ARKIVI:
6 Mars 2026

“Dosje” e Sigurimit – edhe për Jusuf Gërvallën !

Shkrime relevante

Rugovishtja mes ruajtjes dhe asimilimit gjuhësor

MSc. Adem Lushaj, Deçan (Vështrim rreth librit, Ndryshimi i varietetit gjuhësor (Rasti...

Donna Dafi vjen me superhitin provokues për fuqizimin e grave “Touch Me Like That”

Shtutgart, 7 mars 2026 Skena ndërkombëtare e muzikës pop-dance po tronditet nga...

Kur ideologjia fetare bëhet filtër i arsyes

Basri Beka, Prishtinë Debati me mikun tonë X është një shembull klasik...

Kur pushteti gabon dhe opozita dështon: Kosova peng i ambicieve politike

Luan Dibrani, Gjermani Në politikën e Kosovës po përsëritet një gabim i...

Shpërndaj

____
“DOSJE” E SIGURIMIT – EDHE PËR JUSUF GËRVALLËN
____
Rëndom, shërbimet sekrete shtetërore krijohen për të mbledhur informacione mbi armiqtë e rendit dhe të shtetit. Dosjet, në parim, hapen për persona që dyshohen për veprimtari armiqësore. Nuk kam informacion nëse në Shqipëri ka ekzistuar ndonjë ligj apo rregullore e posaçme për SIGURIMIN (emërtimi zyrtar: Drejtoria e Sigurimit të Shtetit), që përcaktonte qartë kriteret e hapjes së dosjeve. Por rasti i Jusuf Gërvallës ngre pikëpyetje serioze.
Nga disa “dokumente” të kësaj “dosjeje”, të cilat m’i dha një studiues, rezulton një përmbledhje shënimesh turlifare, më tepër në stilin e muhabetit të bjerrakohësve në kafehane sesa të një organi profesional sigurimi. Kjo bie në kundërshtim me bindjen time të mëparshme se këto materiale formuloheshin nga kuadro profesioniste, në konsultim me funksionarë të lartë të Sigurimit, të PPSH-së e të shtetit — nga krye-sigurimsi “kosovar” Ajet Haxhia e deri te diktatori Enver Hoxha.
Po sjell si shembull faksimilin (edhe të transkriptuar) të fletëve nr. 24–25, të titulluara “informacion”, me shënimin “sekret”, të datës 15 tetor 1980. Mjafton leximi i tyre që secili i interesuar të krijojë vetë bindjen për nivelin e këtij pseudo-informacioni.
Dokumenti nis me një informatë që pretendohet të jetë dhënë nga gazetari Bajram Kabashi, ish-koleg i Jusufit në “Rilindja”, gjatë një vizite në konsullatën shqiptare në Stamboll. Informata fillon me formulimin “Flitet se…”. Një raportim që mbështetet në “flitet se” nuk mund të përmbajë seriozitet profesional. Mungon data e takimit, mungon konteksti, mungon verifikimi. Duke e njohur profesionalizmin e Bajramit, është e vështirë të besohet se ai do të jepte një informatë në atë formë.
Edhe informuesi i dytë, Hasan Morina, paraqitet me të njëjtin model: hamendësime të bazuara në thashetheme.
“Informimi” i tretë, i kompiluar në ambasadën shqiptare në Paris, e thellon konfuzionin. Informatorit i fshihet identiteti dhe raportimi vjen përmes një bisede telefonike. Thuhet se Jusufi ka shprehur dëshirën për t’u strehuar e për të jetuar përgjithmonë në Shqipëri, nëse pranohej nga qeveria shqiptare. Edhe këtu kemi të bëjmë me transmetim indirekt, pa verifikim, pa dokumentim të drejtpërdrejtë.
Kulmi arrihet me (dez)informimin e katërt, nga Riza Salihu, i cili përmes telefonit me ambasadën në Vjenë shpif se “Jusuf Gërvalla është agjent i UDB-së”. Ironia tragjike është se vetë Riza Salihu më vonë dyshohet nga hetuesia gjermane si vrasës potencial i Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës (17 janar 1982). Diplomatët në Vjenë e njihnin mirë veprimtarinë e Jusufit dhe relacionet e tij me Rizain që nga fundi i vitit 1979. Atëherë pse një telefonatë e tillë u përcoll pa filtër në Tiranë?
Edhe më shqetësuese është fakti që ky material, i datës 15 tetor 1980 — dhjetë muaj pas arratisjes së Jusufit — kaloi nëpër duart e Ajet Haxhisë, figurë me peshë në hierarkinë e Sigurimit, i atashuar edhe pranë Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike, me qasje të drejtpërdrejtë te Enver Hoxha.
Ajet Haxhia ishte nikoqiri i Sabri Novosellës pas “arratisjes” së tij të simuluar në dhjetor 1979 — një operacion i organizuar nga krye-UDB-ashi Ibush Kllokoqi. Vetë Sabriu e ka lavdëruar Ajetin për mirëpritjen dy-mujore në Shqipëri dhe për koordinimin e transferimit të tij në Turqi. Është e arsyeshme të supozohet se Ajeti ishte i informuar për rrethin politik ku vepronte Jusuf Gërvalla (si kuadër i LNÇKVSHJ që e “udhëhiqte” Sabri Novosella) — ndoshta edhe për komplotin e mesnatës 14/15 dhjetor 1979, për të cilin Jusufi rrëfen në mënyrë tronditëse në letrën e 14 prillit 1981, dërguar Sabriut në Turqi.
PSE, atëherë, Ajet Haxhia nuk ndërhyri për të mos lejuar përfshirjen në dosje të këtyre broçkullave diskredituese?
(Dez)informuesi i pestë e zhvendos Jusufin në Belgjikë – një gënjeshtër e trash. Jusufi nuk ka qenë asnjëherë në Belgjikë. Procedura e azilit në Gjermani i zgjati deri në dhjetor 1981, kur iu lëshua dokumenti i udhëtimit (Reisedokument).
Edhe “kandidati 361”, i paraqitur si mik i afërt, bie në kundërshti faktike, duke pretenduar kërkesë azili të Jusufit në Belgjikë — gjë që nuk ka ndodhur kurrë.
Në përfundim, kjo “dosje” nuk dëshmon për profesionalizëm, por për një përzierje thashethemesh, transmetimesh të pakonfirmuara dhe shpifjesh. Ajo ngre një pyetje të rëndë: a ishte Sigurimi viktimë e dezinformatave, apo në majat e tij vepronin elementë që, me dashje apo padije, riprodhonin metoda më harbute se vetë UDB-ja në Jugosllavi?
Ky dokumentim, larg se të hedhë dritë, ofron mjegull. Dhe kjo mjegull, për një institucion që pretendonte të ishte syri vigjilent i shtetit, është aktakuzë më vete.
***
Në vazhdim transkripti i “informacionit”, të datës 15 tetor 1980, nga “dosja” e Sigurimit – për Jusuf Gërvallën:
[Fleta nr. 24-25]
SEKRET
Date 15.10.1980
INFORMACION
Nga te dhenat e grumbulluara per Jusuf Gervllen rezulton:
1. Bajram Kabashi nga Istogu, i cili eshte paraqitur ne perfaqesine tone ne Stamboll ka thene: “Flitet se shume nga ata qe kane [qene] ne liste per t’u arrestuar jane arratisur jashte shtetit. Une di te quajturin Jusuf Gervalla, shkrimtar, i cili ka ikur ne Gjermani. Jusufi me sa di une, eshte informuar se do te arrestohej pasi shkruante poezi e vjeresha, qe nuk u pelqente jugosllaveve”.
2. Hasan Morina nga Prishtina, paraqitur ne Stamboll ka thene: “Nga ata qe kane qene ne liste per t’u arrestuar eshte dhe Jusuf Gervalla, shkrimtar. Ai eshte arratisur ne Gjermani, por per kete ka dyshime sepse diten qe i kane bere kontrolle ne shtepi dhe ne qendren e punes UDB-a, po ate dite me tren Jusufi iku ne Gjermani, pasi atje ka vellan apo kusheririn dipllomat ne konsullaten jugosllave. Arratisja e tij flitet se duhet te jete e kurdisur nga UDB-a.”
3. Rezidentura e Parisit njofton se (shënim me dorë) “. Para dy muajsh nga Kosova eshte arratisur kosovari Jusuf Gervalla, personalitet ne rrethet kosovare. Jusufi ne Kosove ka bere propogande kunder regjimit titist dhe se UBD-a donte ta arrestonte. I vellai i Jusufit eshte arrestuar ndersa vete Jusufi eshte arratisur dhe sot ndodhet ne Gjermanine Perendimore bashke me familjen e tij”. I njejti b.p. me telefon njofton gjithashtu se: “Jusuf Gervalla qe eshte arratisur kohet e fundit nga Jugosllavia eshte shprehur se “kam deshire te shkoj ne Shqiperi per te punuar e banuar përgjithmonë, nese qeveria shqiptare me pranon”.
4. Kosovari Riza Saliu ka marre ne telefon ne ambasaden tone ne Vjene per te njoftuar se “Jusuf Gervalla eshte agjent i UDB-es. Te dhenat e tij mbi gjendjen ne Kosove nuk jane te verteta. Ai porositi qe ne takimet e ardhshme me te ne Gjermani te mos delet, sepse kunder shokeve tane mund te arganizohet ndonje provokacion”.
5. Beogradi nga nje vizitor ka mesuar: “Jusuf Gervalla ish-gazetar i “Rilindjes” tani eshte ne Belgjike. Jane hapur fjale se ai bashkepunon me forcat armike kunder Jugosilavise, si me zogistet etj., por kjo nuk eshte e vertete, ai eshte njeri pozitiv dhe u largua nga Kosova per arsye se e ndiqte UDB-a”.
6. Kandidati “361”, informon: “Jam shok i ngushte i Jusuf Gervalles, me te kam biseduar gjere e gjate. Ai ka shkeuar me makine shkrimi, shtypte trakte, etj. Po ashtu ka patur edhe materiale te ndryshme dhe vepra te shokut Enver. Ne kemi bere gjithe përpjekjet, qe gruaja dhe femijet e tij te niseshin ne Gjermani. Ata i nisem per ne Shkup dhe prej andej per ne Gjermani. Jusufi ka marre strehim politik ne Belgjike sepse gjermanet nuk bejne veprime te tilla. Tani ai banon ne Gjermani, ku ka edhe nje vëlla te tij ne pune. Kandidati ka edhe numurin e telefonit te tij dhe ka biseduar me te nga Sllovenia ne emer tjeter, do te bisedoje edhe me vone. Qe kur ka ikur Jusufi, njerzit komentojne ne menyra te ndryshme, disa thone se ky eshte patriot i vertete, kete mendim tha ai kam edhe une, kurse nje pjese thone qe ka qene i lidhur me UDB-en, sepse po te mos ishte kështu, jo kaq lehte Jusufi u kishte ikur nga arrestimi, po ashtu edhe gruaja dhe femijet e tij. Nje dyshim tjeter eshte edhe fakti qe edhe tani ai po jeton i qete ne Gj ermani.”
[Shënim (me shkrim dore): Këto të dhëna u shtypën, informacion i rregullt marrë shokut Ajet Haxhia.]
Pershëndetje…, Ibrahim Kelmendi,
____

