
Agim Morina, Prizren
___
Kur gjykohet për këdo qoftë dhe çfarëdo qoftë, duhet me pasë kritere sa më të qëndrueshme. Nuk munden me u qujtë kritere të qëndrueshme kur ato vlejnë për dikë e nuk vlejnë për dikë tjetër. Edhe kur gjykohet për të drejtën e palestinezëve do të duhej me vlejtë e njëjta qasje. Sepse, duhet me u nisë nga vetja, të mohosh të drejtën e cilitdo popull për liri e shtet lë mundësinë që dikush të mohojë të drejtën e lirisë dhe të shtetit të shqiptarëve. E kjo është e palejueshme dhe e pakuptimtë.
Me thënë se Palestina nuk duhet me u njohë si shtet, sepse “ka ende shumë popuj që nuk kanë shtet” asht shkarje logjike. Pohim logjik është të thuhet se të gjithë popujt kanë të drejtë të kenë shtet. Ndërsa po aq logjike është me thënë se asnjë popull nuk meriton me qenë i pushtuar. Nëse një popull pushtohet, atëherë ky popull ka të drejtë të luftojë për lirinë e tij me të gjitha mjetet, sepse cenimi i lirisë së një populli është akti më i rëndë që mund t’i bëhet një populli. Dhe liria mbetet synimi më i çmuar. Sidoqoftë, kjo është vetëm shkarja e parë e rëndë logjike që bën Ben Blushi në artikullin e tij “Pse nuk duhet njohur Palestina”.
Një rrenë e kulluar e Ben Blushit, që mund të demantohet me një kërkim të thjeshtë në Gugëll, është se palestinezët nuk paskan pranu asnjëherë asnjë plan të paqes, se “e refuzuan marrëveshjen e Paqes së Presidentit Klinton,” dhe po ashtu nuk paskan pranu egzistencën e shtetit të Izraelit. Dihet se “Marrëveshjen e Osllos”, me ndërmjetësimin e Bill Clintonit, e kanë nënshkru Yitzak Rabini, kryeministër i Izraelit, dhe negociatori palestinez, Mahmoud Abbasi. Në atë Marrëveshje palestinezët njihnin të drejtën e egzistencës së shtetit të Izraelit dhe hiqnin dorë nga terrorizmi, ndërsa izraelitët e njihnin OÇP-në si përfaqësuese të palestinezëve dhe pajtoheshin me tërheqjen nga territoret e pushtuara.
Pastaj vazhdojnë shkarjet e tjera të njëpasnjëshme të Blushit. Ai e nis historinë e tij të Palestinës me vitin 1947, për me mujtë me pohu se palestinezët në këtë vit “refuzuan formulën e OKB[-së] për krijimin e dy shteteve, Palestinës dhe Izraelit dhe shkuan në një luftë guerrile të cilën e humbën.” Mandej shkon e del te viti 1967 për me tregu se shtetet arabe humbën luftën. Dhe dikur shfaqet te viti 2000 për me thënë se palestinezët “e refuzuan marrëveshjen e Paqes së Presidentit Klinton, sipas të cilës Izraeli dhe Amerika e njihnin shtetin palestinez dhe po ti mbledhësh refuzimet palestineze, del se Izraeli e ka refuzuar më pak shtetin e Palestinës se vetë palestinezët.”
Deri këtu ka disa pasaktësi, për mos me thënë shpifje, sepse Blushit e ka paracaktu konkluzionin e shkrimit të vet dhe tani, për me mujtë me thënë diçka, ai vetëm rendit vite sa për t’u dukë sikur thotë fakte të kulluara.
Një nga shtrembërimet është pohimi i tij se në vitin 1947 territori palestinez kishte 2 milionë banorë dhe nga këta “600 mijë ishin hebrenj”.
Pyetja e parë që duhet me u shtru është: pse Blushi e nis historinë e Palestinës në vitin 1947? Sepse edhe ai e di se çfarëdo që mund të thotë para vitit 1947 zbulon boshllëqet e tmerrshme të argumentimit të tij.
Le të sqarojmë që në vitin 1914, dmth. rreth 30 vjet më parë, në Palestinë kishte vetëm 60 mijë hebrej. Pra, për 30 vite, hebrejtë u shtuan 10 herë. Si u shtuan ata? Duke lindë nga 100 fëmijë çdo familje? Jo, duke kolonizu territoret palestineze me hebrej nga e gjithë bota. A kishte ndonjë marrëveshje paraprake me palestinezët për këtë? Jo. Atëherë si u bë që u leju kolonizimi i Palestinës? Kjo u arrit me veprime terroriste të hebrejve.
Natyrisht, arsyeja që Ben Blushi nis historinë në vitin 1947 është që të mos përmendet historia terroriste e krijimit të shtetit izraelit. Blushi e nis më parë sepse e di se kjo nuk i shërben argumenteve të tij manipuluese se hebrejtë themeluan organizata terroriste si Haganah (Mbrojtja) (1920), me udhëheqës Yosef Hechtin; Irgun Zvai Leumi (Organizata Ushtarake Kombëtare) (1931), e cila u nda nga Haganah, me udhëheqës Ze’ev Jabotinskyn; Lehi (Luftëtarët për Çlirimin e Izraelit) (1940), – edhe kjo u formu duke u nda nga Irguni, – me udhëheqës Stern Gangun etj.
