Kërkesa për dënim “në pako” ndaj katër të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara të Kosovës përbën një devijim serioz nga parimet themelore të drejtësisë penale moderne. Një qasje e tillë nuk është vetëm e pakuptimtë juridikisht, por rrezikon të shndërrojë procesin gjyqësor nga akt drejtësie në akt simbolik ndëshkimi.
E drejta penale, qoftë ajo kombëtare apo ndërkombëtare, ndërtohet mbi një parim të panegociueshëm: përgjegjësia është individuale. Akuza duhet të provojë për secilin të pandehur, veç e veç, veprimin konkret, rolin specifik, dijen, qëllimin dhe lidhjen shkakësore me veprën penale të pretenduar. Çdo tentativë për t’i vendosur katër persona në të njëjtën anë të peshorës së drejtësisë dhe për të kërkuar një shumëzim mekanik dënimesh (4 × 45 vjet) bie ndesh me logjikën juridike dhe me vetë nocionin e fajit penal.
Problemi bëhet edhe më i thellë kur merret parasysh fakti se të akuzuarit nuk ishin njësi ekzekutimi. Nuk kemi të bëjmë me një formacion operacional që ka kryer drejtpërdrejt vrasje, me prova të qarta për ekzekutim, koordinim dhe urdhra të drejtpërdrejtë. Në mungesë të provave për kontroll efektiv, zinxhir komande të dokumentuar dhe përfshirje konkrete në veprime kriminale, përgjegjësia kolektive mbetet një konstrukt narrativ, jo juridik.
Historia e drejtësisë penale ndërkombëtare tregon qartë se edhe në rastet më të rënda – krime lufte apo krime kundër njerëzimit – gjykatat kanë qenë të detyruara të individualizojnë fajin. Dënimi nuk është produkt i numrit të të akuzuarve, por i peshës së provuar të veprimit personal. Kur ky standard braktiset, gjykata rrezikon të rrëshqasë drejt një modeli që i ngjan më shumë drejtësisë kolektive të sistemeve autoritare sesa drejtësisë liberale mbi të cilën pretendon të mbështetet.
Një qasje e tillë është e rrezikshme edhe politikisht. Ajo ushqen perceptimin se procesi nuk synon zbardhjen e së vërtetës, por prodhimin e një rezultati të paracaktuar, të përshtatshëm për narrativë, jo për drejtësi. Në vend që të forcojë besimin në gjykim, ajo e gërryen atë, duke e larguar publikun nga ideja se drejtësia ndërkombëtare është e paanshme dhe e bazuar në prova.



