
Agim Vuniqi, Vashington
Në asnjë shtet të botës moderne nuk ka ndodhur ajo që ndodhi në Kosovë: një gjykatë me pamje të brendshme, por me esencë të huaj, që funksionon mbi një kushtetutë tjetër – të Zhablakut – dhe jo mbi parimet e vetë Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata e Dhomave të Specializuara, ose siç njihet ndryshe “Gjykata Speciale”, është shndërruar në një instrument të dhunës ligjore mbi vetë sovranitetin kushtetues të Kosovës.
Kushdo që pretendon se kjo gjykatë është “vendore”, thjesht mashtron opinionin publik.
Gjykata është themeluar me presion të rëndë ndërkombëtar, duke shkelur procedurat e brendshme kushtetuese, me qëllimin e qartë për të ndëshkuar njëanshëm drejtuesit e luftës çlirimtare, mbi një raport të kontestuar si ai i Dick Marty-t.
Hashim Thaçi – themeluesi që u përthith nga krijesa e tij Në një intervistë të fundit publike, Hashim Thaçi – ish-presidenti dhe një nga figurat kyçe të pasluftës – ka rrëfyer se ai ishte iniciuesi kryesor i themelimit të Gjykatës Speciale, me arsyetimin se ndryshe Kosova rrezikonte të përballej me gjykime ndërkombëtare jashtë kontrollit institucional të saj.
Megjithatë, kjo gjykatë as që është në kontrollin institucional të Kosovës. edhepse projektligji për Dhomat e Specializuara nuk kaloi në leximin e parë, por vetëm pas presionit intensiv nga ndërkombëtarët, deputetët u “bindën” ta votojnë atë.
Ky ishte një moment kritik i historisë moderne të Kosovës: me 2/3 e votave të deputetëve u amandamentua Kushtetuta për të futur në të një trupë të jashtme gjyqësore, që funksionon sipas një logjike të huaj ligjore dhe jashtë çdo standardi të drejtësisë kushtetuese. Ligji i armikut të luftës – bërë normë në shtetin e çliruar Gjykata Speciale gjykon mbi bazën e një juridiksioni të importuar, ku pjesë të ligjit penal të ish-Jugosllavisë dhe më pas të Serbisë janë integruar në legjislacionin që përdor.
Kjo është Kushtetuta e Zhablakut, e futur në zemër të ligjshmërisë kosovare nga dora e politikanëve të nënshtruar dhe e fuqive që e konsiderojnë Kosovën si eksperiment, e jo si shtet të barabartë. Nuk ka ndodhur askund në botë që një shtet, i cili ka dalë nga një luftë çlirimtare kundër një shteti tjetër, të pranojë që ligjet e shtetit armik të bëhen pjesë e rendit të vet juridik.
Ky është sulm i drejtpërdrejtë mbi integritetin e Kushtetutës së Kosovës, sepse përmes kësaj strukture hibride, e cila nuk është nën juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, po krijohet një rend paralel, një shtet në hije. Juridiksion selektiv, drejtësi e programuar Gjykata Speciale ka një juridiksion të kufizuar në kohë, duke hetuar vetëm krimet e supozuara të kryera nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000. Kjo do të thotë se krimet serbe të kryera para kësaj periudhe – përfshirë dhunimet sistematike, spastrimin etnik dhe masakrat – nuk janë subjekt hetimi.
Gjithashtu, krimet e pasluftës që përfshijnë strukturat paralele serbe apo grupet kriminale që veprojnë në veri të Kosovës, nuk trajtohen fare. Kjo është drejtësi e selektuar, që ushqehet nga një logjikë politike: të barazojë viktimën me agresorin, dhe ta kriminalizojë luftën çlirimtare duke e paraqitur si strukturë e organizuar kriminale. Kostot – të mëdha, rezultatet – të vogla Për 7 vitet e fundit, janë shpenzuar mbi 275 milionë euro për Gjykatën Speciale, të financuara nga Bashkimi Evropian dhe shtete si SHBA, Kanadaja, Turqia, Zvicra e Norvegjia. Këto fonde kanë shërbyer për ndjekje selektive dhe për dënime pa asnjë ndikim pozitiv në shoqëri.
Deri tani, drejtësia që ofron kjo gjykatë nuk ka ndihmuar në pajtimin mes komuniteteve, nuk ka nxjerrë të vërtetën për krimet më të rënda të luftës dhe nuk ka përfaqësuar kurrë drejtësinë tranzicionale në kuptimin e plotë. Për më tepër, aktakuzat kanë nisur përmes logjikës së fajësisë kolektive, ku vetë emblema e UÇK-së është përmendur si “strukturë kriminale”. Kjo nuk është vetëm denigrim, por një përpjekje për të zhbërë legjitimitetin e rezistencës së armatosur për çlirim, që ishte mbështetur nga SHBA, NATO dhe shtetet perëndimore. Nëse i dorëzohemi një logjike ku institucionet e drejtësisë ndërtohen mbi ligje të armikut, ku presioni ndërkombëtar mposht ligjshmërinë e brendshme, dhe ku drejtësia shërben për të goditur ata që krijuan lirinë, atëherë Kosova është e rrezikuar të kthehet në protektorat të përhershëm, me iluzionin e një pavarësie që ka vetëm flamur, por jo drejtësi.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës duhet të riaktualizojë veten si mbrojtëse e rendit juridik të brendshëm, duke rishqyrtuar përmes neneve të veta vendimet që shkelin frymën e pavarësisë dhe integritetit të shtetit.
Ndërkohë, shoqëria civile, akademia dhe mediat e pavarura kanë përgjegjësi të ngritin zërin kundër këtij deformimi. Sepse nëse heshtim sot, nesër do të kemi një Kushtetutë pa sovran, një shtet me Gjykatë, por pa drejtësi, dhe një histori që do të shkruhet nga dorëshkrimi i Zhablakut, e jo nga vullneti i qytetarëve të Kosovës.


