Rexhepin dhe Nuhiun, dhe për të gjithë veprimtarët çlirimtarë!



Ku ke qenë qe 40 vjet, për ta treguar këtë ” përrallë” të turpit!