Kjo është e vërtetë…. Në përfaqësinë diplomatike të Republikës së Shqipërisë në Stamboll isha kah tetori i vitit 1980. Atje isha me kusherinin tim Ramë Hysen Kabashi, që në atë kohë mirrej me shitblerje mallërash nga Turqia.

Gjatë atyre ditëve sa isha atje, kam ndejt tek nipi im Rexhep Çetinaj që atje ishte se “ kishte qenë i detyruar të shpërngulej prej tokës së shkaut” në Lubozhdë të Istogut.

Në shtëpinë e tij pushteti i kohës e kishte vendosë një familje emigrantësh nga Shqipëria. Në konsullatën e Stambollit isha sa më kujtohet me Idriz Pepajn, apo me një të afërm të Rexhep Çetinajt, nëse pas pothuaj 46 vitesh s’më ka lënë kujtesa…!

Rexhep Çetinaj, tashmë i ndjerë, ishte kategorik që të mos shkoja në konullatën e Republikës së Turqisë, që në fund kur e pa se do të shkoja, më tha: “A kaq i ri, dajë, je ba marak me hy në dorën e UDB-ës!”

Këtë vërejtje të tij, këtë klithmë mospajtuese të një njeriu të familjes, nuk kam me e harruar kurrë…!

Isha i ri atëhere, pak vite sa i kisha mbushë 20 vjet të jetës.

Pak më vonë prej 1 dhjetorit 1982 ia kam nisë punës në gazetën Rilindja, në fillim si gazetar praktikant.

Kjo “dosje” është sajuar në mënyrë bukur analfabete në shumë aspekte, sidomos në kuptimin e sajimit të saj.

Po të mos më kishte pyet personi i caktuar në atë konsullatë, une nuk do të kisha me folë fare për Jusuf Gërvallen, poezitë dhe veprën letrare të të cilit i kam lexuar me qef të madh, por që se kam takuar kurrë në jetë.

Prandaj, duke dashur t’i shmangesha përgjigjes pak më të plotë rreth Jusuf Gërvallës, që qysh në atë moshë ishte simbol i nacionalizmit modern shqiptar, për te thoja se “flitet se…”.

Kjo nuk është përgjigje profesionale e as kulturore, por të përgjigjesha më sakt, do të ndeshesha me pasojat e mundshme…!

Në vitin 1983 , pasi e vranë Jusufin në janar të atij viti, patën shkruar në gazetë për Jusuf Gërvallën si një “nacionalist e irredentist shqiptar” , që kishte qenë gazetar i saj nga Rubrika e Kulturës para se te arratisej nga Kosova .

Besoj që edhe ata që shkruanin ashtu për te…, rrenin dhe shtireshin…!

Nuk besoj kurrë që pjesa me e madhe e atij kolektivi se ka dashur dhe adhuruar këngëtarin dhe poetin e madhe lirik Jusuf Gërvallën.

Në atë konsullatë më patën pyet edhe për “shfrytëzimin ekonomik të Kosovës”, që nderlidhej me vizitën e Veselin Gjuranoviq, që atëhere kishte ardh për vizitë “në krahinë”, e që ishte kryetar i Kryesisë së RSFJ.

Atje kisha shkuar më së shumëti që të merrja libra për kulturen dhe historinë shqiptare, e ata më ngarkuen pa më pyetur edhe me vepra ideologjike që e lartësonin Enver Hoxhën e Shqipërinë , si dhe sistemin e saj socialist, që “…që lëshonte rreze buzë Adriatikut” .

Pas vitit 1990 kur isha në Shqipëri si reporter i gazetës Rilindja, e pashë mirë dhe shumë qartë rrëzimin ekonomik të Shqipërisë, aqsa ta merrte mendja se në vend ishte zbrazë mjerimi i botës!

Ishte një pamje që s’ke dëshirë për me e pa, ankime që s’ke dëshirë me i ndëgjue…, se jo vetëm që zhgënjeheshe por edhe e mallkon vetën për librat e realizmit socialist që i ke lexuar, ku Shqipëria paraqitej “muskuloze” dhe “fanar i njerëzimit…!”.

Për fat të mirë ato libra arrita t’i sillja në shtëpi pa pasoja për mua e Ramën, kusheririn tim, por e pava “që s’ka gjë prej asaj pune”, pos nëse isha bërë “merak” që të shkoje në burg.

Ato libra ndërkohë i pata groposë nën dhe në oborrin e shtëpisë dhe i pata nxjerrë prej dheut kur nuk dënoheshe më për propagandë “armiqësore”, qysh thuhej në atë kohë .

Ajo shkuarje në Stamboll asaj kohe, më ka kushtue bukur shumë ne jetë në gazetën Rilindja, se “UDB-a jonë” , me gjasë, ishte informuar prej dikujt për shkuarjen time aty.

Thjeshtë, kjo shkarravinë në formë “dosjeje” nuk më intereson fare.

Sidoqoftë, Ibrahim Kelmendi të falemnderoj që më pate njoftuat për të para gjashtë muajsh dhe kete e kam futë si pjesë të librit “Intervistë me vetveten”, ku të përmendi edhe ty.

Librin ta kam dërgue nga Prishtina.

Përndryshe, mua shumë më shumë më intereson se kush na shkruante “letra” dhe pse na shkruanin nga 17 nëntori 2000 mua e shkrimtarit Shefqet Dibrani , letërkëmbim provokativ që përfundoj ndaj meje me 23 nëntori 2000.

Me Shefqetin provokimi prej e-mailit në emrin e Bujar Bukoshit ka vazhdue…!

_____

Një sqarim për Ibrahim Kelmendin,

Komentin tënd e lexova me vëmendje të madhe dhe nuk e kuptoj se përse u dashka të përzihem aty ku s’më takon.

