Shqipe Bytyçi, Zvicër
Çdo verë, rrugët, qytetet e fshatrat e Kosovës dhe Shqipërisë mbushen me makina me targa të huaja, me fytyra e zëra qe s’janë parë një vit të tërë. Dhe bashkë me ta, edhe një përzierje ndjenjash, gëzim, mall, por edhe pakënaqësi e ankesa. Dëgjoj gjithandej, rezidentë qe ndihen të tejkaluar, mërgimtarë që thonë se nuk kuptohen.
Por le të ndalemi pak e ta shohim drejt, mërgimtarët vijnë ne atdheun e tyre. Vijnë në shtëpitë ku kanë lënë rrënjët, të të çmallen me njerëzit, me lagjen e fëmijërisë, me varret e të parëve, me aromën e tokës që s’e gjejnë askund tjetër.
Ata nuk janë të përkryer por as rezidentët nuk janë.
Ka diçka qe harrohet shpesh, ata zgjedhin të vijnë. Askush nuk i detyron. Mund te kalojnë pushimet kudo, ne plazhe të Mesdheut, qytete të mëdha të Evropës, udhëtime anembanë botës. Por ata kthehen këtu. Ndërsa rezidentët s’kanë zgjedhje, veç mund t’i presin me dashuri, me indiferencë, ose me përçmim.
Fluksi i mërgimtarëve nuk ka të ndalur
A nuk është e bukur kjo?
Po, disa flasin shqip te thyer, fëmijët e tyre mezi kuptojnë. Nuk është arsye për krenari, por as për tallje. Lum ne, që ata prapë e ndjejnë veten shqiptarë, mbajnë plisa, këndojnë e vallëzojnë shqip, dhe çdo verë e gjejnë rrugën për ne atdhe kur mund të ishin kudo tjetër.
Por edhe mërgimtarët duhet ta mbajnë mend, Kosova, Shqipëria nuk është Zvicra, Gjermania apo Suedia. Gjërat këtu nuk funksionojnë njësoj, nuk ecin me të njëjtin ritëm, nuk kanë te njëjtin standard. Kur vijnë, nuk mjafton të sjellin para, duhet të sjellin edhe dashuri, durim e mirëkuptim për vendin që i pret.
Jeta këtu është më e çrregullt, ndoshta më e vështirë por ky është atdheu.
E për rezidentët, këta njerëz, edhe kur duken të huaj në te folur e në sjellje, janë tonët. Është fisnikëri t’u thuash “mirë se erdhët” me zemër, t’i afrosh pranë, t’i përfshish në jetën e përditshme, e te mos i shohësh vetëm si “banka lëvizëse” apo pengesë në rrugë. Janë vëllezër e motra, edhe kur nuk janë siç do donim. Nëse i përjashtojmë, humbim të gjithë. Mërgimtaret humbin lidhjen me rrënjët dhe rezidentët humbim mundësinë të ruajne një komb të bashkuar.
Të ndihesh shqiptar nuk është vetëm flamur e foto me shqiponjë por të kesh dikë qe ta kujton çfarë do të thotë të jesh pjesë e kësaj toke në gjuhë, zemër, kujdes për njëri tjetrin. Vetëm atëherë, të gjithë do të ndihen në vendin e tyre.
___
Me 23.07.2025


