ARKIVI:
7 Mars 2026

Dialog apo mllef? Mbi diskursin publik të Milazim Krasniqit

Shkrime relevante

Trump: – Irani do të goditet shumë rëndë sot

David Vojislav Krekling, Aftenposten Foto: Jose Luis Magana / AP Presidenti Donald Trump...

E kam përkrahë Vjosën por ajo kujtofti se s’ka shtet pa qenë hija e saj si bajrak mbi çati!

Nga: Çun Lajçi ___ Mall i kotë për një atdhe të lodhun ___ Me vetveten...

I forti dhe i ligu në shoqëri dhe servili në detyrë

Nga Safet Sadiku _____ Në shoqëritë ku administrata shtetërore është e dobët, ku...

Shpërndaj

Prof. Gjon Ballabani
Wallenwil, Zvicër
26.12.2025

DIALOG APO MËLLEF?

(Mbi diskursin publik të Milazim Krasniqit)

“Do të luftojmë kundër
islamofobisë dhe rusofobisë në botë.”
— Sergej Lavrov

Me keqardhje janë përcjellë qëndrimet publike të pedagogut universitar Milazim Krasniqi, të cilat reflektojnë një shqetësim të artikuluar ndaj rikthimit të një pjese të shqiptarëve në identitetin e tyre fetar katolik. Ky qëndrim shprehet kryesisht në raport me Lëvizjen për Rikthim dhe së fundmi u theksua përmes një kumtese të mbajtur në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), ku autori përdori një diskurs të ashpër dhe përjashtues ndaj anëtarëve të Lëvizjes së Deçanit, si dhe ndaj asaj që e quan “ombrella” e OKB-së dhe NATO-s — organizata që ndërhynë kundër forcave ushtarake serbe.

Krasniqi, i cili në dekada të mëhershme ishte paraqitur si zë atdhetar dhe kritik i politikave shtypëse ndaj shqiptarëve, sot relativizon ose mohon qëndrimet e veta të dikurshme, duke vënë në dyshim edhe vlerësimet e tij shkencore të mëparshme. Në kumtesën e fundit mungon çdo referencë ndaj gjenocidit të ushtruar ndaj shqiptarëve nga Serbia dhe nga Perandoria Osmane ndër shekuj — krime që nuk u shoqëruan kurrë me kërkimfalje dhe shpesh u shoqëruan me zhdukjen e gjurmëve fizike të viktimave. Në vend të kësaj, vëmendja përqendrohet pothuajse ekskluzivisht te viktimat e besimtarëve në shkallë globale.

Argumentimi i tij mbështetet në narrativa me origjinë sllavo-ruso-osmane, duke cituar autorë periferikë që referojnë mendime të të tretëve, pa iu nënshtruar këto burime një kritike të rreptë shkencore. Fakti që një autor është evropian nuk e bën automatikisht të saktë interpretimin e tij historik; një qasje e tillë do të ishte e barasvlershme me pranimin e pakritikë të tezave të Dick Marty-t mbi të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”. Si akademik, Krasniqi zgjedh të privilegjojë burime osmane dhe sllave, duke anashkaluar arkivat evropiane.

Leximi i kumtesës krijon përshtypjen e një harmonie diskursive me narrativat politike të Sergej Lavrovit, Dobrica Çosiqit, Ivica Daçiqit dhe Rexhep Taip Erdoganit. Kjo përputhje ideore e bën të pashmangshëm krahasimin me vizionin politik të Dobrica Çosiqit, i cili theksonte se Kosova nuk mund të rikthehej me luftë, por vetëm përmes krijimit të një klime antiamerikane dhe anti-evropiane në mesin e shqiptarëve, deri në zbehjen e identitetit të tyre kombëtar.

Në këtë prizëm, qëndrimet aktuale të Krasniqit paraqiten si një distancim i vetëdijshëm nga shkrimet e tij të mëhershme. Diskursi i tij synon aktivizimin e mekanizmave politikë dhe juridikë në Kosovë për ndjekjen penale të anëtarëve dhe aktivistëve të Lëvizjes për Rikthim, duke evokuar praktika represive të komunizmit serbo-sllav dhe ruso-stalinist, përfshirë persekutimin e klerit katolik — fakte që ai vetë i kishte dokumentuar në punimet e tij të hershme.

Në këtë kontekst shfaqet edhe një nostalgji e hapur për periudhën jugosllave, përfshirë politikat e viteve ’50 dhe rolin e Aleksandar Rankoviqit, i cili synonte zhveshjen e shqiptarëve nga identiteti i tyre kombëtar, duke u mbështetur në tezën se feja islame mund të shërbente si mjet për dobësimin e nacionalizmit shqiptar. Shteti i asaj kohe mbështeti institucionalisht klerin islam, ndërsa kleri katolik u përndoq dhe u burgos.

Kjo qasje bie në kundërshtim me realitetin historik të Perandorisë Osmane, e cila veproi mbi baza fetare dhe hierarkike, duke përdorur mekanizma asimilues, taksa diskriminuese si xhizja, favorizimin e bejlerëve dhe pashallarëve, si dhe frenimin e zhvillimit kulturor e gjuhësor të popujve të pushtuar. Deri më sot, Turqia nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera gjatë kësaj periudhe, ashtu siç Serbia nuk ka kërkuar falje për gjenocidin ndaj shqiptarëve. Në kontrast, Papa Gjon Pali II kërkoi falje për kryqëzatat, duke vendosur një standard moral të rrallë në historinë e institucioneve fetare.

Shembulli i arbëreshëve në Itali, të cilët gëzojnë të drejta të plota fetare dhe kombëtare, dëshmon se bashkëjetesa dhe ruajtja e identitetit janë të mundshme. Kjo ngre pyetjen legjitime pse parimi i reciprocitetit mungon në shtetet prej nga vijnë komunitete të tjera fetare.

Në një tubim publik, profesori Mazllum Baraliu kërkoi dialog fetar, mbrojtje të territorit dhe rregullim ligjor të termit “Kisha Ortodokse Serbe”, për shkak të implikimeve simbolike për sovranitetin e Kosovës. Ky qëndrim nuk u përkrah nga Krasniqi, i cili kishte deklaruar më herët se është “budallallëk” të thuhet se Manastiri i Deçanit është i shqiptarëve.

Siç shprehej Ali Asllani në vitin 1942:
“Hani, pini dhe rrëmbeni,
është koha e çakenjve.”

Në përmbyllje, shqetësimi kryesor mbetet fakti se, në emër të luftës kundër rusofobisë dhe islamofobisë, po hapet rruga për koncesione politike dhe territoriale, përfshirë Mitrovicën Veriore. Kosova rrezikon të shndërrohet në një hapësirë të instrumentalizuar nga interesa të huaja, ndërsa historia vazhdon të injorohet — me pasoja potencialisht të rënda për të ardhmen.

O Zot, ndriçoje mendjen dhe ndërgjegjen tonë, që ta duam njëri-tjetrin pa dallim feje dhe ta mbrojmë vendin nga interesat personale.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu