ARKIVI:
6 Mars 2026

Cili është rrëfimi i zgjedhjeve 2025-2026!

Shkrime relevante

Rugovishtja mes ruajtjes dhe asimilimit gjuhësor

MSc. Adem Lushaj, Deçan (Vështrim rreth librit, Ndryshimi i varietetit gjuhësor (Rasti...

Donna Dafi vjen me superhitin provokues për fuqizimin e grave “Touch Me Like That”

Shtutgart, 7 mars 2026 Skena ndërkombëtare e muzikës pop-dance po tronditet nga...

Kur ideologjia fetare bëhet filtër i arsyes

Basri Beka, Prishtinë Debati me mikun tonë X është një shembull klasik...

Kur pushteti gabon dhe opozita dështon: Kosova peng i ambicieve politike

Luan Dibrani, Gjermani Në politikën e Kosovës po përsëritet një gabim i...

Shpërndaj

Përfundoi koha e “kanunistëve“ (kanunin dhe betimin para burrave e kanë ligj), ideologji e kontrollit mbi interesin publik
Agim Vuniqi
Transformimet ideologjike që e kanë përshkuar shoqërinë kosovare – nga dekadat e represionit komunist, te iluzioni i tranzicionit demokratik dhe deri te kapitalizmi i egërsuar i ditëve të “lirisë“ dhe zaptimit pronësorë – dëshmonin një vijueshmëri të një fenomeni të pandryshuar: interesi personal i ngritur mbi parimin, ligjin dhe idealin. Ndryshimi i sistemeve, emrave dhe flamujve nuk e ndërroi vetëm strukturën e brendshme të mentalitetit politik; por ndryshoi edhe mënyrën e të menduarit kolektiv.
Në vend që të krijohej kapitalizmi produktiv, ”kanunistët” (kanunin dhe betimin para burrave e kanë ligj) krijuan kapitalizmin klientelist, ku politika ishte banka qendrore, tenderi është valuta, ndërsa militantizmi është kapitali social.
Në vend që të prodhoheshin profesionistë, u prodhuan ideologë të rinj, të cilët flisnin më shumë për “kombin” e ri kosovarë, sesa për shtetin, më shumë për identitetin sesa për përgjegjësinë, më shumë për fjalët sesa për veprat.
Pra, vijimësia ishte e qartë: nga komunizmi i rremë, tek patriotizmi i paketuar, dhe tek kapitalizmi i egër pa moral, (përzierje në mes të Che-guevarizmit dhe e Dok Holliday-izmit, “epoka e slot e politikanëve-slot machines”) kishte ndryshuar vetëm sipërfaqen; logjika e sundimit mbeti e njëjtë.
Në periudhat më të vështira të historisë, elitat politike – atëherë të kufizuara, pastaj të mbështjella me terminologji moderne të “demokracisë liberale” – gjetën mënyrën për ta manipuluar opinionin publik përmes mobilizimeve ideologjike, që nga retorika e sakrificës kolektive deri te premtimet për “rilindje” kombëtare. Në të dy epokat, ngjashmëria ishte tronditëse: një segment i vogël, i paformuar mirë profesionalisht, kërkoi ta ngrejë veten mbi të tjerët duke e kuruar paraqitjen e vet si bartës të së vërtetës historike, ndërsa përfitonte materialisht në terrenin e një popullsie të lodhur e të pasigurt.
Ashtu siç ideologjitë totalitare të shekullit XX e legjitimonin pushtetin përmes “kauzës së përbashkët”, korrupsioni politik e arsyetontë veten me “arsye shtetërore”, “interesa gjeopolitike”, “urgjenca kombëtare” apo “kriza globale”. Këto fjalorë të sofistikuar nuk ishin gjë tjetër veçse forma të një mekanizmi të vjetër: supremacia e interesit “të grupit të odave“ mbi idealin e drejtësisë dhe institucionalizimit të meritokracisë.
Paradigma politike në Kosovë shpesh maskohej me një kapitalizëm të pakontrolluar, i cili, në mungesë të “rregullatorëve etikë” dhe institucioneve të forta, ishte shndërruar në një model të ngjashëm me post-socializmin e papërpunuar e viteve ’90 në shtetet e ish-bllokut lindor: përfitim i shpejtë, privatizime të paqarta, nepotizëm, klientelizëm, dhe një elitë që ngrihet mbi pasurinë publike duke e paraqitur veten si produkt i “konkurrencës së lirë”.
Në këtë rreth vicioz, ligji ndërkombëtar, normat e integrimit evropian dhe parimet e shtetit të së drejtës shiheshin shpesh si pengesa, jo si drejtues moralë. Debati publik – dikur ideologjik, pastaj i paketuar si diskurs modern perëndimor – vazhdonte të manipulohet nga figurat që shfrytëzojnin emocionin kolektiv për të fituar kapital politik, pastaj kapital ekonomik.
Nëse komunizmi prodhoi aparatin që e ngjizte individin në shërbim të “idealit”, kapitalizmi i egërsuar prodhoi elitën që e përdori idealin për të legjitimuar interesin e vet. Për këtë arsye, edhe pse sistemi pat ndryshuar në sipërfaqe, arkitektura e sjelljes politike mbeti e njëjtë: mobilizim i masës, mbështjellje e interesit me retorikë, dhe ngritje e individit mbi strukturën kolektive.
Kosova, përtej mitologjive politike, ka nevojë jo për flamuj të rinj ideologjikë, por për shndërrimin e moralit publik, një rend ku parimet, ligji dhe përgjegjësia të mos jenë dekor narrativ, por mekanizma funksionalë për matjen e vlerës së qeverisjes. Pa këtë transformim të brendshëm, çdo ndryshim do të mbetet iluzor, ndërsa historia do të rishkruhet sërish me të njëjtat kontradikta, të njëjtat zhgënjime dhe të njëjtat figura që e ndërtojnë karrierën mbi rrënojat e besimit qytetar.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu