Pas vdekjes së babait të Shën Terezës, Kolë Bojaxhiu, në vitin 1919, familja përjetoi vështirësi ekonomike. Në vitin 1934, kur Gonxhe Bojaxhiu (Shën Tereza) ishte tashmë pjesë e urdhrit fetar në Indi, nëna e saj Drane dhe motra Age u shpërngulën nga Shkupi në Tiranë, Shqipëri.
Shtëpia ku jetuan nëna e Shën Terezës, Drane Bojaxhiu, dhe motra e saj Age në fund të viteve ’30 ndodhet në Rrugën e Kavajës, pranë Kishës Katolike në Tiranë. Ato u strehuan nga Avni Zajmi, një zotëri me origjinë nga Kosova, i cili i mbajti në këtë shtëpi për më shumë se 17 vite.
Shtëpia ka mbetur thuajse në të njëjtën gjendje si në kohën kur jetonin aty Drane dhe Age, dhe ende ruhen disa prej sendeve personale dhe fotografive të tyre.
Vëllai i Shën Terezës, Lazër Bojaxhiu, shërbeu për disa vite si oficer në Berat dhe më pas në Tiranë, por emigroi herët drejt Italisë, ku krijoi familjen e tij dhe nuk pati më mundësi të takohej me nënën dhe motrën, për shkak të izolimit që vendosi regjimi komunist i Enver Hoxhës pas vitit 1945, duke mbyllur kufijtë dhe ndaluar kontaktet me jashtë.
Kjo shtëpi përfaqëson një pjesë të rëndësishme dhe prekëse të historisë familjare të Shën Terezës dhe ishte vendi i parë që ajo vizitoi kur erdhi për herë të parë në Shqipëri, në Tiranë, në vitin 1989.



