
Sak Muji, Rugovë
____
Që nga dita kur Kosova u shpall e pavarur, u tha se më në fund do të kishim drejtësi tonën, gjykata tona, shtetin tonë ligjor. U tha se do të shkëputeshim nga trashëgimia e dhunës, nga mendësia e pushtetit që dënonte sipas urdhrit dhe jo sipas ligjit. Dhe pastaj erdhën UNMIK-u e EULEX-i, me konkursin e famshëm për “gjykatës e prokurorë me përvojë”.
Kushti kryesor?
Të kenë së paku 20 vjet përvojë pune.
Haaa… një kërkesë brilante!
Vetëm se askush nuk e pyeti: 20 vjet përvojë ku?
Në cilin sistem?
Në cilën drejtësi?
Dhe ja ku ndodhi mrekullia kosovare: në emër të “drejtësisë së re”, u rikthyen pikërisht ata që kishin shërbyer në drejtësinë e vjetër. Ata që kishin firmosur aktgjykime kundër nesh. Ata që na kishin dënuar neve – studentëve të vitit 1981 – me burgje nga 6 deri në 15 vjet. Ata që kishin qenë pjesë e makinerisë që e quante lirinë “armiqësi” dhe kërkesën për barazi “krim”.

Pra, shteti i ri filloi me drejtësinë e vjetër.
Vetëm se tani, mbi derë u vendos një tabelë e re:
“Gjykatë e Pavarur e Republikës së Kosovës.”
Ironia është e përsosur.
Ne, që kemi kaluar qelitë, hetuesit, sallat e gjyqit, e dimë mirë se çfarë do të thotë “gjykatë e pavarur” kur pavarësia është vetëm në letër. E dimë si duket drejtësia që flet me gjuhë ligjore, por mendon me mendësi politike. E dimë sepse e kemi jetuar mbi lëkurën tonë.

Dje na dënuan neve në emër të “rendit kushtetues”.
Sot flasin për “shtet ligjor”.
Dje ishim “armiq të shtetit”.
Sot jemi “nostalgjikë” që guxojmë të kujtojmë.
Dhe ja ku jemi sot: në një shtet që quhet i pavarur, i njohur nga mbi 120 shtete, por që shpesh sillet si një krijesë hibride – një shtet sui generis, ku gjithçka është formalisht demokratike dhe realisht e brishtë.
Sot lexojmë për dyshime manipulimi të votave.
Sot lexojmë për vendime të Gjykatës Kushtetuese që edhe ish-anëtarët e saj i quajnë të rrezikshme për lirinë e votës.
Sot mësojmë se ajo që dje ishte “zgjidhje për zhbllokim”, sot quhet “shkelje kushtetuese”.
Pra, në Kosovë rregullat nuk janë rregulla – janë dispozitë e përkohshme politike.
Precedenti nuk vlen si precedent.
Ligji nuk është kod – është interpretim sezonal.
Deputeti qenka i lirë të votojë…
por vetëm brenda kornizës së detyrimit:
ose voton kë duhet,
ose mban shtetin peng.
Kjo s’është zgjedhje.
Kjo është presion i paketuar si demokraci.

E kur edhe ish-gjykatësit dalin e thonë se “liria e votës është në rrezik”, atëherë duhet të pranojmë një të vërtetë të hidhur: ne nuk kemi krizë vetëm politike – kemi krizë të kuptimit të drejtësisë.

Në këtë vend, drejtësia shpesh sillet si moti:
një ditë me diell kushtetues,
ditën tjetër stuhi interpretimesh.
Ndërsa ne – ata që u dënuam dikur nga “gjykata të pavarura” të një sistemi tjetër – shohim me trishtim se fryma nuk ka ndryshuar sa duhet. Vetëm emri. Vetëm flamuri mbi mur. Vetëm vula.
Vendimet respektohen, sepse shteti pa respektim vendimesh nuk ekziston.
Por respekti i qytetarëve fitohet vetëm me drejtësi të barabartë,
jo me riciklim të mendësive,
jo me gjykata që ndërrojnë standardin sipas interesit,
jo me liri që vjen me kushte.
Ne nuk kërkojmë hakmarrje.
Ne kërkojmë kujtesë.
Sepse populli që harron se kush e ka dënuar, rrezikon të dënohet sërish – këtë herë në emër të demokracisë.
— smuji’26



I ndershmi z. S. Muji, pershendetje!
Sot lexova nje koment nga nje njeri anonim qe me te vertete me pelqeu. Ai shkruan se nje dite, Gjykata Kushtetuese e Kosoves, edhe pavaresine e Kosoves ka me e shpall si antikushtetuese.
Faleminderit e diten!
Ata qe kundershtojne vendimet e organit me te larte te shtetit, ne kete rast te Gjykates Kushtetuese nuk jane perkrahes te rregullit dhe disiplines shteterore por jane perkrahes te rremujes shteterore dhe te anarkisë.
Thene shkurt ata jane shkaterruesit e shtetit tonë.
I nderuar z. Sinan Kastrati dhe i nderuar albert, ju falënderoj për komentet dhe për tonin qytetar.
Z. Sinan, ajo fjalia e “anonimit” është më shumë një paradoks për të provokuar mendimin sesa një realitet juridik: pavarësia është çështje historike e politike, ndërsa Gjykata Kushtetuese merret me kushtetutshmërinë e akteve brenda rendit juridik. Pra, edhe kur ka polemika, rëndësi ka ta mbajmë debatin me arsye e jo me nerv.
Albert, pajtohem që institucionet dhe vendimet e tyre duhen respektuar, sepse pa rregull s’ka shtet. Por njëkohësisht, kritika e argumentuar ndaj vendimeve (kur bëhet me fakte e me gjuhë të matur) nuk është anarki—përkundrazi, është pjesë e kulturës demokratike. Rrezik bëhet kur kritika shndërrohet në fyerje, përçarje ose thirrje për mosbindje.
Le ta ruajmë këtë vijë të artë: respekt për institucionet + e drejtë për mendim të lirë, gjithmonë me qytetari. Ju përshëndes vëllazërisht dhe ju uroj mbarësi!
smuji’26