
Basri Beka, Prishtinë
___
QËNDRIM PUBLIK
___
Deklarata e ish-nënkryetarit të Gjykatës Kushtetuese, intelektualit dhe veprimtarit të njohur, profesor Kadri Kryeziu, se “Feja islame në Kosovë ka dalë nga shtrati, ka vërshuar nga shtrati”, është një sinjal i qartë alarmi dhe një akt kurajoz intelektual. Kjo deklaratë, e bërë në tryezën e organizuar nga Organizata “Shqiptaria” me temën “Feja dhe Shteti”, është një thirrje për kthim në arsyen kombëtare dhe respektimin e karakterit laik të shtetit.
Në këtë tryezë, profesorë, akademikë dhe njohës të fushës theksuan rëndësinë e ruajtjes së ndarjes së qartë mes fesë dhe shtetit, si dhe domosdoshmërinë e mbrojtjes së Kushtetutës nga çdo tentativë për islamizim të hapësirës publike e shoqërore.
Fjalët e profesor Kadri Kryeziut janë një dritë për shoqërinë shqiptare, e cila prej vitesh po përmbytet nga propaganda e islamit politik, që përpiqet të zëvendësojë dritën e dijes e progresit me errësirën mesjetare të Lindjes. Ai tha qartë atë që shumë të tjerë e mendojnë, por s’kanë guximin ta thonë: është koha të ndalet vërshimi i ideologjisë fetare që po zë frymën e kombit.
Reagimet e disa individëve që u distancuan nga profesori nuk janë gjë tjetër veçse refleks i frikës dhe robërisë mendore. Kur dikush reagon kundër fjalës së lirë dhe mendimit kritik, ai në thelb po thotë: “duam të qëndrojmë në terr, mos na shqetësoni me dritë.”
Por kombi shqiptar nuk mund të mbetet peng i këtij terri. Ai ka lindur në dritën e Rilindjes Kombëtare, mbi vlerat e arsyes, dijes dhe qytetarisë perëndimore. Prandaj, qëndrimi i Kadri Kryeziut dhe zëri i çdo intelektuali që mbron karakterin laik të shtetit janë garanci se Kosova nuk do të bjerë pre e ideologjive fetare të importuara, të ushqyera nga armiqtë historikë të shqiptarëve.
Unë dhe çdo shqiptar që beson në lirinë, dinjitetin dhe identitetin kombëtar, qëndrojmë fuqishëm me profesor Kadri Kryeziun. Ai foli me mendje të kthjellët e me guxim, në një kohë kur shumë heshtin. Dhe në këtë betejë për dritë kundër territ, heshtja nuk është neutralitet – është dorëzim.