Çfarë ishin synimet e këtyre organizatave terroriste izraelite? Të dëbonin sa më shpejt autoritetin britanik nga Palestina duke përdorë dhunën, të dëbonin popullsinë arabe palestineze dhe të mundësonin ardhjen e sa më shumë kolonistëve hebrej dhe krijimin e shtetit të Izraelit. Gjatë veprimtarisë së tyre këto organizata bënë disa nga këto sulme terroriste:
– vranë Lord Moynein, ministër britanik për Lindjen e Mesme, ngaqë ai pajtohej me vendimin e shtetit britanik që një shtet izraelit duhej me qenë pjesë e një federate shtetesh arabe e jo shtet i veçantë dhe se emigrimi i hebrejve duhej me qenë më i kontrolluar;
– vendosën mina në trenin Kajro-Haifa duke vra 28 ushtarë britanikë dhe duke plagosë 35 të tjerë. Herën e dytë vranë 40 arabë civilë dhe plagosën 60 të tjerë;
– kryen Masakrën e Deir Jasinit, fshat afër Jerusalemit, me 9 prill 1948, duke vra 107 fshatarë palestinezë, duke përfshi gra e fëmijë.
– bënë atentat ndaj Folke Bernadottein, diplomat dhe fisnik suedez, ndërmjetës i Kombeve të Bashkuara në konfliktin arabo-izraelit 1947-47. Ai u vra derisa konvoji i Kombeve të Bashkuara kalonte nëpër Jerusalemin Perëndimor, bashkë me oficerin francez, Andre Serotin. Bernardotte u vra sepse shihej si kukull i britanikëve dhe arabëve, prandej, rrezik për krijimin e shtetit izraelit. Megjithëse pikërisht ky njeri gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte negociu për lirimin e 450 hebrejve danezë nga kampet naciste të përqendrimit;
– kryen sulmin në selinë e policisë së Haifas, ku u vranë 12 persona, nga ata edhe policë britanik dhe arabë;
– ndodhi E Diella e Zezë, një sulm terrorist ku mbetën të vrarë 10 dhe u plagosën 13 persona;
– kryen bombimin e Hotelit Mbreti David në Jerusalem, shkaktoi 91 të vrarë dhe 46 të pagosur. Në literaturën e historisë së terrorizmit quhet si një nga sulmet më vdekjeprurëse terroriste të shek. XX.
Kjo është vetëm një listë ilustruese e sulmeve terroriste të hebrejve nga disa organizata kryesore, që luftonin për krijimin e shtetit të Izraelit. Kjo sa për me kuptu që shkollë e terrorizmit për arabët ishin vetë hebrejtë. Këto organizata terroriste sollën deri te dita e 14 majit 1948, kur u shpall shteti i pavarur i Izraelit. Dhe udhëheqësit e këtyre organizatave terroriste më vonë u bënë udhëheqës të shtetit izraelit si Menachem Begini ose Yitzhak Shamiri që kanë shërby si kryeministra të Izraelit.
Tani vijmë te një nga argumentet kryesore që vë në pikëpyetje Ben Blushi: a kanë të drejtë për liri ata që shërbehen me metoda terroriste? Nëse, ashtu qysh përpiqet me argumentu Ben Blushi nëpër gjithë shkrimin, se palestinezët në Gazë nuk paskan të drejtë, ngaqë ndjekin Hamasin, atëherë edhe izraelitët nuk paskan pasë të drejtë të krijojnë shtetin e tyre sepse këtë e kanë arrijtë nëpërmjet veprimtarish terroriste. Mirëpo, ka një problem këtu: ai që për dikë është “terrorist”, për tjetrin është “luftëtar lirie”. Skenderbeu ishte njëfarë “terroristi” – me termin e kohës “hain” – për Perandorinë Otomane, por për shqiptarët ai ishte dhe mbetet luftëtar më shembullor i lirisë; George Washingtoni ishte njëfarë terroristi për Perandorinë Britanike, por për amerikanët ai është dhe mbetet baba i shtetit amerikan; Adem Jashari quhej terrorist nga Serbia, por për shqiptarët ai është dritë e lirisë së Kosovës. Le të marrim shembullin më të freskët, kryetarin e sotëm të Sirisë, Ahmed al-Sharaa. Ai, vetëm para pak kohësh ishte terrorit me 10 milionë dollarë për kokën e tij. Sot ai është kryetar i Sirisë që takohet me kryetarin amerikan në Shtëpinë e Bardhë. Prandaj nuk do të jetë çudi nëse nesër do të shohim ndonjë udhëheqës të Hamasit si kryeministër të shtetit të Palestinës.
Termi “terrorist”, prandaj, është i paqëndrueshëm dhe me të shërbehet politika e ditës për qëllimet e veta. Një intelektual i mirëfilltë nuk do të duhej me ra në kurthin e kësaj terminologjie. Një shkrimtar nuk do të duhej mos me pa të drejtën e një populli për liri – që është kategori e pandryshueshme – nga njerëz apo grupe të ndryshme që sot janë e nesër nuk janë.
Në këtë vijë argumentimi dalim edhe te e drejta e vetë Izraelit për me ekzistu si shtet. Pra, populli hebre ka të drejtë për lirinë e vet dhe për shtetin e vet. Rruga se si ka ardhë deri aty mund të shqyrtohet në histori, mund të debatohet pafundësisht, por kurrë nuk mund të vihet në pyetje e drejta e tyre për liri dhe shtet. Kjo është e drejtë të patjetërsueshme. Ashtu siç mund të debatohet për rrugën dhe metodat e luftës së palestinezëve, por nuk mund të vihet në pyetje e drejta e tyre për shtet.
Të akuzosh palestinezët në Gazë se nuk paskan pasë zgjedhje të lira për njëzet vjet dhe për këtë shkak nuk e meritojnë lirinë është mizori e shfrenuar mendore. Edhe shqiptarët për një gjysë shekulli nuk kanë pasë zgjedhje të lira nën regjimin stalinist. A do të thotë kjo që ata nuk e paskan meritu me qenë të lirë?
Dihet tashmë që pas 13 shtatorit 1993, kur kryeministri izraelit Rabini dhe negociatori i OÇP-së, Mahmoud Abbasi nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë Deklaratën e Parimeve mbi Marrëveshjet e Përkohshme të Vetëqeverisjes u desh të zbatohen pikat e marrëveshjes. Por kjo nuk ndodhi. Izraeli nuk i tërhoqi trupat nga territoret e pushtuara, duke thënë se ajo e interpretonte ndryshe këtë pikë të marrveshjes. Në nëntor 1995 kryemnistri Rabini u vra në një atentat nga Yigal Amiri, i cili kundërshtonte Marrëveshjen e Oslos. Vetëm pas vrasjes së Rabinit, nisën sulmet e Hamasit, sepse tashmë dihej se në pushtet po vinte një rrymë ekstremiste izaelite. Sulmet e Hamasit bënë që të binte popullariteti i Partisë Laburiste dhe në zgjedhjet e vitit 1996 zgjedhjet i fitoi Binyamin Netanyahu, i Partisë Likud, parti që historikisht kundërshtonte krijimin e shtetit palestinez dhe tërheqjen nga territoret e pushtuara. Kështu dolën në skenë dy rryma ekstreme nga të dyja palët. Prandaj, nuk lindën “monstra” – qysh i qun Blushi pjesëtarët e Hamasit – vetëm palestinezët, por edhe izraelitët.
Blushi bën një gabim të tretë kardinal, kur Hamasin e krahason me nacizmin. Në të vërtetë, është e kundërta, nacizmi sot është shumë më afër me cionizmin në pamjen e veprimeve të Netanyahut, i cili akuzohet për gjenocid në Gazë dhe për këtë do të përgjegjet doemos një ditë. Të vrasësh mbi 60 mijë persona, ndër ta mbi 16 mijë fëmijë, të dëbosh popullsinë duke i lënë të uritur, para kamerave të botës, nuk do të mund të kalohet kurrë pa ndëshkim. Hamasi më shumë ngjan me organizatat e dikurshme terroriste izraelite: Haganahun, Irgun Zvai Leumin dhe Lehin. Edhe zogjtë në degë e dijnë që nacizmi nuk ishte një organizatë terroriste, por një shtet terrorist.
Zgjidhja e konfliktit izraelito-palestinez do të jetë krijimi dhe njohja e ndërjellë e dy shteteve, ashtu siç ishte nënshkru në Marrëveshjen e Oslos. Ashtu siç duhet të egzistojë shteti i Izraelit, ashtu duhet të egzistojë edhe shteti i Palestinës. Historia e hebrejve tashmë dihet dhe nuk ka njeri me mend në kokë që mund të mohojë egzistencën e shtetit izraelit. Por as atë palestinez. Këtë e kuptuan, megjithëse vonë, edhe Britania e Madhe, Kanadaja, Australia etj., që vetëm tani e njohën shtetin e Palestinës. Ata, me këtë akt, nuk morën anën e Hamasit, por anën e së drejtës së popullit palestinez. Vetë Hamasi është produkt i dhunës dhe përndjekjeve me dhjetëvjeçarë të palestinezëve nga shteti izraelit. Prandaj, me nxjerrë një përfundim se për shkak të një organizate një popull nuk meriton lirinë dhe shtetin është zaifllëk mendor.
Dhe, e fundit, Republika e Kosovës nuk duhet të njohë shtetin e Palestinës, derisa edhe Palestina të mos e njohë Republikën e Kosovës. Në qasjen politike, nuk ka asnjë dyshim, veprohet me parime reciprociteti.



Dhe, e fundit, Republika e Kosovës nuk duhet të njohë shtetin e Palestinës, derisa edhe Palestina të mos e njohë Republikën e Kosovës. Në qasjen politike, nuk ka asnjë dyshim, veprohet me parime reciprociteti.