
Nga: Nafi Çegrani
Figura dhe enigma (1)
Ismail Kadare, shkrimtari më i madh shqiptar i shekullit XX, siç e njohim , është një figurë që ngjall njëkohësisht adhurim dhe polemikë. Sepse ka nga ata të cilët e quanin si njeri zemërngusht dhe cinik…
…Letërsia e tij, e përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe e vlerësuar sidomos në Francë, e kan bërë personalitet të kulturës shqiptare në Ballkan dhe më gjërër. Por, paralelisht, mbi të kanë rënduar gjithnjë “enigmat”: lidhjet me Moskën, marrëdhënia e tij me Enver Hoxhën, si dhe dosjet e Sigurimit të Shtetit. A është Kadare një shkrimtar i mbrojtur nga pushteti, një figurë e kaluar nëpër filtrat e KGB-së, apo një artist që shpëtoi me anë të alegorisë, dhe që ende mbeten të paqarta sa duhet?
Këto pyetje nuk i takojnë vetëm biografisë së një autori, por na çojnë në një debat më të gjerë mbi fatin e intelektualit në sistemet totalitare dhe mbi mënyrën se si shërbimet sekrete manipulojnë kujtesën historike.
Në vitin 1958, Kadare niset për studime në Bashkimin Sovjetik. Ai regjistrohet në Institutin e Letërsisë “Maksim Gorki”, ku formoheshin autorë nga vende të ndryshme të botës në frymën e realizmit socialist. Ky ishte një institucion elitë letrar, jo akademi ushtarake, por gjithsesi një hapësirë e kontrolluar fort nga ideologjia.
Studentët e huaj në Moskë nuk ishin thjesht “nxënës”; ata ishin subjekte të mbikëqyrjes sistematike nga agjentura Sovjetike e kohës. Aparati i Komsomolit, organizatat e Partisë dhe vetë shërbimet e sigurisë i kalonin në filtra të vazhdueshëm, duke u përpjekur të formonin lojalitetin e tyre ideologjik. Në këtë kuptim, mund të thuhet se Kadare, si gjithë të tjerët, ka kaluar përmes një “prove” politike të detyrueshme.
Teza: Çdo student i huaj në Moskë i nënshtrohej survejimit të KGB-së dhe seleksionimit ideologjik. Është fakt i pamohueshëm.
Kundërteza: Nuk ka asnjë provë që ky survejim të ketë kaluar në rekrutim konkret ose gradim ushtarak për Kadarenë, ose e gjithë kjo mbetet një fshehtësi që e mban KGB ruse.
Në hapësirën ballkanike shpesh janë qarkulluar pretendime se disa intelektualë, përfshirë Kadarenë, “kanë marrë grada oficeri” gjatë qëndrimit në Bashkimin Sovjetik. Këto rrëfime, të gjeneruara shpesh nga aparatet e fshehta rivale (UDB, KOS, Sigurimi), ushqejnë një lloj mitologjie konspirative ku shkrimtari shihet si “i fshehur” brenda strukturave të pushtetit. Megjithatë, mendoj unë, të gjitha këto mbeten thjesht pretendime. Asnjë dokument arkivor i bindshëm dhe relevant nuk është publikuar deri më sot, pos disa hamendje në Shqipëri, nuk dëshmon një gradim të tillë për Kadarenë, pos si një «toger». Biografitë e njohura të vendosin atë vetëm në mjedisin e Institutit Gorki, deri në prishjen shqiptaro-sovjetike (1961), kur u thirr urgjentisht në Tiranë, për çfarë nuk ka një rrëfim publik se çfarë ishin rrjedhojat me këtë rast, që mbeten , ndoshta, enigma në arkivat e Sigurimit të Shtetit.
Teza: Studentët e huaj shiheshin si potencial për t’u rekrutuar.
Kundërteza: Për Kadarenë nuk ka asnjë provë konkrete të tillë; pretendimet janë të pabazuara në arkiva, por që ende mbeten si fshehtëti shtetërore.
Në Shqipëri, Kadare ishte njëkohësisht i privilegjuar dhe i survejuar. Raportet e AIDSSH konfirmojnë ekzistencën e dosjeve të shumta mbi të. Kjo nuk ishte e jashtëzakonshme: çdo shkrimtar i njohur ishte nën mbikëqyrje në një regjim ku kultura shihej si fushë lufte ideologjike.
…Disa nga librat e tij janë ndaluar përkohësisht, ndërsa në vitin 1990 ai kërkoi azil politik në Francë, një akt që dëshmon për frikën reale ndaj represionit.
Teza: Kadare mbrohej nga Hoxha si simbol kombëtar dhe mjet propagande.
Kundërteza: I njëjti regjim e ndiqte, e censuronte dhe e kufizonte. “Mbrojtja” ishte relative, jo absolute.
Si ish-oficer i rinisë sime në SDB (UDB), kam pasur rast të shoh skedarë ku emri i Kadaresë përmendej mes dhjetëra figurave të tjera kulturore nga Shqipëria. Shumë raporte ishin të mbushura me gjuhë klishe, të përkthyera dobët nga burime të tjera, ose të fabrikuara për të forcuar narrativat e shërbimit.
Kjo përvojë më mësoi se arkivat e shërbimeve sekrete nuk duhen marrë kurrë si “e vërtetë absolute”. Ato janë dokumente pushteti: përzierje e fakteve, supozimeve, thashethemeve dhe dezinformatave. Leximi i tyre kërkon etikë dhe kujdes kritik.
Në këtë kuptim, “enigma Kadare” nuk qëndron tek ndonjë gradë e paqenë, por te mënyra se si pushteti e përpunonte figurën e tij dhe e mbante nën kontroll dhe survejim permanent.
Marrëdhënia Kadare–Hoxha ishte e përbërë nga dy pole: privilegj dhe rrezik. Nga njëra anë, Enver Hoxha e përmendte shpesh si krenari kombëtare, duke e përdorur për të treguar “lartësinë kulturore” të Shqipërisë. Nga ana tjetër, veprat e Kadaresë shpesh ndaloheshin, ose kritikohej si “dekadent” dhe “i dyshimtë”, konkluzione që mbeten të arkivuara në skedarët e Sikurimit.
Kjo ambivalencë shpjegon edhe kontradiktën e perceptimit: për disa, Kadare është “i mbrojtur nga Enveri”; për të tjerët, ai është shkrimtar që vuajti nën diktaturë, ose disa kishin mendime se ishte i privilegjuar. Në të vërtetë, është të dyja njëherësh – dhe pikërisht ky dualitet është çelësi i enigmes së tij, e që duhet gjërat qartësuar për interesin publik.
Kur flasim për Kadarenë, nuk flasim vetëm për një autor, por për mënyrën si historia trajton intelektualët. Madje kemi përplotë enigma për sqarim edhe të disa shkrimtarëve tjerë si Trebeshina, Kapllan Resulbegoviqi, Xhafer Bilalin, etj. Arkivat e fshehta janë të mbushura me insinuata, por detyra e studiuesit është të dallojë faktin nga opinioni, dhe dokumentin nga dezinformimi, gjë e cila ka shumë rëndësi për zbardhjen dhe nxjerrjen e të vërtetës në dritë të Diellit !
Në këtë kuptim, Kadare mbetet enigmë jo për shkak të gradave ushtarake të qëna ose të paqena, por sepse ai e ktheu letërsinë në mburojë. Në një regjim ku fjalët vrisnin, ai i përdori ato për të mbijetuar – dhe për të folur pa folur me zë.
Kadare nuk mund të reduktohet në një dosje sekrete, as në një etiketë si “shkrimtari i mbrojtur nga Enveri”. Ai është një figurë shumë më komplekse: student në Moskë, i survejuar nga Sigurimi, i përdorur nga pushteti për interese të Partisë dhe «elitës» komuniste në Tiranë, por edhe i ndaluar, dhe përfundimisht i arratisur drejt lirisë në Perëndim, qoftë ajo edhe sikur të ketë ndodhur me instruksionet e Shërbimeve franceze.
Enigma e tij mbetet e gjallë sepse nuk është thjesht biografike: ajo është një mësim për marrëdhënien e ndërlikuar midis artit dhe pushtetit, midis arkivave të fshehta dhe kujtesës së lirë nga analet ideologjike të sistemit me rrënjë nga Moska.
( Vijon )



Autori e fillon shkrimin per se mbrapshti, tuj pohu “Ismail Kadare, shkrimtari më i madh shqiptar i shekullit XX….”.
Po kush je ti qe jep keto KONKLUZIONE ABSOLUTE mbi shkrimtart shqiptar te shekullit te XX SE KUSH ASHT ME I MIRI?
Na permend ma pare shkrimtart ma te mire kryesor shqiptar te shekullit te XX dhe mandej lenja te tjerve te bajne vlersimet.
Ti flet me nji fudullek komunist.
Ti me keto SENTENCAT tuja DISINFORMON dhe HELMON RININE SHQIPTARE. Turp te kesh.