ARKIVI:
7 Mars 2026

Flamuri i Dardanisë dhe mohimi i shtetësisë së Kosovës: një prapa kthim ideologjik në mendimin shqiptar bashkëkohor

Shkrime relevante

I forti dhe i ligu në shoqëri dhe servili në detyrë

Nga Safet Sadiku _____ Në shoqëritë ku administrata shtetërore është e dobët, ku...

Izraeli ka hakuar kamerat e trafikut të Teheranit dhe përdori AI për të planifikuar vrasjen e Khamenei

Ali Khamenei nuk është më. Foto: Khamenei.ir Arnt Jensvoll / Document.no Sulmi ndaj...

Nga Mësonjëtorja e Korçës te Shkollat Shqipe në Diasporë

(7 Marsi – Dita e Mësuesit) Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë 7 Marsi është një...

Arsyetimi, manipulimi, kontrolli i pushtetarëve

Nga: Aurel Dasareti Gënjeshtra kur një person me pushtet e arsyeton vetveten...

Shpërndaj

Dr. Sc. Abedin Sutaj, Vjenë
____
Flamuri i Dardanisë dhe mohimi i shtetësisë së Kosovës: një prapa kthim ideologjik në mendimin shqiptar bashkëkohor
Qëndrimet që synojnë t’i mohojnë Kosovës të drejtën për ndërtim simbolik dhe shtetëror, duke e nënshtruar atë ndaj një “kombëtarizmi absolut”, përfaqësojnë një tkurrje serioze teorike dhe politike në mendimin shqiptar bashkëkohor. Kjo kalamenavje dhe perrrjedhje mendore e shkaktuar nga urrejtja patologjike, e artikuluar edhe në shkrimet të Prof. Dr. Mehdi Hysenit (I lumi Zot e din kush është ky dhe kujt i shërben) kundër flamurit të Dardanisë (i njohur publikisht si flamuri i Ibrahim Rugovës), nuk funksionon si analizë shkencore, por si përjargie dhe përflakje nga vjelljet ideologjike , dhe armiqesime partiake, krahinore, duke delegjitimuar shtetësinë e Kosovës.
Në këtë kontekst, Hyseni nuk përbën thelbin e problemit, por një shembull simptomatik të një paradigme më të gjerë mendimi. Ne shkrimin e tij te botuar; Mehdi Hyseni, “Flamuri i Dardanisë nuk është simbol as i Shqipërisë Etnike e as i Kombit Shqiptar, por vetëm një vizatim i lirë – një dëshirë!”, (Kosova Sot Online, 8 qershor 2021, https://www.kosova-sot.info/…/flamuri-i-dardanise…/… )
Gabimi themelor metodologjik i kësaj paradigme qëndron në barazimin e kombit me shtetin dhe në trajtimin e simboleve etnike si domosdoshmëri shtetërore. Ernest Gellner e ka formuluar qartë këtë problem kur thekson se “kombet nuk janë njësi natyrore apo të përjetshme; përkundrazi, nacionalizmi është ai që prodhon kombet” (Gellner, Nations and Nationalism, Oxford: Blackwell, 1983, f. 55). Shteti modern, sipas tij, është një strukturë juridiko-politike që prodhon identitet kombëtar përmes institucioneve, arsimit dhe simboleve.
Në të njëjtën linjë teorike, Benedict Anderson e përkufizon kombin si “një bashkësi politike e imagjinuar – e imagjinuar si e kufizuar dhe sovrane” (Anderson, Imagined Communities, London: Verso, 2006 [1983], f. 6). Kombi, pra, nuk është autoritet metafizik që autorizon ose ndalon simbole shtetërore, por produkt i përfaqësimit politik dhe narrativës historike. Pretendimi se “vetëm kombi shqiptar” ka të drejtë të legjitimojë një flamur shtetëror është, në këtë kuptim, konceptualisht i gabuar dhe jashtë çdo paradigme moderne të shkencës politike.
Një logjikë e ngjashme përjashtuese ka funksionuar historikisht edhe në raportin e Shqipërisë zyrtare me shqiptarët jashtë kufijve të saj politikë. Ky rregull përjashtimi, i ushqyer nga egocentrizmi shtetëror dhe i shndërruar gradualisht në normë intelektuale, ka rrënjë të thella në bashkëpunimin historik të një pjese të elitës politike dhe kulturore të Shqipërisë me projektet që kanë cenuar interesat e Kosovës dhe të shqiptarëve jashtë shtetit shqiptar. Me termin “Kosovë” këtu nënkuptohet hapësira shqiptare jashtë kufijve politikë të Shqipërisë, me rrënjë historike dardane, ku bën pjesë edhe veriu i Shqipërisë në një masë të konsiderueshme.
Kjo frymë antikosovare është përforcuar përmes propagandës së vazhdueshme mediatike nga transmetuesit e Shqipërisë, ku shpeshherë kanë marrë pjesë edhe intelektualë nga Kosova, nën maskën e “mbrojtjes së gjuhës shqipe”.
Togfjalëshi mashtrues “një komb, një gjuhë, një flamur” është përdorur për të thelluar bunkerizimin ideologjik të shqipes dhe për të legjitimuar përjashtimin sistematik të gegnishtes dhe të variantit gegë të Shqipërisë së mesme. Kjo logjikë kujton formulimin famëkeq të Dritëro Agollit për “Shqipërinë e brendshme dhe të jashtme” (Agolli, shkrime publicistike, vitet ’90-95), një ndarje që në thelb funksionon si diskurs hierarkizues dhe përjashtues.
Në të njëjtën linjë duhet parë edhe standardizimi i gjuhës shqipe, i paraqitur zyrtarisht si proces shkencor, por që në realitet ishte një projekt politik i mirëstrukturuar me pasoja të thella kulturore. Gjuha standarde u ndërtua mbi baza selektive dhe hierarkizuese, duke shpallur qindra fjalë e forma si “krahinore” ose “të parëndësishme” — një kategorizim ideologjik dhe jo shkencor. Siç vëren Arshi Pipa, “standardizimi i shqipes u shoqërua me një spastrim sistematik të elementeve gegë, duke e varfëruar gjuhën dhe duke e shkëputur nga tradita e saj veriore” (Pipa, Politics of Language in Socialist Albania, New York: Columbia University Press, 1989, f. 112–115).
Po aq problematike është edhe teza se Kosova duhet ta trajtojë flamurin e Shqipërisë si “flamur etnik”. Në doktrinën kushtetuese dhe në të drejtën ndërkombëtare publike, flamuri është atribut ekskluziv i sovranitetit shtetëror. Hans Kelsen thekson se “shteti ekziston vetëm aty ku ka një rend juridik autonom, i përfaqësuar edhe përmes simboleve të tij” (Kelsen, General Theory of Law and State, Cambridge, MA: Harvard University Press, 1945, f. 181). Flamuri kuqezi është flamur i Republikës së Shqipërisë dhe nuk mund të imponohet mbi një shtet tjetër sovran pa cenuar parimin e barazisë së shteteve.
Në këtë kontekst, flamuri i Dardanisë nuk ishte një shpikje arbitrare apo “private”, por një projekt simbolik shtetformues me bazë historike dhe politike. Ai synonte ndërtimin e një identiteti shtetëror të Kosovës, pa mohuar përkatësinë shqiptare.
Eric Hobsbawm e ka shpjeguar qartë këtë proces duke vënë në dukje se “simbolet kombëtare janë tradita të shpikura, të krijuara në momente kyçe të formimit shtetëror” (Hobsbawm & Ranger, The Invention of Tradition, Cambridge: Cambridge University Press, 1983, f. 1–14).
Sulmet ndaj flamurit të Rugovës janë, në thelb, sulme ndaj vetë idesë së Kosovës si shtet. Kur ky flamur paraqitet si “provokim” dhe kërkohet ndalimi i tij, kemi të bëjmë me një logjikë autoritare që synon uniformizimin simbolik. Jürgen Habermas thekson se “legjitimiteti demokratik buron nga debati racional dhe nga pranimi i pluralizmit” (Habermas, Between Facts and Norms, Cambridge, MA: MIT Press, 1996, f. 110).
Në përfundim, flamuri i Dardanisë kishte, ka dhe duhet të rikthehet si opsion legjitim për t’u konsideruar flamur i Republikës së Kosovës. Mohimi i tij nuk mbështetet në argumente shkencore, por në impulse ideologjike me rrënjë enveriste dhe neokomuniste.
Mbrojtja e shtetësisë së Kosovës dhe e të drejtës së saj për simbole të veta nuk e dobëson etninë shqiptare; përkundrazi, e forcon atë.
Në këtë kuptim, flamuri i Rugovës – më saktë, flamuri i Dardanisë – mund të konsiderohet si një nga simbolet më të plota të mundshme etnike shqiptare, ndërsa flamuri i Republikës së Shqipërisë është, në thelb, një simbol shtetëror, ashtu si edhe himni i saj, i cili është ndërtuar mbi një melodi dhe strukturë të huazuar nga tradita rumune dhe nuk përfaqëson në vetvete një shprehje të drejtpërdrejtë etnike.
Etnia shqiptare nuk dobësohet nga pluralizmi simbolik, por madhërohet përmes pavarësisë dhe forcimit të shenjave të saj autoktone, veçanërisht atyre dardane, në hapësirën ku u formësua dhe u konsolidua gjuha shqipe dhe ku u artikulua një nga bërthamat themelore të etnogjenezës shqiptare.

K O M E N T E

1 KOMENT

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu