
Bardhyl Mahmuti, Gjenevë
___
Mos e vet se tregon vetë!
___
Në reagimin e titulluar “Patriotizmi dhe hajnia nuk futen në një thes”, Kadri Kryeziu më akuzon se gjoja paskam marrë “stafetën e shpifjeve kundër tij”.
Le t’i shohim gjërat një nga një!
Në shkrimin tim të 30 shtatorit unë e hodha poshtë gënjeshtrën e Kadri Kryeziut se gjoja ai paska qenë i pari që “më 11 mars 1981 ka ‘BËRTITUR’ ‘Republikë, kushtetutë, ja me hatër ja me luftë’”.
Të gjithë pjesëmarrës e asaj proteste e dinë se më 11 marsit 1981 nuk është përmendur një kërkesë e tillë!
Të zhveshësh gënjeshtrën nuk është shpifje, por ndërgjegje intelektuale për të ndërprerë manipulimin me ata që nuk e dinë si kanë rrjedhur ngjarjet. Nëse dikush ka shpifur në këtë rast, është pikërisht Kadri Kryeziu, sepse ka përdorur fjalën përçmuese “BËRTITUR”, që përdornin komunistët jugosllavë të përkatësive të ndryshme etnike dhe instrumentet e UDB-së për të nënçmuar demonstruesit që BROHORISNIN fuqishëm pakënaqësitë e tyre.
Duke përdorur fjalët përçmuese të diskursit të komunistëve jugosllavë ndaj demonstratave të vitit 1981, Kadri Kryeziu tregon proveniencën e vet ideologjike. (Këtë çështjeje do ta trajtoj më poshtë).
Si çështje të dytë që përmenda në shkrimin e 30 shtatorit është fakti se gjatë qëndrimit në burg Kadri Kryeziu kishte të drejtë vizite të lirë në qytet, 12 orë në muaj, ndërkohë që shumica absolute e të burgosurve politikë kishin te drejtë në vizita familjarë të kontrolluara brenda burgut vetëm 30 minuta në muaj (6 orë në vjet).
Kadri Kryeziu nuk thotë asnjë fjalë të vetme, sepse e di fare mirë se për këtë fakt janë dëshmitarë të gjithë të burgosurit e tjerë shqiptarë që vuanin dënimin në Burgun e Qarkut në Shabac të Serbisë.
Kadri Kryeziu nuk thotë asnjë fjalë të vetme as për çështjen e tretë që përmenda në shkrimin e 30 shtatorit: përderisa një numër i të burgosurve politikë që nuk kishin lidhur kurorë pas martesës, nuk ua lejuan bashkëshortet t’u vinin t’i vizionin në sallat e mbikëqyrura nga gardianë dhe përkthyes, Kadri Kryeziu ishte i burgosuri i parë politik që e lëshuan nga burgu i Shabacit, të shkojë në Prizren dhe të martohet!
Në vend të akuzës se gjoja kam marrë “stafetën e shpifjeve kundër tij”, Kadri Kryeziu duhet të tregojë konkretisht a ka pasur të drejtë vizite familjare të pambikëqyrur 12 orë në muaj, ndërkohë që unë dhe shokët e mi nga 30 minuta vizita të mbikëqyrura.
Në vend të akuzës se gjoja kam marrë “stafetën e shpifjeve kundër tij”, Kadri Kryeziu duhet të tregojë konkretisht a liruan nga burgu të martohej!
Nëse dikush ka shpifur për periudhën e qëndrimit në burg është pikërisht Kadri Kryeziu!
Në reagimin e tij të datës 18 tetor, ai shkruan: “Edhe pse dikur ishim të burgosur si DISIDENTË TË REGJIMIT JUGOSLLAV, me Bardhyl Mahmutin dhe sojin e tij — që përfshin burra të ligë në Kosovë e Maqedoni — unë i kam ndarë rrugët moti.”
Fjala DISIDENCË ka kuptimin e ndarjes nga diçka që ke qenë pjesë e saj qoftë në rrafshin politik, ideologjik, religjioz etj.
Unë dhe shokët e mi asnjëherë nuk kemi qenë pjesë e atij REGJIMI JUGOSLLAV, që territoret e shqiptarëve i copëtoi në tri republika, por kemi qenë të vetëdijshëm se jemi të pushtuar dhe duhet të mobilizohemi kundër regjimit pushtues dhe argatëve shqipfolës të këtij regjimi.
Unë dhe shokët e mi jo vetëm që nuk kemi qenë pjesë e atij REGJIMI JUGOSLLAV që Maqedonisë së sllavizuar ia dhuroi qendrën historike të Vilajetit të Kosovës, Shkupin, dhe qendrën historike të Vilajetit të Manastirit, Manastirin, por gjithmonë kemi luftuar kundër këtij regjimi dhe argatëve të sojit të Kadri Kryeziut që i kanë ndarë shqiptarët në shqiptarë të Serbisë, në shqiptarë të Maqedonisë dhe në shqiptarë të Malit të Zi.
Kadri Kryeziu duhet ta ketë të qartë një gjë: Nëse rastësisht na kanë transferuar në një burg, kjo nuk do të thotë se ne kemi pasur rrugë të përbashkët! Unë dhe shokët e mi asnjëherë nuk i kemi bashkuar rrugët me ata që qëndisnin goblena për gratë e gardianëve të burgut dhe këndonin këngën “Me gjergjef, lule tuj qendisë…”, prandaj as që kemi pasur nevojë t’i ndajmë rrugët me të!
Sa i përket “pangopësisë, llupësia dhe pisllëqeve” të njohim mirë. Pas përfundimit të luftës dhe pushimit të funksionimit të Qeverisë së Përkohshme, unë jam tërhequr nga skena politike. Unë nuk kam pranuar asnjë funksion që më është propozuar nga bashkëveprimtarët, ndërkohë që ty të njihnim nga larg si servil që doje të futeshe në prapanicë të çdo lideri, vetëm e vetëm për të nxjerrë ndonjë përfitim.
Në reagimin e Kadri Kryeziut ka vetëm një gjë të vërtetë: kur pohon se “Bardhyli më njeh mirë nga burgu. E di fort mirë sa larg mund të shkoj…”.
E njoh edhe pas burgut!
Kadri Kryeziu mund të shkojë vetëm aty ku i thonë patronët, për çejzin e të cilëve aktualisht është duke qëndisur goblenë!


