Refuzimi i Albin Kurtit për t’iu përgjigjur ftesës së presidentes për takimin lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve nuk është thjesht një mungesë protokolli. Është një sfidë e hapur ndaj institucionit të shtetit.
Kur kryeministri i një vendi vendos të bojkotojë presidenten e Republikës në një proces kushtetues, atëherë nuk kemi të bëjmë më me debat politik, por me një logjikë të rrezikshme bllokimi institucional.
Sipas sinjaleve që po dalin nga brenda pushtetit, zgjedhjet e parakohshme mund të sfidohen edhe me një manovër tjetër: bllokimin e buxhetit për KQZ-në. Pra, kur nuk të pëlqen rezultati i demokracisë, përpiqu ta paralizosh vetë demokracinë.
Në këtë lojë të rrezikshme, dy zëdhënësit më të zellshëm të kësaj logjike siç janë: Arbërie Nagavci dhe Adnan Rrustemi, në emër të Vetëvendosjes po kërcënojnë me ankimim në Gjykatën Kushtetuese kundër presidentes. Një veprim që më shumë ngjan me një presion politik sesa me një shqetësim real kushtetues.
Tani mbetet të shihet deri ku mund të shkojë kjo çmenduri politike e kryeministrit. Sepse kur pushteti fillon ta sfidojë vetë shtetin që duhet ta mbrojë, atëherë kriza nuk është më politike por është krizë e vetë shtetit.



