Pamje e fshatit Llugaxhi të Lipjanit

Selatin Retkoceri, Llugaxhi, Lipjan
KOSOVA PO ZBRAZET FSHATI PO VDES NË HESHTJE AKUZË E DREJTPËRDREJTË NDAJ QEVERISË DHE PUSHTETIT LOKAL
Kosova po përjeton shpopullimin më dramatik në historinë e saj moderne. Fshatrat po braktisen masivisht, jo më vetëm ato të varfra apo malore, por edhe fshatra me infrastrukturë të kompletuar, me shkolla, rrugë, ujësjellës e kanalizime.
Kjo nuk është më pasojë e luftës. Kjo është pasojë direkte e keqqeverisjes. Në Komunën e Lipjanit janë gati 10 fshatra të braktisura 100%.
Të tjera po zbrazën me shpejtësi alarmante.
Sot Kosova ka:
● shkolla pa nxënës,
● rrugë pa njerëz,
● shtëpi të reja me dry në derë
Ky është dështim shtetëror. Shembulli i Llugaxhisë është tragjik dhe turpërues për pushtetin. Një nga fshatrat më të pasura dhe më të shkolluara, me infrastrukturë që nuk e kanë as disa qytete të vogla si: – rrugë të asfaltuara – kanalizim e ujësjellës – shkollë, sallë-palestër sporti, ndriçim rrugësh – asnjë rast social dhe me punësim thuajse 100%.
Dhe megjithatë:
■ mbi 50% e banorëve e kanë braktisur fshatin.
■ nga 360 shtëpi të ndërtuara pas luftës, vetëm 40% janë të banuara. 60% hapen një herë në vit, vetëm për vizitë.
■ Shkolla që dikur kishte 370 nxënës, sot ka vetëm 160. Ky është grafiku real i “zhvillimit” që na servon pushteti. Gjatë 5 viteve të fundit, Kosova është braktisur nga mbi 300 mijë qytetarë.
Po ikin: mjekë, infermierë, inxhinierë, mjeshtër, ekspertë IT Kjo nuk është migrim normal. Kjo është ikje nga mungesa e shpresës, dinjitetit dhe perspektivës. Nëse ky trend vazhdon, Kosova shumë shpejt rrezikon të bjerë nën 1 milion banorë, duke u shndërruar në territor të zbrazët, të hapur për ripopullim të pakontrolluar, ndërkohë që bijtë e saj largohen. Qeveria qendrore dhe pushteti lokal janë bashkëpërgjegjës.
Po inaugurojnë asfalt për fshatra pa njerëz. Po mbajnë fjalime për zhvillim, ndërsa Kosova po shkretohet. Në fund shtrohet pyetja, pse gjithë kjo ikje nga Kosova? Përgjegjëja: ♧ Kosova ka dështu të siguroj mirëqenje të qytetarëve të saj, ♧ ka dështu sistemi arsimor, ♧ kemi dështu në sigurime shëndetësore e sociale, ♧ sistemi pensional nuk garanton jetë normale në moshën e pleqërisë, ♧ siguria në vend është e brisht, ♧ shteti nuk ka ekonomi dhe punësim të qëndrueshëm, ♧ shëndetësia ka kollapsu, ♧ energji nuk kemi për amvisëri e lëre më për industri, ♧ mungesë të kopshteve dhe qerdheve për fëmijë, ♧ papunësi shumë e madhe e grave, ♧ mungesë e madhe e strehimoreve për të moshuar, ♧ inflacion të lartë dhe rritje e vazhdueshme e varfërisë së qytetarëve.
Ky është ALARM PUBLIK. Nesër do të jetë vonë. Heshtja sot është bashkëfajësi.


