ARKIVI:
7 Mars 2026

Fjala e plotë Imzot Luigj BUMÇIT, peshkop katolik i Lezhës, mbajtur në mbledhjen mujore të Shoqërisë së Ekonomisë sociale, të 8 dhjetorit 1919

Shkrime relevante

Shkarkimi: Përgjigjia meritore ndaj pecedentit të rrezikshëm kushtetues

Nga: Dr. Sadri Ramabaja ______ Dekreti i Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e...

Me cilën dorë duhet të pijë ujë Presidentja – sipas mullës Mustafë Bajrami dhe neoosmanit Gëzim Kelmendi?!

Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë ____ Mullahu Mustafë Bajrami duket se së...

Trump: – Irani do të goditet shumë rëndë sot

David Vojislav Krekling, Aftenposten Foto: Jose Luis Magana / AP Presidenti Donald Trump...

E kam përkrahë Vjosën por ajo kujtofti se s’ka shtet pa qenë hija e saj si bajrak mbi çati!

Nga: Çun Lajçi ___ Mall i kotë për një atdhe të lodhun ___ Me vetveten...

Shpërndaj

Botuar në revistën franceze LA REFORME SOCIALE,  janar-qershor 1920. Paris, 1920

Kumtesë e përkthyer nga origjinali frëngjisht Përkthyer për herë të parë e përgatitur për botim sipas origjinalit në frëngjisht nga Fotaq Andrea

KUSH JANË SHQIPTARËT DHE ÇFARË DUAN ATA

Zotërinj, 

Zemra e shqiptarëve u gjakos nga dita kur Europa e qytetëruar, të nesërmen e luftërave ballkanike dhe të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, i shkëputi tokës mëmë dhe ia nënshtroi zgjedhës së huaj më shumë se gjysmën e vëllezërve tanë, së bashku me trojet e tyre të pasura. Tek pamë shtypësit tanë më të fortë në numër dhe më të mbështetur në përkrahjet e fuqishme, humbëm shpresën që t’ua shkëpusnim këtë pre nga duart e tyre gllabëruese. Mirëpo, ja që nga muaji nëntor i vitit të shkuar, ushtarët tuaj të guximshëm erdhën në Shqipëri e na thanë se tanimë çdo popull e çdo komb, sado i vogël qoftë,  kishte të drejtën për të pasur në duart e veta fatin e tij politik e ekonomik, si dhe të rivinte në vend të gjitha padrejtësitë e shkaktuara nga traktatet e mëparshme ndërkombëtare; sepse, na thoshin ata, ky është ideali për ngadhënjimin e të cilit ata kishin zhvilluar një luftë të tmerrshme e të paparë në historinë e kombeve; dhe plagët e tyre dëshmonin për ashpërsinë dhe dhunën e kësaj lufte. 

Kombi shqiptar, duke u dridhur nga emocioni tek dëgjonte këto fjalë, dhe me besimin për një të ardhme më të mirë, u mblodh, në dhjetor të vitit të shkuar, në një kuvend të madh e solemn, për të shpallur njëzëri pavarësinë e tij politike e ekonomike; dhe, me qëllim që të vërë në vend ndreqjen e gabimit të shkaktuar nga Traktati i Berlinit dhe nga Konferenca e Londrës, përmendur më sipër, emëroi një delegacion me mandatin për të mbrojtur kauzën e tij përpara Konferencës së Paqes.

Dhe ne, veç kur do të çuditeshim pa masë tek vumë re, me të mbërritur në qytetin tuaj të mrekullueshëm ku është përqendruar aeropagu i botës, se zotëruesit e padrejtë të territoreve shqiptare, jo vetëm nuk deshën të na kthenin atë që na takonte me shumë të drejtë, por kishin edhe pretendime të reja ndaj Shqipërisë, pa kurrfarë argumenti tjetër në mbështetje veç atij të ujkut që lakmon çka i pëlqen përballë qengjit të shkretë dhe pa armë tjetër përveç nënkuptimeve keqdashëse.

E ç’nuk thanë e ç’nuk shkruan kundër Shqipërisë? E gjer ku nuk e shtrinë fushatën e tyre kundër shqiptarëve në një pjesë të shtypit që mbështet kauzën e tyre? Madje një nga autorët e tyre arriti gjer aty sa shkroi e botoi në shumë gjuhë se edhe fiziologjikisht e biologjikisht, shqiptarët qenkëshin inferiorë ndaj krejt racës njerëzore. 

Mos u çudisni Zotërinj, në guxoj të paraqitem para jush për t’ju folur në një gjuhë që nuk është e imja, për Shqipërinë e shqiptarët, në këtë çast suprem kur vendoset fati i botës. Edhe unë, edhe bashkëkombësit e mi dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë për Z. Du Maroussem, i cili me dashamirësinë e tij të zakonshme më dha mundësinë për t’u shprehur këtu. 

Forhåndsvisning av bilde

Forhåndsvisning av bilde

 

Nuk e di në të vërtetë se deri në ç’pikë fjalët e mija mund të kenë ndikim lidhur me fatin e vendit tim; por kam të drejtën të shpresoj prej jush një fjalë të mirë e dhembshurie për fatin tonë. S’ka si të mos jetë ngushëllim, për atë që e ndjen veten të braktisur, tek sheh se ekziston ende në botë një zemër që ndjen në thellësi të saj njëfarë përdëllime.

*          *          *

Je e dini po aq mirë sa unë Zotërinj, se që prej kohëve më të lashta të Historisë, familja e madhe Trako-Ilire banonte nga brigjet e Euksinit e gjer në majën e Alpeve Juliane dhe që nga malet Akrekerauniane deri te ato të Karpateve. Kjo familje, roli i së cilës ka qenë aq i madh në botë, nuk ekziston më sot. Koha e përpiu në valën e saj dhe lavdia e saj u shua ditën kur në vitin 168 para Jezu Krishtit, Genti, mbreti i fundit i Ilirisë zbukuroi ngadhënjimin e Paul-Emilit. Shkatërruar në disa vende, shkrirë gjetiu me familje të tjera, ajo humbi në rrjedhën e ngjarjeve fizionominë e vet karakteristike. 

Mirëpo, nga shkatërrimi i kësaj familjeje të madhe Trako-Ilire, ashtu si të shpëtuarit e një mbytjeje, mbijetuan disa bërthama fisesh të gjalla mbrojtur në malet e tyre, apo në fushat pjellore – fat i lumtur nga perënditë e Lashtësisë – duke sfiduar me energjinë e pamposhtur të racës së tyre rrjedhën e shekujve dhe padrejtësinë njerëzore. Pajisur me një forcë qëndrese të jashtëzakontë, këto grupe njerëzish flasin ende edhe sot gjuhën e të lashtëve të tyre, ruajnë karakterin që kanë pasur dhe punojnë ende të njëjtën tokë që stërgjyshërit e tyre kanë punuar që prej ditëve të para të Historisë. Ata ndjenë peshën e fuqisë romake dhe presionin e botës sllave; barbaria e Azisë u lëshua mbi ta për më shumë se katër shekuj; por ata nuk humbën asgjë, as unitetin kombëtar, as zakonet e lashta, as idealin e tyre. Vazhdon ende të jetë i njëjti popull i pamposhtur, tek rron në ato male dhe në ato fusha ku të parët e tyre fabrikonin armët nga hekuri për të nënshtruar botën nën këmbët e Aleksandërit dhe për t’i bërë gratë romake të derdhnin lot të hidhur përpara fitoreve të Pirros.

 E pra, Zotërinj, ky popull nuk është tjetër veçse populli i vogël shqiptar, aq pak i njohur dhe aq keq i gjykuar në Europë. Po aq i lashtë sa fosilet dhe stalaktitet e shpellave në malet e tij dhe lindur, të themi, nga vetë toka mëmë e Shqipërisë, ai është zot autokton dhe i pamohueshëm i trojeve të veta. Sllavët ende nuk kishin dalë nga pyjet e Uralit dhe përzierja e sotme neo-helenike, shumëngjyrëshe e heteroklite ende nuk ish formuar, kur populli shqiptar e kishte përfunduar tashmë një cikël të historisë së tij. Kush e ka punuar tokën ballkanike para shqiptarit? Historia është këtu Zotërinj, dëshmitare për të folur qartë; dhe më kot përpiqen të mbysin zërin e saj me anë notash e memorandumesh; ky zë vjen që nga thellësitë e shekujve.

Po prapë, kam të drejtë të dyshoj dhe dyshoj fort se aluzionet e kundërshtarëve tanë, të maskuara nën vellon e qytetërimit të kuptuar keq, duhet të kenë mbërritur gjer tek ju dhe duhet të kenë zënë vend për t’ju bindur se shqiptarët, jo vetëm nuk na qenkan një popull, një komb, por se ata na përfaqësokan thjesht një aglomerat fisesh, pa vetëdijen më të vogël për liri e kombësi dhe të zhveshur nga çdo aftësi për progres e qytetërim. Andaj dhe e quaj të domosdoshme, para se t’ju shpreh aspiratat dhe kërkesat e tyre të ligjshme, t’i hidhni poshtë thëniet e tyre pa baza.

Është për fat të keq tepër e vërtetë se shqiptarët, braktisur krejt, pa marrëdhënie me popujt me të cilët kanë pasur lidhje të ngushta miqësie, shtypur nga brenda nga një sundim i pamëshirshëm, rrezikuar nga jashtë nga lakmia e fqinjëve me kthetrat nxjerrë, u desh të izoloheshin, jashtë çdo kontakti në mospërputhje me racën e tyre, me natyrën që i rrethonte, dhe mbi bazën e së cilës brumosën karakterin që kanë dhe shkruan faqe historie. Është po ashtu e vërtetë se prej shumë kohësh dhe si rrjedhojë e shtypjes nga sundimi i huaj, kombi shqiptar nuk arriti të shfaqej përpara Historisë si një njësi kompakte e mëvetësuar. Por prapë, as që bëhet fjalë se shqiptarët na qenkan barbarë e të egër, siç ua ka qejfi t’i paraqesin fqinjët e tyre. A është e vërtetë se popujt e Spartës, Athinës e të Tebës ishin barbarë se jetonin në republika të izoluara nga njëra tjetra? Sigurisht që jo dhe kujtimi i tyre është po aq i përjetshëm sa dhe kujtimi i Romës, fuqia e së cilës u shtri gjer në kufijtë e skajshëm të botës. Shkalla e qytetërimit të një populli nuk matet me shtrirjen e territorit të vet, por siç e dini, me vetëdijen që ai formon për detyrat e tij shoqërore dhe me aftësinë që tregon për t’i përmbushur ato dhe për të siguruar zhvillimin e tij.

Pa dashur të shpërdoroj kohën në dispozicionin tuaj, e shoh me vend t’ju paraqes një përmbledhje të shkurtër të organizimit shoqëror, të legjislacionit dhe të poezisë popullore, për të vërtetuar që populli shqiptar nuk është më pak i qytetëruar nga të gjithë popujt e tjetër po qe se këta do të ishin gjendur në të njëjtat kushte me të tijat dhe të kishin kaluar të njëjtat tallaze historike.

Por cilët janë ata që i kritikojnë shqiptarët se nuk kanë as dashuri për lirinë, as ndërgjegje kombëtare? Historia e pushtimit osman të Ballkanit është e pranishme për të vërtetuar se grekët e serbët nuk bënë gjë tjetër veçse u nënshtruan dhe iu përshtatën sundimit turk, ndërkohë që shqiptari, me besim vetëm në forcën dhe armët e tij, i ndershëm ndaj miqve, mikpritës ndaj të huajit, i frikshëm ndaj armiqve që i përbuz pa i urryer, kurrë nuk iu nënshtrua  asnjë zgjedhe. E kush nga ju Zotërinj, e ka parë ndonjëherë shqiptarin të ulë ballin para ndokujt? Qëkurse bota ekziston, shqiptari nuk e ka ulur kokën veçse përpara Zotit të tij. Shqipëria ka njohur sundues, por askush nuk e ka sunduar shqiptarin. Pushtuesit e vendit mund të mburren se kanë lënë pas tyre shfarosje e rrënim, por ama asnjëherë nuk e kanë vënë Shqipërinë nën zgjedhën e tyre. Këto nuk janë konstatime të reja; këto janë thënë nga mjaft publicistë. Autori italian Z. Pedrotta, në një studim mbi Shqipërinë, i shpreh këto qartë; para disa kohësh, një autor anglez vërente se sundimet e ndryshme, që kanë pasuar njëri-tjetrin në Shqipëri, nuk kanë lënë më shumë gjurmë tek shqiptari nga vetë uji në trup të rosakut; dhe Z. René Pinon, autoriteti i të cilit për çështjet ballkanike është i madh, madje edhe jashtë Ballkanit, në një studim për Shqipërinë botuar në numrin e dhjetorit 1909 në revistën Revue des Deux Mondes, shkruante: “Bullgari ul kurrizin mbi shat dhe punon tokën e turkut në fushat e Maqedonisë; shqiptari është mbret në malet e veta. Gjuetar, bari, ushtar, cub, nuk i bindet veç zakoneve të veta dhe dyfekut që mban në sup”. Dhe është tepër e vërtetë Zotërinj, që shqiptari ka sakrifikuar gjithçka për lirinë e  tij: shtëpinë, tokën, jetën dhe pasurinë. Dhe fqinjët tanë, konkretisht grekët, janë të bindur për këtë; e nëse sot Greqia gëzon lirinë dhe pavarësinë e vet, të cilën e përdor aq keq kundër nesh, këtë ia detyron më shumë sesa vetë flotave europiane elementit shqiptar që u kryengrit kundër Turqisë për pavarësinë e greke dhe e çoi luftën gjer në fund vetëm me forcat e tij.

Por ajo që na trishton më shumë është kur shohim të kritikohemi nga njëfarë shtypi keqdashës ndaj nesh se gjoja na mungon ndërgjegjja kombëtare dhe se nuk paskemi bërë asgjë për të fituar pavarësinë tonë. Jo vetëm që është një akuzë e padrejtë, e dëmshme për pajtim midis popujve, pa të cilën nuk mund të vendoset një paqe e qëndrueshme, por është edhe një mosnjohje flagrante e së vërtetës historike; dhe për të vërtetuar falsitetin e saj, mjaft të përmend dëshminë e publicistëve tuaj si dhe atë të kundërshtarëve tanë që kanë ilustruar e përcjellë që herët bëmat e lavdishme të kombit shqiptar duke luftuar për pavarësinë dhe lirinë e tij.

Fuqia turke po rritej në Azi aty nga shekulli XV. Sulltani, në krye të ushtrisë më të fuqishme të botës përshkoi Bosforin, duke u betuar të lartojë gjysmëhënëzën mbi Shën Sofi dhe t’u japë kuajve të tij për të ngrënë tërshërë në tregjet e Shën Pjetrit në Romë. Duke mos qenë si shumë të tjerë njeri që kërcënonte në erë apo të llomotiste kot, perandori e frone të tëra veç kur u shembën dhe qytetërimi veç kur u drodh nën goditjet e tij. Në gjirin e Bizantit të degjeneruar dhe të Europës së përçarë nga luftërat e brendshme dhe nga smirat tradicionale, cili princ i krishterë do mund të guxonte dhe guxoi për t’iu kundërvënë marshimit të ngadhënjimtarit?

Dhe ja ku mbi bedenat e kështjellës së Krujës, u lartua figura burrërore e Gjergj Kastrioti Skënderbeut! Nën thirrjen e tij, Shqipëria e tërë u ngrit në këmbë, e dëshiruar dhe e etur për mbrojtjen e pavarësisë dhe të lirisë, duke shtrënguar radhët rreth tij dhe duke krijuar përballë kundërshtarit një mur të pakapërcyeshëm; i kundërvuri dyndjes së pareshtur të masave armike guximin e luftëtarëve të saj dhe vendimin e tyre të pashpresë që më mirë të vdisnin, se sa të dorëzoheshin. Filloi kështu një luftë që zgjati njëzet e katër vjet, luftë e përgjakshme, e egër, legjendare; 150.000 vetë nën urdhrat e ngadhënjimtarit të Bizantit [sulltan Mehmetit] rrethuan Krujën dy herë; gati desh e morën, por nuk e mposhtën dot qëndresën e saj, dhe vala e sulmuesve u thye përballë asaj kështjelle; Skënderbeu shpëtoi kështu Europën mbarë nga pushtimi. Autorë të shumtë francezë e të huaj i kanë kënduar lavdisë së tij; dhe kur Papa Piu II u përpoq të organizonte një kryqëzatë kundër turqve, pikërisht atij burri donte t’ia besonte komandën e saj, në mirënjohje të shërbimeve të tij dhe si dëshmi e vlerës që ai kishte treguar.

E ndërsa populli shqiptar luftonte e vdiste për kauzën e krishtërimit e të Shqipërisë, çfarë bënin popujt fqinj që na akuzojnë sot se s’paskemi bërë asgjë për pavarësinë tonë? Grekët kishin humbur në mosmarrëveshjet e kota fetare dhe despoti i Serbisë, drejtues i një kombi luftarak e të fuqishëm kremtonte martesën e vajzës së tij me sulltanin; pengonte bashkimin e ushtrisë së Skënderbeut me atë të Jan Huniadit, duke i lejuar kështu turqit të vinin nën zgjedhën e tyre, nëpërmjet fitores në Varna, më shumë se gjysmën e Europës. Dhe ngaqë s’na paska bërë asgjë për pavarësinë e vet kombëtare, siç duan të thonë, Shqipëria u dashka sot të copëtohet nga armiqtë e saj! 

Në fakt, etja për pavarësi nuk është se u shua me vdekjen e Skënderbeut në shpirtin shqiptar. Edhe pse shqiptari lidhi marrëveshje me turqit, edhe pse shteti osman e respektoi në njëfarë mase autonominë shqiptare, historia turke regjistron jo më pak se 54 kryengritje të mëdha shqiptare vetëm gjatë katër shekujve; dhe Shqipëria do ia kish dalë mbanë të hidhte poshtë me forcat e veta zgjedhën osmane sikur shtetet ballkanike të mos e kishin penguar në këtë drejtim.

Të bindur se nën regjimin teokratik të sundimit osman, dallimi midis tyre dhe kombeve të tjera kishte ardhur duke u zmadhuar, shqiptarët i imponuan atëherë sulltanit Kushtetutën më 1908. Kjo Kushtetutë, që ushqeu tërë ato shpresa në Europë dhe që vetë Europa e priti me aq simpati e zell është vepër e shqiptarëve; dhe kur xhonturqit deshën të shfrytëzonin këtë ngadhënjim për interesat e tyre dhe në kurriz të shqiptarëve, ishin pikërisht këta të fundit që ngritën krye, duke kërkuar decentralizimin; pikërisht nën presionin e tyre dhe të disa Fuqive të huaja, sulltani u detyrua më në fund të dorëzohej. Dhe atëherë, shtetet ballkanike, duke pasur frikë se mos u shpëtonte nga duart Shqipëria, të cilën e konsideronin prej vitesh të tëra si prenë e tyre, i shpallën luftë Turqisë. Kjo luftë në të vërtetë u përshëndet nga një pjesë e shtypit europian si lufta çlirimtare e popujve të krishterë të shtypur nga zgjedha turke; në të vërtetë, ajo nuk ishte veçse lufta e të krishterëve kundër kombit të mjerë shqiptar. Ja përse shqiptarët kundërshtuan të luftojnë përkrah shteteve ballkanike; më shumë rrezikonin të bëheshin pjesë e shteteve ballkanike se sa të vuanin nën sundimin osman.

Dhe mos pandehni Zotërinj, se shtetet kufitare kanë komplotuar më pak nga turqit kundër pavarësisë shqiptare, tek maskonin qëllimet e tyre me lloj-lloj mënyrash. Gjithmonë e kanë gjetur nga një shkak në çdo rast që u jepej për të shtënë në dorë Shqipërinë; kanë thënë dhe vazhdojnë të thonë se shqiptarët janë një popull mizor, të paaftë për qytetërim, të paaftë për t’u vetëqeverisur. A është e vërtetë se ata janë ashtu siç duan të flasin kundërshtarët e tij? Kemi të bëjmë këtu me thelbin e çështjes, mbi të cilin duam të këmbëngulim, pa dashur të shpërdorojmë kohën që keni në dispozicion; në fakt, vetë drejtësia e kërkon që, si dëgjuat akuzat e kundërshtarëve tanë, ju duhet të dëgjoni edhe zërin e popullit shqiptar. Do ishte ndoshta e kotë të rrinim e të flisnim për kritikën që u bëhet se shqiptarët se na qenkan barbarë, pikërisht të nesërmen e një lufte që tregoi, për vetë mënyrën se si u zhvillua, se barbaria e një populli as hyn fare në këtë mes, për vetë shkallën e qytetërimit dhe frymën e pavarësisë që e karakterizoi. Por prapë, ka rëndësi të theksojmë edhe një herë se shqiptarët janë larg së qeni të tillë.

Nëse rregullat mbi të cilat mbështetej gjer vitet e fundit jeta e tyre shoqërore, vazhdonin të frymëzoheshin disi nga zakonet e mesjetare, kjo ndodhte padyshim për shkak të kushteve të veçanta të regjimit osman karakterizuar nga arbitrariteti e dhuna. Në fakt, në Shqipëri, gjatë një periudhe të gjatë sundimi osman nuk pati as shkolla kombëtare, as gjykata, as forcë të armatosur organizuar nën shembullin e popujve të tjerë të Europës perëndimore. Fanatikë për pavarësinë dhe lirinë e tyre, shqiptarët nuk pranonin t’i nënshtroheshin arbitraritetit të administratës e të drejtësisë turke; nga ana e tij sulltani, i interesuar për të drejtat e tij si sovran, nuk e lejonte popullin të krijonte një pushtet legjislativ, ekzekutiv e politik që dilte jashtë autoritetit të tij. Nga ku nevoja për shqiptarët të mbërtheheshin fort pas zakoneve të tyre të lashta, të cilat u lejonin të ruanin të paprekura traditat e tyre dhe të mbroheshin ndaj orvatjeve për shkombëtarizim.

Është e vërtetë – dhe nuk mund ta mohojmë – se këto zakone paraqisnin, konkretisht nga pikëpamja morale, të meta të theksuara dhe se shpërdorime të papajtueshme me qytetërimin e vërtetë janë vënë re gjatë këtyre viteve të fundit. 

Por kur mendojmë për dhunën e ushtruar nga pasionet njerëzore, si dhe për rrethanat e veçanta që ka kaluar vetë kombi shqiptar, jo vetëm që nuk duhen konsideruar shqiptarët si barbarë thjesht sepse janë kryer vrasje në vendin e tyre, por do duhej në të kundërt të habiteshim se si ka mundësi që një popull, i braktisur përgjatë shekujve, nuk ka dhënë shembuj më të shpeshtë dhune e mizorie. Ju e dini më mirë se unë se ç’mund të bëjë një popull kur gjatë një revolucioni rrëmben armët dhe kur pushteti është i pafuqishëm për ta përmbajtur. Statistikat kriminale regjistrojnë çdo vit në vendet e qytetëruara një numër të madh krimesh dhe në disa nga këto vende ky numër arrin gjer në tre për mijë të popullsisë së tyre të përgjithshme.

Atëherë, përderisa tërë ai gjak arrin të derdhet edhe ndër popuj të qytetëruar që kanë shkolla, gjykata, polici e xhandarmëri, a është e drejtë të akuzohen shqiptarët për barbari, kur gjer kohët e fundit nuk kanë pasur as shkolla, as gjykata, as xhandarmëri? Dhe prapë, Zotërinj, përqindja e vrasjeve nuk i kalon tek ne një për mijë. Ja pse kërkojmë drejtësinë tuaj, duke ju parë juve të paanshëm dhe në rolin tuaj të gjykatësit për një konflikt të një rëndësie shumë të madhe midis shqiptarëve dhe kundërshtarëve të tyre.

Këta na kritikojnë ne se qenkemi të paaftë ndaj qytetërimit dhe përparimit. Në këtë drejtim, s’më mbetet veç të parashtroj fakte, të bëj krahasime dhe të nxjerr konkluzione.

Malazezët, falë pozitës së tyre gjeografike dhe frymës luftarake që kanë, vazhdimisht e kanë ruajtur pavarësinë dhe lirinë; madje kanë pasur, gjatë këtyre pesëdhjetë vjetëve të fundit, dhe nën mbretërimin e Nikollës I-rë edhe një qeveri sipas modelit të shteteve të tjera. E pra, ndërsa populli malazez, në prag të luftërave ballkanike nuk kishte veçse një të vetme tipografi, madje qeveritare, nuk kishte asnjë shkollë private e të pavarur që të mbahej vetëm me shpenzimet e popullit, në Shqipëri, në po të njëjtën periudhë, dhe që prej kërkesës për Kushtetutën osmane, ne kishim 7 tipografi, mbi 26 gazeta e revista, një shkollë normale dhe një numër të madh shkollash fillore, të mirëmbajtura nga shoqëri private; u përgatitën tekste shkollore për shkollat e arsimit fillor, madje edhe të mesëm; në këtë mënyrë, sot në Shqipëri, arsimi bëhet tërësisht në gjuhën shqipe; nga ana tjetër, janë botuar vepra letrare aq shumë në numër e me aq vlerë, sa e kanë ngritur në shumë pak kohë ndjenjën kombëtare dhe i kanë dhënë një zhvillim aq të fuqishëm gjuhës, sa kjo u përshtat si gjuha zyrtare në të gjitha zonat e me sukses të plotë gjatë pushtimit austriak; dhe në të njëjtën periudhë janë mbajtur tre kongrese gjuhësie, etj.; dhe tërë kjo, natyrisht pa mbështetjen më të vogël nga ana e qeverisë osmane, armiqësore ndaj çdo lëvizjeje përparimi në Shqipëri.

Përse pra inteligjenca e popullit malazez, e cila që prej pesëdhjetë vjetësh nuk i ka sjellë asgjë prodhimit intelektual, u dashka të mbahet si superiore ndaj asaj të popullit shqiptar, i cili, në pak vite ka krijuar një gjuhë letrare dhe ka shndërruar shpirtin e kombit?! Populli shqiptar i ka dhënë njerëz të shquar Perandorisë Bizantine; diplomatët më të mirë dhe gjeneralët më të mëdhenj të Turqisë ishin shqiptarë; shqiptar khedivi [nënmbreti] i Egjiptit, shqiptar Francisco Crispi, burri i shtetit italian, shqiptar kardinal Albani dhe papa Klementi XI. Dhe Z. Venizellos pranon më në fund të na mësojë sot, në memorandumin e paraqitur për Konferencën e Paqes se drejtuesit e lartë të ushtrisë dhe flotës greke janë me origjinë shqiptare.

Dhe për t’iu bindur edhe më shumë se shqiptarët nuk janë racë më e ulët se popujt e tjerë të Ballkanit, a nuk ia vlen t’i referohemi më mirë dëshmisë së autorëve që janë marrë me vendin tonë?

Francezi Hecquart, në librin e tij Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ka thënë se historia e shqiptarëve “jep prova të shkëlqyera energjie, zgjuarsie e veprimi”; se këta “kanë ruajtur traditat dhe zakonet kalorësiake ashtu siç shfaqen në këngët e tyre të kreshnikëve”; se “përherë i kanë dhënë individualitete të shkëlqyera Greqisë së lashtë, Turqisë dhe Greqisë moderne.” Lord Bajroni ka thënë për ta: “Në shkëmbinjtë e Sulit dhe në brigjet e Pargës gjendet gjurmët e një race siç krijohej dikur nga nënat dorike; gjenden ende familje që gjaku i Heraklidëve rrjedh në damarët e tyre”. Dhe  kini parasysh Zotërinj, se këto janë dëshmi të tilla që i bëjnë nder edhe një kombi të madh të qytetëruar.

*          *          *

Dhe, si ju paraqita Zotërinj, se cilët janë shqiptarët, më mbetet tani t’ju them se çfarë kërkojnë ata. Mund të përmblidhet e tëra me dy fjalë:

Pavarësinë politike dhe ekonomike të kombit.

Që shteti shqiptar të ketë kufijtë e tij të natyrshëm, gjeografikë e etnikë.

Nuk kërkojnë asgjë tjetër më shumë nga sa i ka premtuar botës Konferenca e Paqes dhe atë çka po u jep popujve në prag të saj.

Për sa i përket pavarësisë së kombit shqiptar s’kam ndonjë gjë të veçantë, për të mos thënë asgjë, duke qenë se kjo pavarësi është njohur dhe garantuar që në muajin dhjetor 1912 nga Fuqitë e Antantës; ato deklaruan solemnisht se i konsideronin traktatet ndërkombëtare jo copa letrash, por akte nëpërmjet të cilave garantohej nderi i tyre kombëtar: vetëm sepse nderi i saj vihej në lojë për të garantuar asnjanësinë e Belgjikës, Britania e madhe hyri në konfliktin e madh të vitit 1914. Pavarësia e Shqipërisë është pra për ne një e drejtë e arritur, e vendosur nën garancinë e Fuqive të mëdha; kështu që s’mbetet tjetër veç të përcaktohen kufijtë e natyrshëm të shtetit shqiptar, gjë që paraqet jo më pak rëndësi nga çështja e pavarësisë së saj.

Sundimi i huaj dhe politika e lëkundur e diplomacisë së vjetër kaq shumë e kanë ndryshuar fizionominë gjeografike e etnike të Shqipërisë, sa është e vështirë për një të huaj ta njohë me pamje të parë; nga ku nevoja për të përcaktuar elementët e domosdoshëm me anë të së cilëve mund të realizohet vendosja e kufijve të natyrshëm të Shqipërisë. Në bazë të parimit të vetëvendosjes, çdo popull që ka një karakter etnik homogjen, ashtu sikurse përcaktohet në mesazhin wilsonian ka, ose të paktën duhet të ketë të drejtën për të vendosur lirisht për fatet e veta politike e ekonomike dhe të krijojë shtet të lirë e të pavarur. Gjeografikisht, ky shtet duhet të shtrihet gjer aty ku vazhdon ky homogjenitet; dhe nëse do kishte në ndonjë pjesë të territorit të tij elementë të huaj kompaktë e në numër të konsiderueshëm, atëherë aty do t’ia vlente të vendosej me anë plebishiti në kushtet e një çiltërsie absolutisht të garantuar.

Si parashtruam këtë, është e logjikshme që shteti shqiptar të shtrihet gjeografikisht deri aty ku kombi shqiptar mbetet homogjen shekuj pas shekujsh, duke qenë se e drejta e vetëvendosjes nuk i jepet një kategorie të caktuar individësh apo grupesh, por masës tërësore që përbën kombin. Rrjedhimisht, çdo zvogëlim territorial i Shqipërisë duhet konsideruar si arbitrar dhe nga ky çast i padrejtë.

Së dyti, për të përcaktuar shtrirjen reale të kombit shqiptar, ne duhet të marrim për bazë gjuhën, që është një element i sigurt vlerësimi dhe që nuk mund të lihet kurrsesi mënjanë.

Populli shqiptar flet një gjuhë që e ka krejt të vetën dhe që, sipas kërkimeve më të fundit gjuhësore – duke përjashtuar këtu disa ndikime të pashmangshme, dhe depërtim elementesh të rrallë të huaj – nuk mund të ketë përafri tjetër me idiomat kelte, latine, gjermanike, sllave e helenike veçse në kuadrin e origjinës së përbashkët ariane apo indo-europiane. Për rrjedhojë, të gjithë ata që flasin këtë gjuhë kanë një kombësi të ndryshme nga ajo e popujve të tjerë europianë. Nuk mund të mendohet në fakt që një popull tjetër që jeton në Europë t’i ketë imponuar kombit shqiptar një gjuhë që të mos ishte e veta dhe që të mos flitej nga popuj të tjerë, një gjuhë pra të vdekur. Po ashtu, nuk mund të pranohet që kombi shqiptar t’i ketë imponuar gjuhën e vet elementëve të huaj. Gjuha u imponohet të tjerëve me anë të forcës apo nëpërmjet qytetërimit dhe kulturës. Mirëpo, si nga njëra ashtu dhe nga tjetra pikëpamje e çështjes, kombi shqiptar gjithnjë ka qenë në gjendje pakice në krahasim me popujt fqinjë nga dita kur pati fatkeqësinë të gjendet në kontakt me ta. E si mund të thuhet atëherë se ata që flasin shqip nuk qenkan të kombësisë shqiptare, dhe nga ky çast, shteti shqiptar nuk u dashka shtrirë gjeografikisht gjer aty ku shtrihet gjuha shqipe?

Si parashtruan këto parime dhe këto elemente, le të shqyrtojmë cilët duhet të jenë konkretisht kufijtë?

Për të pasur sa më shumë paanësi në një çështje që kundërshtarët tanë përpiqen ta shtrembërojnë me aq shumë dashaligësi, po i referohemi edhe një herë autorit të shquar përmendur më lart, Z. René Pinon, i cili ka vizituar Shqipërinë për të vështruar de visu  thelbin e çështjes.

Në artikullin që përmendëm botuar në revistën Revue des Deux Mondes, ai thotë: “Nga fushat e Vardarit gjer në Adriatik, nga Thesalia gjer në Mal të Zi, shqiptari është zot në bazë të së drejtës si zotërues i parë i këtij trualli dhe në bazë të së drejtës të më së fortit”. Rrjedhimisht, tërë fusha e Kosovës, që i është shkëputur padrejtësisht Shqipërisë nga Konferenca e Londrës dhe që i është dhënë Serbisë, si dhe krejt Epiri që duan t’ia japin në tërësi Greqisë janë të banuara nga shqiptarë dhe duhet të jenë pjesë e shtetit shqiptar bazuar në drejtësi.

As edhe një pikëpyetje nuk mund t’i vihet pohimeve të bëra nga Z. Pinon, kurrfarë ekzagjerimi nuk ka në to. Kjo vërtetohet në mënyrë të padiskutueshme nga vetë statistikat e bëra që më 1909, ku përcaktohet përqindja e kombësive të ndryshme që jetojnë në Shqipëri. Këto statistika zyrtare të bëra si nga ana e Turqisë, ashtu dhe nga ana e Austro-Hungarisë dhe e Bullgarisë tregojnë se në rajonet shqiptare që i janë dhënë Serbisë e Greqisë nga Konferenca e Londrës, të paktën 8% për qind [gabim i rëndë shtypi në origjinalin frëngjisht: 80%] e banorëve janë krejtësisht shqiptarë.

Dhe për të vërtetuar se sa i arsyeshëm është përcaktimi i bërë nga Z. Pinon i kufijve të Shqipërisë, e shohim me vend të përmendim atë çka i shkruante lordi Fritz Maurice, anëtar i Komisionit të Rumelisë orientale Foreing Office-it dhe që është botuar në Livre Bleu më 1880. “Kombi shqiptar do duhej shtrirë në fund të fundit përtej kufijve serbë e malazezë; dhe krahina e Kosovës, duke filluar nga Mitrovica, është tërësisht shqiptare me një përqindje fare të lehtë serbe. Statistikat bullgare e greke mbi të cilat qeveritë e Sofjes e të Athinës mbështesin pretendimet e tyre mbi Manastirin, Ohrin, Korçën janë të gabuara dhe me dashje të shtrembëruara: statistikat greke janë hartuar në mënyrën më të paturpshme”.

Gjithmonë sipas mendimit të diplomatit të shquar anglez, Shqipëria do duhej shtrirë afërsisht nga Vardari në Adriatik dhe nga Thesalia në Mal të Zi, dhe Konferenca e Paqes do të bënte një krim të vërtetë nëse, mbështetur mbi statistika absolutisht të gabuara, nuk do të urdhëronte kthimin Shqipërisë të territoreve shqiptare që u janë dhënë padrejtësisht nga Kongresi i Berlinit dhe Konferenca e Londrës serbëve dhe grekëve. 

Parashtruam se shqiptari, për arsye që kanë të bëjnë me historinë, gjeografinë dhe entologjinë, zotëron tërë cilësitë materiale e morale të duhura për të formuar një popull të pavarur. Nga ana tjetër, territori i tij është mjaft pjellor, nëntoka mjaft e pasur, lumenj të shumtë me prurje të bollshme, duke pasur kështu të gjitha burimet e nevojshme për të përballuar detyrimet e një shteti të qytetëruar. Nga tërë trojet ballkanike, Shqipëria favorizohet në mënyrë të veçantë nga pikëpamja e klimës së butë. Është vendi i bereqetit, i vreshtave, i ullirit, i portokallit, i limonit që hasen në zonat e Qendrës dhe të Jugut. Misri kultivohet në mënyrë të veçantë në fushat e Shkodrës, të Myzeqesë e të Vlorës. Mënyrat e kultivimit të tokës janë ende primitive, por kjo është një e keqe kalimtare që rregullohet shpejt me përdorimin e metodave intensive. Po kështu edhe për pasuritë pyjore ende të pashfrytëzuara për shkak të mungesës së rrugëve. Për të njëjtën arsye, ka qenë e pamundur deri më sot të shfrytëzohej nëntoka, që përmban minerale të ndryshme, si dhe një sasi të madhe qymyri.

Veç rrugëve në gjendje të mirë që mungojnë në Shqipëri, edhe nga ana e bregdetit ka mjaft për të bërë. Portet ende nuk ekzistojnë, por mjaft të bëhen disa rregullime për të bërë në Vlorë, Durrës e Shën Gjin limane të shkëlqyer.

Është e qartë se  ditën kur hekurudhat do të kenë depërtuar në luginat e Drinit, Shkumbinit, Devollit e Vjosës, që do të lidhin Perëndimin me rajonet e Lindjes, Shqipëria do të bëhet qendra tregtare e ekonomike më e lulëzuar e gadishullit ballkanik.

Forhåndsvisning av bilde

Ja, Zotërinj, gjithë sa doja t’u thosha nga zemra lidhur me shqiptarët dhe aspiratat e tyre kombëtare. Duke ju falënderuar me gjithë zemër për vëmendjen dashamirëse që më kushtuat këtë mbrëmje, po e përfundoj këtë fjalë duke shprehur shpresën se të drejtat tona të shenjta do merren në konsideratë nga ana juaj, dhe se Providenca, nga e cila varet fati i popujve, nuk do të na braktisë në këtë çast që është vendimtar për kombin tonë. (Duartrokitje të forta).

ImZot BUMÇI, Kryepeshkop katolik i Lezhës. 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu