ARKIVI:
7 Mars 2026

Gjilani Vatër e Atdhetarëve dhe Luftëtarëve për Liri dhe Çlirim, trashëgimtar në histori i Bardhit të Ri (Novobrdës)

Shkrime relevante

Izraeli ka hakuar kamerat e trafikut të Teheranit dhe përdori AI për të planifikuar vrasjen e Khamenei

Ali Khamenei nuk është më. Foto: Khamenei.ir Arnt Jensvoll / Document.no Sulmi ndaj...

Nga Mësonjëtorja e Korçës te Shkollat Shqipe në Diasporë

(7 Marsi – Dita e Mësuesit) Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë 7 Marsi është një...

Arsyetimi, manipulimi, kontrolli i pushtetarëve

Nga: Aurel Dasareti Gënjeshtra kur një person me pushtet e arsyeton vetveten...

Padia në Gjykatën e Strasburgut, do të konstaton diskriminimin në pasivizimin e adresave në Luginën e Preshevës

Në foto: Gjykata e Strasburgut për të Drejtat dhe Liritë Njerëzore   Nga:...

Cili është ujku të cilin nuk po e njohim?

Fahri Xharra, Gjakovë Asnjë popull tjetër i botës në të cilën ne...

Shpërndaj

Heroi i kombit Idriz Seferi dhe luftëtarët e tij

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan

____

Rrethi i Gjilanit, që nga lashtësia e deri në ditët tona, ka qenë një vatër e ndritur e kulturës, urtësisë dhe atdhetarisë shqiptare. Kjo trevë e begatë, që mban në themelet e saj hijeshinë e qytetërimit të vjetër të Novobrdës (Bardhi i Ri) , ka ruajtur me fanatizëm shpirtin e vet fisnik, krenarinë për prejardhjen dhe dashurinë për atdheun. Novobrda (Bardhi i Ri) i lashtë, dikur një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës, tregtisë dhe zejtarive në Ballkan, la pas një trashëgimi të vyer që gjilanasit e kanë bartur brez pas brezi: kulturën e komunikimit të ndershëm, mikpritjen, mençurinë dhe respektin për vlerat e jetës.

Nga kjo trashëgimi e pasur lindi një brez njerëzish të urtë e të kulturuar, që me dinjitet e me punë e ngritën emrin e Gjilanit në të gjitha trojet shqiptare.

Por krahas urtësisë dhe kulturës, Gjilani dhe Anamorava janë njohur edhe si vatra të qëndresës e të luftës për liri. Historia e kësaj ane është e mbushur me emra që u bënë shtylla të kombit dhe frymëzim për gjeneratat që erdhën pas.

Në fillim të shekullit XX, Idriz Seferi, rilindasi e luftëtari i madh i këtyre anëve, ngriti pushkën kundër pushtuesve dhe u bë simbol i trimërisë dhe qëndresës shqiptare. Ai, me mençuri e guxim, udhëhoqi qindra burra të Anamoravës në mbrojtje të trojeve shqiptare, duke mbetur një ndër figurat më madhështore të historisë sonë kombëtare.

Krahas tij, dekada më vonë, Metush Krasniqi, mendje e ndritur dhe veprimtar i përkushtuar i çështjes kombëtare, punoi me përkushtim për ndërgjegjësimin e popullit, duke u bërë zëri i lirisë në kohë errësire. Në anën tjetër, Hasan Remniku, trimi i maleve të Karadakut, u bë shembull i qëndresës e besnikërisë ndaj flamurit kuqezi.

Po nga kjo anë e Anamoravës vie edhe veprimtari i denjë dhe luftëtari për të drejta kombëtare të shqiptarëve në ish Jugosllavi dhe bashkim kombëtar, simboli i rezistencës dhe i qëndresës, patrioti Hysen Terpeza. Në vitet e vështira të ilegales, emrat e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës shkëlqyen si yje në qiellin e errët të robërisë. Ata, me zemër të madhe e me vizion të qartë për lirinë e Kosovës, ngritën idealin e rezistencës, duke e bërë Prishtinën dhe Gjilanin qendra të frymës çlirimtare.

Edhe Zija Shemsiu, një tjetër bir i Anamoravës, u dallua si veprimtar i palodhshëm, që e jetoi jetën në shërbim të kombit dhe lirisë.

Kur erdhi koha e fundit e përballjes me pushtuesin, Gjilani sërish doli në ballë. Nga kjo trevë dolën figura që i dhanë luftës dimensionin e sakrificës supreme. Abdullah Tahiri, Hero i Kombit dhe themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte komandanti i parë i Zonës Operative të Karadakut — burrë që frymëzoi me guxim e vizion, duke u bërë simbol i organizimit dhe i besës shqiptare.

Krahas tij, Komandant Agim Ramadani, strategu i pamposhtur dhe artisti i pushkës e i penës, theu kufirin Kosovë–Shqipëri, duke hapur portën e lirisë që populli e kishte pritur për shekuj. Gjilani dhe Anamorava janë një tokë ku gërshetohen kultura e lashtë me trimërinë e pavdekshme. Këtu, në këtë truall – hapësirë të gjerë të Novobrdës (Bardhi i Ri), krisi pushka e lirisë, çdo brez ka dhënë bij e bija që kanë mbajtur gjallë emrin e kombit. Nga urtësia e qytetarëve te sakrifica e dëshmorëve, gjithçka në këtë vend flet për dashuri ndaj atdheut, për punë, për nder e për përkushtim.

Prandaj, kur përmendim emrin e Gjilanit, nuk flasim vetëm për një qytet — flasim për një histori krenarie, flasim për Novobrdën (Bardhi i Ri), pra për një shpirt që bashkon mençurinë e të lashtëve me heroizmin e të rinjve.

Gjilani është pasqyra e shpirtit shqiptar: i butë në fjalë, i urtë në sjellje, por i pathyeshëm në betejë. Kjo është trashëgimia që na vjen nga Novobrda (Bardhi i Ri) e lashtë, që frymon në çdo brez të ri — një trashëgimi që na mëson se liria nuk dhurohet, por fitohet me kulturë, dije dhe sakrificë.

Përmbyllje

O rini e Gjilanit, bij e bija të Novobrdës (Bardhi i Ri) së lashtë, mbajeni gjallë flakën që ndezën të parët tanë!

Ruajeni me krenari urtësinë e qytetit tuaj, dhe mos e lini kurrë të shuhet dashuria për atdheun. Ky vend është amanet, është gjak e shpirt që flet, është këngë që lind nga Mali i Zi (i Karadakut) dhe shtrihet deri në Binqë e Pogragjë.

Në çdo gur të kësaj toke është e shkruar historia jonë, në çdo frymë të erës ndihen emrat e atyre që ranë për liri.

Luftëtarët tanë nuk kërkuan lavdi, por drejtësi dhe jetë të denjë për fëmijët e këtij vendi. Ata na lanë një porosi të shenjtë: Të ruajmë gjuhën, kulturën dhe nderin kombëtar.

Prandaj, sot e përgjithmonë, le të jemi krenarë që jemi gjilanas e anamoravas, trashëgimtarë të Novobrdës (Bardhi i Ri); pasardhës të Idriz Seferit, Metush Krasniqit, Kadri Zekës, Hasan Remnikut, Hysen Terpezës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës, Zija Shemsiut, Abdullah Tahirit e Agim Ramadanit dhe shumë veprimtarëve e luftëtarëve të tjerë të çështjes kombëtare nga Gjilani dhe Anamorava.

Emrat e tyre janë dritë që s’shuhet kurrë, janë frymë që na mban gjallë, janë zë që thërret: “Mos e harroni rrugën e lirisë, se ajo është rruga e nderit dhe krenarisë sonë kombëtare.”

K O M E N T E

1 KOMENT

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu