
___
SYTË E HISTORISË DHE TË GJITHË POPULLIT JANË DREJTUAR TE JU.
(Letra e dytë publike drejtuar kolegjit të Gjykatës Kushtetuese)
Të nderuar kolegë,
E lexova njoftimin tuaj se e keni pranuar një ankesë nga “Lista Serbe” në lidhje me çështje procedurale që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjes së dy nënkryetarëve të Kuvendit të garantuar për komunitetet jo shumicë.
Ndër të tjera, pretendimi i këtyre deputetëve është që procesi i konstituimit të Kuvendit nuk ka përfunduar, rrjedhimisht, sipas tyre, nuk mund të përfundojë pa zgjedhjen e të të gjithë nënkryetarëve të Kuvendit, gjegjësisht të të gjithë anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit.
Konsideroj që gjatë shqyrtimit tuaj nuk duhet të anashkaloni faktet si vijon:
1. Siç e ka thënë edhe Gjykata Kushtetuese, seanca konstituive është një akt solemn i Kuvendit. Ky akt nuk ka, nuk mund dhe nuk guxon të ketë epërsi mbi misionin kushtetues të Kuvendit, si institucioni më i lartë në Republikën tonë. Pra, akti i konstituimit të Kuvendit nuk mund dhe nuk guxon të kthehet në një mekanizëm që ia pamundëson Kuvendit kryerjen e funksionit kushtetues, një funksion më vitali për shtetin.
2. Kuvendi i Kosovës janë vetëm 120 deputetët e zgjedhur. Kuvendi i Kosovës nuk janë organet e Kuvendit, përfshirë edhe Kryesinë e Kuvendit.
3. Pika 6 e nenit 67 të kushtetutës e thotë qartë që Kryesia e Kuvendit ka funksion vetëm administrativ. Kryesia e Kuvendit nuk ka funksion dhe as detyra kushtetuese legjislative e politike dhe, në asnjë moment, nuk e zëvendëson Kuvendin dhe as nuk qëndron mbi Kuvendin.
Edhe pse është organi kryesor administrativ i Kuvendit, megjithatë është vetëm organ administrativ dhe si i tillë Kryesia e Kuvendit nuk mund ta pengojë dhe as ta bllokojë misionin dhe përgjegjësitë kushtetuese të Kuvendit.
4. Kushtetuta ekziston që shteti të funksionojë dhe jo ta bllokojë funksionimin e tij. Pas zgjedhjes së Kryetarit, si institucion në vete që Kushtetuta e ka veshur me autoritet dhe detyra e përgjegjësi të veçanta, Kryesia konsiderohet si funksionale pas zgjedhjes së mjaftueshëm anëtarëve të Kryesisë që e mundëson kuorumin e përcaktuar me ligj.
5. Nuk e përjashtoj mundësinë që gjatë zgjedhjes së dy nënkryetarëve të fundit edhe mund të kenë ndodhur gabime. Nuk e përjashtoj as mundësinë që Gjykata ta vlerësojë që duhet përsëritur votimi për dy nënkryetarët e fundit, por ajo që nuk guxon të ndodhë është që Gjykata të konstatojë që Kuvendi vërtet nuk mund të konsiderohet i konstituar pa zgjedhjen e këtyre dy nënkryetarëve.
Siç e kam thënë edhe në letrën e parë, 20 vendet e garantuara në Kuvend dhe dy vendet e rezervuara në Kryesi, komuniteteve jo shumicë nuk u japin të drejtë dhe as fuqi që ta pamundësojnë konstituimin dhe rrjedhimisht edhe funksionimin e institucioneve të Kosovës. Këtë gjë nuk ka guxuar ta propozojë as Presidenti Ahtisari. Nëse Gjykata e njeh këtë fuqi bllokuese atëherë kjo gjë nuk do të ishte asgjë tjetër pos një akt tradhtie që historia nuk do ta falë kurrë.
6. Në rastin që Gjykata gjen gabime procedurale në procesin e zgjedhjes së nënkryetarëve, Gjykata duhet që fillimisht ta konstatojë që kushtet formale për ta konsideruar Kuvendin të konstituar përmbushen që në momentin kur zgjidhet Kryetari dhe tre nënkryetarët e parë, sepse kjo e mundëson kuorumin e përcaktuar me ligj për funksionim të Kryesisë.
Pastaj, si pikë të dytë, Gjykata konstaton gabimet e mundshme procedurale dhe urdhëron që, deri në kompletimin e plotë të Kryesisë, në rendin e ditës të çdo seance plenare Kuvendi ta ketë si pikë të veçantë plotësimin e vendeve vakante në Kryesi.
7. Gjykata Kushtetuese duhet t’ua përkujtojë të gjitha palëve dhe institucioneve që interpretimi i Kushtetutës është detyrë dhe përgjegjësi ekskluzive vetëm e Gjykatës Kushtetuese. Në veprimet e tyre si deputetë, apo edhe si Kryetar dhe nënkryetarë Kuvendi apo çfarëdo tjetër, të zgjedhurit e popullit nuk guxojnë të refuzojnë ushtrimin e detyrave të tyre kushtetuese. Ata kanë për detyrë të marrin vendime, të votojnë PËR, KUNDËR ose ABSTENIM, ndërkaq vlerësimin e kushtetutshmërisë të këtyre vendimeve e bën Gjykata. Refuzimi për të ushtruar misionin kushtetues është akt rebelimi dhe është e papranueshme.
8. Logjika absurde ku të zgjedhurit e popullit nuk guxojnë të marrin vendime, sepse atje dikush ka mjaftueshëm kohë të lirë që të luajë rolin e Gjykatës Kushtetuese, duhet të përfundojë njëherë e përgjithmonë.
Me dashamirësinë dhe besim të madh në patriotizmin tuaj, ju përshëndes
sinqerisht,
Kadri Kryeziu
Ish zëvendës kryetar i parë i Gjykatës Kushtetuese.
***
Njësoj, si atëhere, si Sot…!
Po njësoj si me 23 mars 1989 kur Kurtesh Saliu me shokë thoshte që nuk do të humbim asgjë, por vetëm Serbia do të bëhet e barabartë me republikat tjera, edhe tani naivët janë vërsulur duke thënë që kjo gjë është e parëndësishme, se serbëve u takon kjo gjë dhe që ne nuk do të humbim asgjë prej kësaj pune.
Nuk kemi shkruar ne kushtetutë ku serbët janë ortaku i madh në shtet, ku serbët kanë super deputetë pa praninë e të cilëve nuk ka kuptim prania e 100 deputetëve shqiptarë.
Ne hartuesit e kushtetutës jemi gjallë, nuk kemi vdekur, nuk munden këta 7 gjykatës ta dinë më mirë çka kemi shkru ne në Kushtetutë, sepse interpretimin autentik e bëjmë ne hartuesit dhe jo ata.
Atyre ju them, keni kujdes, mblidhne mendjen, vëjani gishtin kokës sepse nuk do ju lejojmë ta thyeni shtyllën kurrizore të këtij shteti.
Nuk është Gjykata Kushtetuese përmbi Kosovën.
Mos nxitni revoltë popullore sepse nuk do të gjeni vrimë për t’u fshehur.
Mos harroni që jam po i njejti që me 11 mars 1981, në ditën kur Jugosllavia ishte superfuqi, e kam lëshu kushtrimin “Kushtetutë Republikë o me hatër o me luftë”. Mos harroni që ky kushtrim e ka nis procesin e shembjes së Jugosllavisë.
Jam po i njejti dhe, kur është fjala për çështje me interes kritik e vital për atdheun, nuk flas pa i menduar e analizuar gjërat një milion herë dhe pa qenë i bindur se gjallë a vdekur çështjes do t’i shkoj deri në fund.
E përfaqësoj vetëm veten time, por nuk jam vetëm.
Kam miq e bashkëpunëtorë edhe përtej oqeanit, njerëz me shumë ndikim e që duan popullin tonë pikërisht për shkak të sakrificës tonë për liri e pavarësi. Përreth vetes kam djemtë dhe vajzat më të mira të këtij populli, mendjet më të ndritura dhe zemrat më të guximshme që nuk ngurrojnë të sakrifikohen për atdhe.
Nuk po bajmë hajgare…


