Nga Zeqir Bekolli
___
Deklaratat e Gazmend Muhaxherit dhe Lutfi Hazirit përbëjnë jo vetëm një lajthitje të rëndë politike, por edhe një goditje morale ndaj ndërgjegjes kolektive të vendit. Kur një kryetar komune dhe një zyrtar i lartë i një partie me traditë si Lidhja Demokratike e Kosovës e barazojnë aksionin policor në veri me regjimin e Millosheviqit, apo e krahasojnë kryeministrin Albin Kurti me Aleksandër Rankoviqin, përbën një skandal me përmasa kombëtare.
Nëse i shohim me gjakftohtësi zhvillimet në veri, është e qartë se situata atje është pasojë e drejtpërdrejtë e ndërhyrjeve të Beogradit, strukturave kriminale dhe përpjekjeve për ta minuar sovranitetin e Kosovës. Sulmi i Banjskës, i udhëhequr nga krimineli Milan Radojçiq dhe i përkrahur nga shteti serb, ishte akt agresioni ndaj territorit të Kosovës. Prandaj, përpjekja për ta barazuar policinë e shtetit, që mbron ligjin dhe integritetin territorial me regjimin që vrau, përdhunoi e dëboi shqiptarë, është jo vetëm e pavend, por e rrezikshme.
Këto krahasime ngrejnë pikëpyetje të thella për ndikimin që propaganda serbe ka arritur të ushtrojë mbi një pjesë të elitës kosovare. Të thuash se aksionet për zbatimin e ligjit janë “si të Millosheviqit” apo “si të Rankoviqit” është ta përmbysësh të vërtetën historike. Është ta vendosësh viktimën në rolin e agresorit dhe agresorin në rolin e viktimës është një propagandë që i shkon për shtati vetëm Serbisë.
Kur funksionarë të një partie që dikur simbolizonte luftën për liri e pavarësi përdorin fjalë të tilla, ata dëshmojnë degradimin e një klase politike që prej kohësh ka humbur busullën morale. Kjo klasë, e zhytur në korrupsion dhe e frikësuar nga humbja e privilegjeve, nuk mendon më për përgjegjësinë që fjala publike ka ndaj popullit. Por fjala, kur përdoret për të mbrojtur padrejtësinë apo për të zbehur krimin, bëhet armë dhe armët e fjalës vrasin më shumë se plumbat.
Në vend të reflektimit dhe unitetit përballë provokimeve serbe, disa prej përfaqësuesve të politikës sonë po ushqejnë përçarjen dhe po dëmtojnë imazhin e shtetit që përfaqësojnë. Kjo nuk është opozitë, as kritikë demokratike, është skandal e papërgjegjësi.



1. Në “kohën e Rankoviqit në akcionin për grumbullimin e armeve” gjatë dimrit 1955-1956 në burgosur e maltretuar mbi 30 mijë shjqiptarë, kanë vdekë (janë mbytë) 100 shqiptarë…;
2. Në kohën e Millosheviqit janë vra mbi 12 mijë shqiptarë, prej të cilëve mbi 1.200 fëmijë shqiptarë.