E dija pak se poeti e këngëtari Jusuf Gërvalla nuk është ndjekur “për shkak të letërsisë”, por për aktivitetin e tij atdhetar. 

Ibrahim Kelmendi, citon dhe komenton në këtë mënyrë: 

Po sjell si shembull faksimilin (edhe të transkriptuar) të fletëve nr. 24–25, të titulluara “informacion”, me shënimin “sekret”, të datës 15 tetor 1980. Mjafton leximi i tyre që secili i interesuar të krijojë vetë bindjen për nivelin e këtij pseudo-informacioni.
Dokumenti nis me një informatë që pretendohet të jetë dhënë nga gazetari Bajram Kabashi, ish-koleg i Jusufit në “Rilindja”, gjatë një vizite në konsullatën shqiptare në Stamboll. Informata fillon me formulimin “Flitet se…”. Një raportim që mbështetet në “flitet se” nuk mund të përmbajë seriozitet profesional. Mungon data e takimit, mungon konteksti, mungon verifikimi. Duke e njohur profesionalizmin e Bajramit, është e vështirë të besohet se ai do të jepte një informatë në atë formë.
Ibrahim, une nuk kam dhënë kurrfar informate aty…! Përndryshe, ajo përgjigje është dhënë prej meje , pa pretendimin se po jep ndonjë informatë. Une nuk kam qenë koleg i Jusuf Gërvallës në atë kohë e as më vonë, megjithëse isha lexues i veprës së tij. Atë nuk e kam takuar kurrë në jetë.  Pra, mos dysho fare, por dije se une kam folur ashtu vetëm pasi jam pyetur prej tyre, jo që kam dashur të flisja fare për Jusuf Gërvallën, se në vitin 1980 nuk isha gazetar…! 
Gazetar i gazetës “Rilindja” (si praktikant), qesh pranuar nga 1 dhjetori 1982.
Pra, Ibrahim, vetëm pasi u pyeta me ngulm prej tyre, kam thënë “flitet se…”. Nuk është kjo punë profesionalizmi a joprofesionalizmi, se nuk kam pasur dijeni se ka qenë ashtu apo kështu. Edhe po të isha i informuar saktësisht, do t’i ikja përgjigjegj së vërtetë, se nuk kam pasur asnjë nevojë të përgjigjesha “si patriot enverist”, se nuk kam qenë enverist , qysh kishte mjaft të tillë në Kosovën e asaj kohe .
Aty isha për t’i marrë disa libra, e jo për ta “informuar” këdoqoftë për këtë a atë person.
Pra, beso e mos dysho fare se pikërisht une e kam dhënë atë “informacion”, por si jogazetar.
Përndryshe , Ibrahim Kelmendi, le të angazhohet kushdo që t’i verifikoj këto që i paskam thënë, e që ti vërehet se dyshon kur thua, se, “Duke e njohur profesionalizmin e Bajramit, është e vështirë të besohet se ai do të jepte një informatë në atë formë.”
Po, une kam folur ashtu…, dhe kjo për mua se ka asnjë kuptim se nuk e quaj fare “informatë”, përpos që e shpalon paranojen dhe histerinë tonë “kolektive” të dikurshme për tjetrin, paranojë enveriste apo si të duam ta quajmë…!

 

***

Prandaj, i dashuri Ibrahim Kelmendi, të them se këto “të dhëna” që qenkan pjesë e një dosjeje enveriste për Jusuf Gërvallën, për mua se kan asnjë kuptim, se nuk dëshmojnë asgjë.

Ibrahim Kelmendi: 
Nga te dhenat e grumbulluara per Jusuf Gervllen rezulton:
1. Bajram Kabashi nga Istogu, i cili eshte paraqitur ne perfaqesine tone ne Stamboll ka thene: “Flitet se shume nga ata qe kane [qene] ne liste per t’u arrestuar jane arratisur jashte shtetit. Une di te quajturin Jusuf Gervalla, shkrimtar, i cili ka ikur ne Gjermani. Jusufi me sa di une, eshte informuar se do te arrestohej pasi shkruante poezi e vjeresha, qe nuk u pelqente jugosllaveve”.

Bajram Kabashi, më 12 shkurt 2026, Norvegji

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu