ARKIVI:
1 Maj 2024

A po zhbëhet Bosnja pas vendimeve të fundit të Milorad Dodikut dhe a po bijnë këmbanat edhe për Kosovën?

Shkrime relevante

Shpërndaj

Memorijalni centar Potočari (Qendra memoriale Potočari). FOTO: CNN

Nga: Gjergj Kabashi

Që nga përfundimi i luftës në mes të serbëve, të mbështetur nga ish armata jugosllave, në njërën anë, dhe të boshnjakëve myslimanë dhe kroatëve, në anën tjetër, Bosnja dhe Hercegovina nuk ka qenë asnjë herë në krizë më të rrezikshme që mund të shpërthej në një luftë tjetër, sikurse që është tash.

Nuk ka asnjë dyshim se Serbia, së bashku me Rusinë, janë ato që vazhdojnë ta trimërojnë udhëheqjen e Republika Srpska (republikës së serbëve), që të vazhdojnë me shkëputjen e lidhjeve me federatën boshnjake-kroate. Megjithëse të gjithë e dijnë se zhbërja e këtij shteti nuk mund të bëhet pa luftë të tmerrshme, Republika Srpska vazhdon me politikën e saj secesioniste.

Pasi në fillim të këtij viti përfaqësuesi ndërkombëtar në Bosnje kishte thënë qartë se askush në këtë shtet nuk guxon e s’ka të drejtë ta mohoj gjenocidin, Milorad Dodiku ishte përgjigjur që deklaratat e tilla janë gozhdë e ngulitur në arkivolin e shtetit. Dhe ia filloj me të madhe të punonte për përgatitjen e opinionit të brendshëm e të jashtëm për shkëputjen e RS nga entiteti tjetër që e përbën Bosnjen, federata boshnjake-kroate.

Përderisa në Gadishullin Ilirik (Ballkan), Serbia vazhdon ta luaj lojën teatrale me të ashtuquajturin “Open Ballkan”, – në të cilin Edi Rama, aktori tragjikomik nga Shqipëria e luan lojën e cirkusantit, duke u shfaqur jo vetëm i pa brengosur, por edhe relaksuar dhe tepër i kënaqur në takimet e darkat me serbët në Beograd, në anën tjetër, po vazhdojnë të kërcasin kufinjt e përgjakur të Serbisë së Madhe, nga mësymjet e saj të krijimit të “botës serbe” e të bashkimit të tyre në një shtet. Përderisa Serbia natën e ditën po punon e angazhohet për zhbërjen e Bosnjës dhe bashkëngjitjes së Republika Srpskas gjenocidale Serbisë, në të njejtën kohë ajo vazhdon ta provokoj e ngacmoj me të gjitha mënyrat e mundshme ndarjen e Kosovës, respektivisht përgatitjes së kushteve për pushtimin e pjesëve të saj.

Pavarësisht se në Ballkan kanë filluar të ndihen sërish erërat e luftës, “gjirafa” nga Shqipëria po ka fytyrë që në mes të Beogradit të thotë e flas në emrin e Serbisë, sikurse të ishte një zëdhënës i vërtetë i ideve serbomëdha, se “Serbia do të kërkoj falje në fund!”

Shumëkush ka menduar se Edi Rama është duke luajtur rol dhe po e aktron rolin e politikanit të moderuar në raport me serbët që ia mohojnë ekzistencën shtetit të Kosovës, por gjuha e tij e trupit tashmë të gjitha i ka qitur për fushe: ai është një indiferent kombëtar, i cili nuk ndien dhimbje e as që e vranë ndërgjegja për vuajtjet e pësimet e shqiptarëve të Kosovës.

Duhet të jesh naiv e të mos e shohësh kënaqësinë e tij në takimet me udhëheqjen e shtetit të Serbisë dhe zymtësinë e tij në takime me udhëheqësit e Kosovës.

Edi Rama shihej i lumturuar vetëm me dy persona nga Kosova, ish-presidentin e vendit, që tashmë gjëndet në Hagë, me të cilin bashkërisht i kishin hyrë pazarit të kobshëm për ndarjen e vendit, duke i plotësuar orekset serbomëdha të Serbisë dhe me një udhëheqës të mediave në Kosovë.

Harrova të them, edhe me Rexhep Qosjen, që po ashtu dëshironte “këmbime territoresh” me Serbinë, thuajse akademiku ynë me “ushtrinë e tij” i kontrollon ushtarakisht viset e Medvegjës, Bujanovcit dhe Preshevës.

Kryeministri i Hungarisë, Orban, dje si mysafir i Milorad Dodik në Banjalluka, kryeqytetin e Republika Srpska. Anëtari serb i presidencës së BeH, Milorad Dodik, dje duke iu drejtuar zëvendësndihmësit të sekretarit shtetëror të SHBA-ve Gabrijel Eskobar, për agjencinë e lajmeve SRNA të RS, tha se më në BeH nuk mund të kaloj fuqia e faktorit ndërkombëtar, pasi me goditje jemi mësuar në këto hapësira, andaj as fuqia e as kërcënimet nuk mund të sjellin rezultate. 

Përderisa Serbia me gjithë aparatin shtetëror, ushtrinë e policinë e saj është në krah e ndihmë të Milorad Dodikut, hapur ajo sikur do të krijoj përshtypjen e preokupimit më të madh me Kosovës dhe të “popullit serb” aty, që në përbërjen e përgjithshme të popullsisë arrijnë diku nja 6 për qind .

Sidoqoftë, shteti i brishtë i Bosnjës e Hercegovinës ka filluar të zhbëhet pas vendimeve të  pushtetit në Republika Srpska  që synon ti zbres e zhvendosë nga niveli shtetëror në nivelin e entitetit pothuaj 128 ligje dhe nënakte të tjera ligjore. Afati është gjashtë muaj ditë. Kjo do të thotë që pas gjashtë muajve , apo më përpara, nëse një forcë e madhe nuk u del përpara për ti penguar forcërisht, Bosnja si shtet nuk do të ekzistoj më.

Kjo natyrisht do të thotë një luftë tjetër, e Dodik ka treguar se Rusia do ti qëndroj pas RS edhe me armatim modern.

Foto: Srebrenica në vitin 1995. 

Kurrgjë nuk paska qenë e mjaftueshme deri tash, se bisha e uritur për gjakun e njerëzve të pafajshëm nuk qenka ngopur ende me gjak, madje as pas mbi 8 mijë viktimave civile të Srebrenicës e as të mbi 100 mijë të vdekurve që vdiqën në luftën afër katërvjeçare dhe as të mbi një milionë e gjysmë të refugjatëve të atëhershëm, që qenë shpërndarë në rajon e botë.

Këmbanat bijnë vetëm për atë që ka vesh, andaj kanë thënë gjithmonë se atë që e dëgjon dhe sheh se po ndodhë tek fqiu, prite edhe në shtëpinë tënde!

Pavarësisht se Kosovën e përgjumën me vite e vite, së cilës madje ia futën kokën edhe “nëpër xhami turke” të ndërtuara e meremetuara nga qarqet neootomane të Ankara-s si të ndërtoheshin në ndonjë “vilajet” të Perandorisë Osmane të dikurshme, udhëheqjet e deritashme të vendit bartin përgjegjësi historike për moszhvillimin shumëplanësh të Kosovës në këto mbi dy dhjetëvjetsha, për korrupsionin e jashtëzakonshëm dhe mosluftimin e krimit të llojllojshëm.

Pavarësisht se askush nuk mund ti ikën përgjegjësisë, ajo nuk mund tu bije në asnjë mënyrë atyre që qe gjashtë muaj janë në pushtet. Megjithatë, Kosova duhet të mos jetë e përgjumur për asnjë moment por të jetë e vëmendshme në ruajtjen dhe mbrojtjen e integritetit territorial të vendit, që mund të rrezikohet nga Serbia dhe ata që e përmbajnë atë, që shihet e dihet se kush janë.

Christian Schmidt, përfaqësues i lartë në BeH është tejet i brengosur me tendencat e pandalshme të RS e Milorad Dodikut për zhbërjen e Marrëveshjes së Dejtonit për Bosnjen e Hercegovinën. Ai i tha dje Rojters se Dodik “duhet të zbres në tokë”.

Goran Rakić, zv/Kryeministri i Kosovës, i cili e quan vendin në raste e rrethana të tjera, si “Kosovo i Metohija”, kurdo që i merr urdhërat nga kreu i shtetit të Serbisë, fillon të kërcënohet me luftë dhe “shkëputje lidhjesh me Prishtinën”, njejt si Millorad Dodik i Republika Srpskas!

Në të vërtetë, është Lista Srpska, e preferuara e pushtetit në Beograd, ajo që e bëri zv/Kryeministër të “Qeverisë Shqiptare” të Prishtinës …

Serbia është duke i provokuar të gjithë: Bosnjen përmes Republika Srpska, Malin e Zi përmes Kishës Ortodokse serbe e serbëve të atyshëm si dhe Kosovën përmes minoritetit serbë në vendin tonë dhe gjithë atë armatosje nga Rusia e Kina e ka për aventurën e saj tjetër luftarake për realizimin e projektit të papërfunduar të Serbisë së Madhe, që në mënyrë të butë po e quan “bota serbe”, që Edi Ramës së Shqipërisë po i duket si “Open Ballkan”!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu