Dioqeza Prizren–Prishtinë njofton besimtarët dhe opinionin publik se, vikari ipeshkvor Don Fran Kola, ka njoftuar autoritetet e sigurisë sipas ligjeve në fuqi për zhvillimin e ceremonisë të bekimit të gurthemelit të Kishës së re në Zogaj të Vushtrrisë, ku besimtarët tanë kanë dhuruar tokën dhe kanë kërkuar që aty të ndërtohet një kishë për nevojat e tyre fetare.
Policia e Kosovës ka marr një vendim që nuk do të lejohet të zhvillohet ceremonia e paraparë për nesër, më 18 gusht 2026.
Edhe pas ankesës zyrtare të Don Fran Kolës, Policia nuk e ka anulua vendimin. Ne e konsiderojmë këtë vendim jo kushtetues, jo ligjor, të padrejtë dhe të pajustifikuar, sepse bëhet fjalë për një ngjarje kishtare, fetare dhe paqësore, në pronën e Kishës, për të cilën institucionet ishin njoftuar me kohë.
Duke dashur të shmangim çdo tension dhe që një akt feje të mos bëhet shkak për përplasje me askënd, sot më 17 gusht, në vigjiljen e festës së Shën Florit dhe Laurit, ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, në përcjellje të disa meshtarëve dhe besimtarëve, ka bërë bekimin e gurthemelit në mënyrë të qetë dhe dinjitoze.

Ndërsa ceremonia e Pagëzimit do të kremtohet nesër, më 18 gusht 2026, në orën 11:00, në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.
Mirëkuptojmë zemërimin e gjithë atyre që kanë dashur të jenë pjesë e kësaj ngjarje feje, por dëshirojmë të ju bëjmë të qartë të gjithëve se, zhvendosja e ceremonisë së pagëzimit nuk nënkupton pajtim me vendimin dhe as heqje dorë nga të drejtat tona. Kisha do të vazhdojë, përmes rrugëve institucionale dhe ligjore, të kërkojë respektimin e lirisë fetare, të së drejtës së pronës dhe të ushtrimit paqësor të misionit të saj.
Besojmë se detyra e institucioneve është ta mbrojnë ushtrimin e lirë të të drejtave, jo ta kufizojnë atë për shkak të një rreziku që nuk buron nga aktiviteti ynë fetar.
Prandaj, ftojmë besimtarët dhe gjithë ata që kanë dashur të jenë pjesë, të vijnë nesër në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, në orën 11:00, ku do të zhvillohet ceremonia e pagëzimeve.
Ju ftojmë që, me gëzim dhe hare, të kremtojmë së bashku Pagëzimin, sakramentin që ndërton dhe rrit Kishën e gjallë.
Njëkohësisht, le të dëshmojmë se përgjigjja jonë ndaj padrejtësisë nuk do të jetë kurrë përplasja, por qëndrueshmëria; ndaj urrejtjes nuk do të përgjigjemi me urrejtje, por me dashuri.
Nuk do të heqim dorë nga të drejtat tona, por do t’i ushtrojmë ato me guxim dhe përgjegjësi; do ta dëshmojmë fenë tonë në liri dhe do t’i mbrojmë të drejtat tona me vendosmëri e dinjitet.
Prishtinë, 17 gusht 2026

Don Fatmir Koliqi Zëdhënës i Dioqezës Prizren–Prishtinë


