ARKIVI:
27 Prill 2026

Kush kujt ia dogji Çergën

Shkrime relevante

Prizreni nuk është skenë për rikthimin e hijes osmane

Zamira Bytyqi, Prizren Dje 25.04 në Shadërvan, në zemrën historike të Prizrenit, u...

Zbulohën planet e fshehta ”politike” të opozitës në Kosovë!

Ismet M. Hasani, Suedi Pak politikë Kriza politike në Kosovë dhe dështimi i...

Lavdi grave të qëndresës antikomuniste shqiptare

Nga Frank Shkreli (Në Kujtim të Klora Mirakaj Merlika dhe të gjitha...

Kosova miratoi Rezolutë, për Luginën e Preshevës

Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, për avancimin e përkujdesjes institucionale,...

Shpërndaj

Fatmir Gashi, analist, Zvicër
_____
Ajo që pamë këto ditë në lojërat e mashtrimeve politike ngjan çuditërisht me lojërat dhe “tripat” e TikTok-ut, ku mashtrimi shitet si kreativitet dhe publiku e adhuron si spektakël.
Duket sikur është harruar një proverb i vjetër popullor: ” Kush bën kunja paradite për tjetrin, pasdite ngulet vet në ta”
I sinqerti shpesh i ha i pari kunjat, sepse nuk i njeh rregullat e kësaj loje. E më e vështira për qytetarin e rëndomtë është kur kjo lojë kunjash luhet nga profesionistë që quhen politikanë.
Kulmi arrihet kur burri i shtetit dhe zonja e shtetit provojnë t’ia ngulin kunjin njëri-tjetrit. Se cilit prej tyre do t’i kthehet kunji i vet mbetet për t’u parë, ndonëse përvoja tregon se gratë shpeshherë janë më të shkathëta në këtë drejtim.
Shteti jonë më “i fuqishmi” (me ironi) në botë, Republika e Katundit të Kosovës, patjetër është shembulli më i mirë se si udhëhiqet një shtet në teori dhe si rrëshqet në praktikë. Gati i fundit në testet PISA, ndër më të varfrit në Evropë, i mbushur me bërllok, i boshatisur nga të rinjtë dhe me shërbime qytetare që të bëjnë të thuash: zoti ta bëftë qarën!
Ne jemi të pasur me resurse energjetike nëntokësore, ndërsa mbi tokë, ma shumë pa to sesa me to.
Të gjitha këto “arritje”, natyrisht, janë meritë e pushtetarëve tanë, që nga paslufta e deri më sot. Prandaj nuk është çudi që shpesh në tribuna ndërkombëtare thirren këta tanët për të mbajtur fjalime të artit teorik: për të shpjeguar se si ndërtohet shteti dhe si funksionon demokracia moderne në Evropë e përtej saj.
Presidentja, një grua e shkolluar, e zgjuar në diplomaci dhe me një oratori recitative, sapo erdhi në pushtet e kuptoi mirë se shkathtësia e brendshme duhet të baraspeshohet me pamjen e jashtme. Nuk u hamend fare: shkoi te “Vëllezërit Turq” dhe brenda një kohe të shkurtër ata e bënë si sorkadhe.
Kështu, zonja e parë e shtetit e pasur me shkathtësi veprimi diplomatik, brenda pak kohe, arriti në kulmin e karrierës së saj, duke u rreshtuar shumë afër kaubojit të botës (sherif), atij që mjafton të ta drejtojë gishtin vetëm një herë,-dhe po nuk e dëgjove, ta djeg cergën.
Sipas disa zakoneve të vjetra patriarkale, gruaja duhet ta pyesë “burrin” para se të flasë me të tjerët. Pikërisht këtu plasi sherri.
Kjo nuk i pëlqeu kryezotit të shtetit, një njeri i vuajtur në burgjet e hasmit, por edhe me vuajtjet e tij të mundimshme, duke luftuar me gurë e tym për ta liruar Kosovën, jo nga armiku, por nga hajnat që nuk ngopeshin kurrë. Nuk e pati të lehtë të arrijë deri këtu. Por tani, pasi kaloi rrugën e ferrit, duket se nuk i mjafton vetëm një pushtet. jo! I duhet pushteti absolut. Të tjerët duhet të rreshtohen dhe të heshtin për gabimet që kanë bërë.
I nderuari baba i bijave dhe bijve të tu,- edhe disa nga ata që ti i konsideron “Cuba” kanë lindur fëmijë që nuk u ngjajnë baballarëve të tyre. Ata janë shkolluar pa bërë zhurmë, mirë dhe me dinjitet. Janë pjesë e këtij populli dhe të kësaj toke.
Dhe kur një ditë popullit i dhemb fort nga ngulja e kunjave të politikanëve, atëherë historia bëhet e pamëshirshme. Sepse në atë çast, pushteti që dukej i përjetshëm, zhduket.
Në fund mbetet vetëm një e vërtetë e vjetër popullore:
ai që mundohet t’ia djegë cergën tjetrit, shpesh përfundon duke e djegur të vetën

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu