
Agim Vuniqi, Vashington
____
Në Kosovë flasim shpesh për energjinë: për tranzicionin e gjelbër, për importin, për çmimin e rrymës dhe për krizën që “po vjen”. Por rrallëherë flasim për faktin bazë që i lidh të gjitha këto: sistemi prodhues i energjisë elektrike është i vjetër dhe i lodhur, dhe kjo është arsyeja kryesore e pasigurisë sonë energjetike.
Termocentralet kryesore të Kosovës janë ndërtuar mes viteve 1962 dhe 1984. Kjo do të thotë se sot ato kanë 40 deri në mbi 60 vjet moshë. Në inxhinieri, kjo nuk është thjesht statistikë historike. Është kufiri përtej të cilit çdo sistem hyn në zonë rreziku.
Jetëgjatësia e projektuar e termocentraleve me linjit është 30–40 vjet. Ne i kemi kaluar këto kufij prej kohësh. Sot, sistemi energjetik i Kosovës nuk është në kolaps, por funksionon vazhdimisht nën stres teknik, me rezerva minimale dhe me rrezik të shtuar për ndërprerje të paplanifikuara, sidomos gjatë pikut të konsumit.
Problemi nuk ndalet këtu. Sa më i vjetër sistemi, aq më e shtrenjtë bëhet mirëmbajtja. Në dekadat e para, termocentralet mirëmbahen në mënyrë preventive. Sot, ato riparohen në emergjencë. Çdo defekt kërkon ndërhyrje të shpejtë, shpesh të improvizuar, me kosto të larta dhe me humbje prodhimi. Në shumë raste, kostoja për ta mbajtur njësinë në punë afrohet me vlerën e energjisë që ajo prodhon.
Kjo është arsyeja pse importi i energjisë shpesh del më i lirë sesa prodhimi vendor. Jo sepse importi është zgjidhje e mirë, por sepse prodhimi ynë po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë për shkak të vjetërsisë.
Një tjetër fakt i padiskutueshëm është efikasiteti i ulët. Termocentralet moderne arrijnë efikasitet termik 38–42%. Termocentralet e Kosovës operojnë rreth 28–32%. Kjo do të thotë më shumë linjit për të njëjtën sasi energjie, më shumë humbje, më shumë ndotje dhe më pak prodhim real nga i njëjti kapacitet i instaluar. Me fjalë të thjeshta: motori punon, por harxhon shumë dhe jep pak.
Ndërkohë, konsumi i energjisë elektrike ka kaluar 6,200 GWh në vit dhe nuk po bie. Burimet e reja nga era, uji dhe dielli janë të mirëseardhura dhe të domosdoshme për të ardhmen, por sot ato mbulojnë vetëm një pjesë të konsumit dhe nuk mund të sigurojnë energji bazë të qëndrueshme. Pa një shtyllë prodhimi të fortë, ato nuk mund ta mbajnë sistemin në këmbë.
Çfarë do të thotë kjo për qytetarin? Shumë thjesht: rryma do të kushtojë më shumë; importi do të rritet; sistemi do të jetë më i ndjeshëm ndaj krizave; çdo defekt i madh mund të shndërrohet në problem serioz kombëtar.
Kjo nuk është alarmizëm. Është lexim i ftohtë i fakteve teknike.
Energjia nuk është çështje ideologjike dhe as betejë sloganish. Ajo është çështje inxhinierike, ekonomike dhe e sigurisë kombëtare. Kosova nuk është ende në errësirë energjetike, por është në një pikë vendimmarrjeje. Pa zëvendësim ose rehabilitim serioz të kapaciteteve bazë, pa planifikim realist të tranzicionit energjetik dhe pa vendime të bazuara në fakte, sistemi do të vazhdojë të funksionojë – por me kosto më të lartë, rrezik më të madh dhe varësi më të thellë nga të tjerët. Koha për vendime serioze nuk është nesër, është tani.



Prandaj duhet ndertuar kapacitete te reja. E cka beri qeveria e Albinit, per pesë vite nuk ndertoi gje. Jo vetem qe nuk ndertoi, por edhe ato projekte qe ishin planifikuar ky i hoqi nga plani.