ARKIVI:
7 Mars 2026

Hasan Kaleshi, ishte zëdhënës i historiografisë Serbe e Turke

Shkrime relevante

E kam përkrahë Vjosën por ajo kujtofti se s’ka shtet pa qenë hija e saj si bajrak mbi çati!

Nga: Çun Lajçi Mall i kotë për një atdhe të lodhun Me vetveten...

I forti dhe i ligu në shoqëri dhe servili në detyrë

Nga Safet Sadiku _____ Në shoqëritë ku administrata shtetërore është e dobët, ku...

Izraeli ka hakuar kamerat e trafikut të Teheranit dhe përdori AI për të planifikuar vrasjen e Khamenei

Ali Khamenei nuk është më. Foto: Khamenei.ir Arnt Jensvoll / Document.no Sulmi ndaj...

Nga Mësonjëtorja e Korçës te Shkollat Shqipe në Diasporë

(7 Marsi – Dita e Mësuesit) Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë 7 Marsi është një...

Shpërndaj

“Seoba srba…” (“shpërngulja e serbëve” nga Kosova…Një shpifje e madhe historike serbe, si të gjitha interpretimet historike të tyre. Në këtë pikturë shihet se të shpërngulurit nuk ishin “serbë”, por shqiptarë. Këtë tezë e vërtetojnë të gjitha faktet historike. “Migrimet e mëdha të serbëve”, ishin në fakt migrimet e mëdha të popullatës shqiptare nga territore të ndryshme nën Perandorinë Osmane drejt Mbretërisë së Hungarisë nën sundimin e monarkisë Habsburge. Këto shpërngulje të dhunshme kanë ndodhur në vitin 1690 dhe në vitet 1737–1739.

Migration of the Serbs (“Shpërngulja Serbe”, është punim i artistit Paja Jovanović (1896)

Nikollë Loka, historian, Tiranë

Vetëm Hasan Kaleshi nuk e dinte se latinishtja e vjetër dhe greqishtja e vjetër në shekullin XIV ishin gjuhë kulture që nuk fliteshin më nga asnjë popull.

Vetëm Hasan Kaleshi nuk e dinte se emrat e njerëzve në të gjithë Europën ishin kryesisht të krishterë, të përshtatur sipas parimeve të gjuhëve përkatëse.

Përsa i përket shpikjes së tij se shqiptarët në Kosovë kanë qenë 4-5 përqind, do të paraqes punimin shkencor të Alain Ducellier, para të cilit mentorët e Hasan Kaleshit, serbë apo turq e të gjithë së bashku ndihen nxënës. Them serbë dhe turq, pasi Hasan Kaleshi vetëm sa e solli i pari në shqip këtë tezë.

Historiani i shitur Hasan Kaleshi…!

“Tezën” e Hasan Kaleshit, këto ditë e rimori Milazim Krasniqi, e para tij hoxha Irfan Salihu.

Ajo që mund të pohohet pa asnjë mëdyshje, lidhet me hapësirën e madhe që iu dha deklaratave të tilla te hoxhes Irfan Saliu nga makineria propagandistike e Beogradit. Të gjitha mediat serbe vërshuan me titullin bombastik: “Të dhëna të reja historike!!! Hoxha Irfan Salihu: Në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë -ata i sollën turqit” ( tekstualisht në gjuhën serbe: Novi historijskipodaci !!! Hodža IrfanSalihu: Na KosovunijebiloAlbanaca – njih sudoveliTurci! Shih: http://www.info-ks.net/…/hodza-irfan-salihu-na-kosovu…).

E ritheksoj se teza serbo-turke e 4-5 përqindëshit u shërben serbëve për të legjitimuar pretendimet mbi Kosovën dhe turqve për t’u rehabilituar para shqiptarëve, sikur ata “ua morën serbëve dhe ua dhanë shqiptarëve”,-siç e thekson hoxhë Irfan Salihu dhe disa hoxhallarë të tjerë. Dhe në vitin 1913, kur turqit ua dorëzuan serbëve, në kushtet e pamundësisë për ta mbajtur, gjoja “sebët morën tokat e tyre”, pra turqit dalin të larë. Po, që turqit të dalin të larë, ky është shqetësimi i disa hoxhallarëve që u bëhen argat jo vetëm turqve, por indirekt edhe serbëve, si mbështetës të pretendimeve të tyre.

Imami i BIK-ut, Irfan Salihu

Përsa i përket tezës serbo-turke, që e kanē përhapur Serbia dhe Turqia me anē të Hasan Kaleshit, Irfan Salihut, Milazim Krasniqit etj, po publikojme artikullin e bizantologut Alain Ducellier, historian francez, ndër më të shquarit e shek. XX.

Alain Ducellier u formua në shkollën e mjeshtrit të madh të studimeve bizantine, Paul Lemerle dhe për shumë vjet drejtoi Institutin e Studimeve Bizantine në Universitetin Le Mirail të Toulouse-s. Është autor i mëse 20 monografive dhe i një numri shumëfish artikujsh shkencorë mbi Bizantin e botën bizantine, përkthyer e botuar në disa gjuhë e në revistat më të njohura shkencore të specializuara. Solli një qasje të re metodologjike në këto studime, duke u nisur nga periferitë për të shkuar drejt qendrës së perandorisë duke i kushtuar një vëmendje, deri atëherë të munguar, provincave bizantine. Kështu, falë njohjes sovrane të gjuhëve e të kulturave të të gjithë popujve të përfshirë në Perandorinë Bizantine, Ducellier zbuloi dhe tregoi historitë “arabe”, “sllave”, “greke”, “italiane” e sidomos “shqiptare” të asaj perandorie.

Pikërisht në kuadrin e hulumtimeve të tij për historinë bizantine, A. Ducellier e tërhoqi veçoria e jashtëzakonshme e Shqipërisë, kësaj province periferike të Perandorisë Bizantine, që qëndronte midis Lindjes e Perëndimit dhe që kontrollonte arteriet kryesore të komunikimit midis Romës së Lindjes dhe Romës së Perëndimit, rrugën ‘Egnatia’ e Kanalin e Otrantos. Studimet e shumta për Shqipërinë që rezultuan nga interesi i tij shkencor për të dhe për popullin e saj, i dhanë atij emrin e njohësit absolutisht më të mirë të Mesjetës shqiptare (Paul Gautier). Mes tyre shquhet vepra monumentale Fasada bregdetare e Shqipërisë në Mesjetë: Durrësi dhe Vlora nga shek. X në shek. XV (1981), të cilën Paul Lemerle e ka quajtur kontribut të çmuar për historinë kombëtare të Shqipërisë, realizuar nga një studiues i pajisur me kuriozitet historik të jashtëzakonshëm dhe me sens të hollë për të kapur e për të vlerësuar ndikimet e ndërveprimet, përqasjet e kundërvëniet.

Kjo vepër, së bashku me Shqipëria midis Bizantit e Venedikut (1989) e të tjera studime të Alain Ducellier, ndërsa marrin në analizë marrëdhëniet e shqiptarëve me botën lindore bizantine dhe me atë perëndimore latine, vendosin në qendër të saj pikërisht shqiptarët, institucionet e strukturat e tyre politike, sociale, juridike. Jo vetëm, por i bindur në rëndësinë e posaçme gjeopolitike të shqiptarëve, në veprat përgjithësuese kushtuar historisë së Perandorisë Bizantine, si Bizanti dhe bota ortodokse, Bizanti shek. IV-XV, Evropa tjetër, Konstandinopoja etj., A. Ducellier i ka dhënë vend të dukshëm edhe Shqipërisë dhe shqiptarëve, gjë që bizantinistë të tjerë nuk e kishin bërë më parë.

Vepra albanologjike e A. Ducellier përmban risi të rëndësishme në krahasim me studiues të tjerë të shquar të historisë mesjetare shqiptare, siç janë C. Jireçek e M. Šufflay. Ducellier nuk e kufizoi objektin e analizës së tij vetëm në hapësirën e shtetit të Arbrit, të përfshirë brenda katërkëndëshit Vlorë-Ohër-Prizren-Tivar. Ai e hetoi faktorin shqiptar në të gjithë hapësirën jetësore të tij: në territoret e shtetit të sotëm të Shqipërisë, në Kosovë, në Mal të Zi e në Epirin e Vjetër. Përveç kësaj, në një sërë studimesh të posaçme Ducellier ka shkruar historinë e emigracionit mesjetar shqiptar në Greqi, në Italinë e Jugut, në Marke, në Venedik, në Dalmaci (Shqiptarët në Greqi në shek. XIII-XV; Rrugët e mërgimit. Përmbysjet e mëdha në Evropën lindore dhe valët emigruese drejt Perëndimit në fund të Mesjetës). Si ndjekës i shkollës së analeve, që revolucionarizoi historiografinë moderne, ai zbatoi metodat më të përparuara të kërkimit shkencor, siç është ajo e përkufizimit gjeografik të objektit të studimit (gjeografia historike), dhe e analizës shumëplanëshe: gjeopolitike, ekonomike, sociale e etnokulturore. Vepra e tij ka plotësuar ka rektifikuar e reinterpretuar momente të rëndësishme të Mesjetës shqiptare. Ducellier nuk u mjaftua të ishte ai vetë studiuesi i apasionuar i Mesjetës shqiptare. Ai e ktheu Institutin bizantinistik të Universitetin të Tuluzës, në një shkollë ku nën drejtimin shkencor të tij u formua një aradhë e tërë historianësh albanologë, si Brunehilde Imhaus, Bernard Doumerc, Christine Minvielle-Debat, Jean de Miceli e të tjerë. Nga ana e tyre, të gjithë këta u bënë autorë e bashkautorë veprash të rëndësishme për Mesjetën shqiptare.

Duke filluar nga viti 1962, Alain Ducellier ka vizituar shumë shpesh Shqipërinë. Ka marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare të organizuara nga Akademia e Shkencave në Tiranë, si në Konferencën II Albanologjike mbi Gjergj Kastriotin-Skënderbeu (1968), në Konferencën mbi shtetin e Arbrit (1990), në Konferencën mbi Kosovën (1993). Ai ka vizituar qendrat historike e arkeologjike, nga veriu në jug të vendit, duke fituar një njohje të shkëlqyer të terrenit që i ka shërbyer mjaft inkuadrimit të saktë të ngjarjeve të përshkruara në studimet e tij mbi Shqipërinë mesjetare.

Për meritat e tij të veçanta në studimin e historisë së Mesjetës shqiptare Alain Ducellier është nderuar me mirënjohje të larta të shtetit shqiptar. Ai është anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Gjenerali i Serbisë Bozhidar Jankoviq i lumturuar pas masakrës së Lumës në malsinë e Kuksit. Emrin e këtij gjenerali famëzi serb , si “Gjeneral Jankoviq”, e ka mbajt për dhjetëvjetsha detyrimisht Hani i Elezit, deri më 12 qershor 1999…!

Po le të kalojmë në “punimin shkencor” të Hasan Kaleshit

Pas shpërbërjes së shtetit të Stefan Dushanit, u krijua mundësia për të depërtuar te fisnikëria shqiptare që po forcohej. Edhe te familjet Gropa, Muzaka, Thopia, Dukagjini dhe madje edhe më vonë te Kastriotët, nuk gjejmë asnjë element që të dëshmojë se këta kanë qenë feudalë tipikë shqiptarë. Tek ata nuk është e mundur të gjenden emra tipikë shqiptarë. Ata kanë lindur nga gra të huaja. Të gjithë këta përdornin gjithashtu një gjuhë të huaj në korrespondencën e tyre: Muzakajt përdornin greqishten; Thopiajt dhe Kastriotët greqishten, latinishten dhe sllavishten; Balshajt përdornin latinishten dhe sllavishten. Oborri i Skënderbeut shkruante në gjuhët greke, latine dhe sllave, dhe nga ky oborr nuk ka mbetur asnjë fjalë e vetme e shkruar në shqip. Për më tepër, këta feudalë ishin vazhdimisht në gjendje lufte me njëri-tjetrin. Tek ta nuk ekzistonte asnjë vetëdije shtetërore; Skënderbeu vetëm me përpjekje të mëdha arriti t’ua impononte vullnetin e tij dhe të njihej prej tyre si udhëheqësi më i madh.

Nëse merren parasysh të gjitha këto fakte, arrihet domosdoshmërisht në përfundimin se shqiptarët, të ngjeshur në zonën malore që shtrihej nga Ulqini, përmes Shkodrës, Matit dhe Ohrit deri në Vlorë, u vunë nën një proces asimilimi shumë të ashpër, të ushtruar nga sllavët, grekët ose romakët, në varësi të vendit ku ishin vendosur. Deri në ardhjen e turqve në Ballkan, shqiptarët gjendeshin nën kushte politike, kulturore dhe kishtare jashtëzakonisht të pafavorshme; ardhja e turqve më pas shkaktoi ndryshime të mëdha politike, etnike dhe kulturore. Duhet shtruar pyetja nëse shqiptarët do të kishin mundur t’i rezistonin këtij procesi asimilimi, në rast se turqit nuk do të kishin hyrë në Ballkan me forcë dhe nëse shtetet bizantine dhe serbe do të kishin vazhduar të ekzistonin. Sipas mendimit tonë, ata nuk do të kishin mundur t’i rezistonin. Në mesin e shekullit XV, përparimi i detyruar i turqve dhe rrëzimi i shteteve të krishtera ballkanike jo vetëm që e ndërpreu këtë proces asimilimi, por bashkë me këtë ndërprerje, pamja etnike në rajonet me popullsi kryesisht shqiptaro-sllave dhe serbo-sllave filloi gradualisht të ndryshojë. Mund të thuhet se përhapja e turqve drejt veriut ka ecur paralelisht me zgjerimin e zonave të vendosjes shqiptare. Këtë do ta tregojmë me shembuj.

Le të fillojmë me Kosovën. Për këtë rajon disponojmë të dhëna të sakta nga një regjistër kadastral i vitit 1455, që i përket pronave të Brankoviçit. Ky regjistër, së bashku me të dhënat që do të paraqiten më poshtë, e rrëzon pretendimin që ende është i rrënjosur në historiografinë serbe, sipas të cilit deri në luftën austro-turke të viteve 1683–1699 nuk ka pasur shqiptarë në mesin e popullsisë që banonte në Kosovë. Nëse u hedhim një vështrim të kujdesshëm emrave dhe mbiemrave të kryefamiljarëve të regjistruar, shohim se në rreth tetëdhjetë nga 646 vendbanimet e regjistruara gjenden emra shqiptarësh. Djonoğlu Kojica, Radica Arbanas, Gerdaş Arbanas, Bogdan Arbanasoğlu, Ivan Mazrekuoğlu, Todor Arbanasoğlu, Dimitrije Arbanas etj. Ajo që është edhe më interesante është fakti se këtë popullsi shqiptare e gjejmë në fshatra brenda Kosovës, në nahijen e Moravës, shumë larg zonave që konsiderohen si rajone përzierjeje serbo-shqiptare. Një situatë krejtësisht e ngjashme konstatohet edhe në Maqedoninë Perëndimore në vitin 1487.

Në zonën kufitare serbo-shqiptare gjendja ishte ndryshe. Nga një statistikë e popullsisë e vitit 1482, që i përket nahijes së Altun-Ilisë (në rrethinat e sotme të Gjakovës), mësojmë se në zonat malore mbizotëronte popullsia sllave, ndërsa në zonat fushore, në kundërshtim me atë që pritej, elementi shqiptar ishte numerikisht më i madh. Megjithatë, po të analizohen dendësia e vendbanimeve dhe numri i popullsisë, konstatohet se në Kosovë numri i shqiptarëve nuk e kalonte 4–5% të popullsisë së përgjithshme. Rreth 90% e popullsisë përbëhej nga sllavët.

E VËRTETA SHKENCORE PËRBALLË FALLSIFIKIMEVE SERBE DHE TURKE

A e pushtuan shqiptaret Kosovën?!

Alain Ducellier

…Së fundi një argument i tillë nuk do t’u shërbente aspak ithtarëve të “tezës serbe”, sepse shumica e toponimeve sllave të Kosovës, – si edhe ato të Shqipërisë, – janë më tepër bullgare sesa serbe, gjë që është krejtësisht e natyrshme, meqë bullgarët e kishin pushtuar rajonin qysh në sh. IX dhe, veçanërisht, në sh. X, në apogjeun e perandorisë së fundit bullgare, që kishte si kryeqytet Ohrin. Në këtë kohë serbët ishin ende larg Kosovës: në të vërtetë në sh. IX dhe X, formacionet e tyre koherente janë Rashia, në luginën e Ibarit, në perëndim të Moravës, si edhe Zeta, e cila i përgjigjet, në mënyrë të përgjithshme, Malit të Zi: Vetëm në kohën kur princi Stepan, mori kurorën mbretërore, në vitin 1217, Shteti serb u zgjerua dhe vuri dorë në rajonin e Pejës (Peç), ndërsa tërësia e Kosovës mbeti në atë kohë jashtë kufijve të Stepanit. Pra, mos të këmbëngulet më kot: çdo argument i tipit “historik” nuk mundet veçse të kthehet kundër tezës “serbe”, sepse Historia na mëson se serbët janë, në lidhje me Kosovën, pushtues të ardhur shumë vonë.

Ilirët: padyshim stërgjyshërit e shqiptarëve

Le të flasim hapur: në Ballkan, më shumë se kudo gjetkë, nuk ka ndonjë argument tjetër të mbështetur, për të përcaktuar përkitjen kombëtare të kësaj apo asaj krahine sesa verbali i pushtimit të tanishëm të një shumice kombëtare, të njohur në formën e duhur; në këtë kuptim Kosova, që sot banohet nga një popullsi dy të tretash shqiptare (artikulli është botuar në Paris, në vitin 1981, – p.) del qartësisht e konsideruar shqiptare. Dhe kjo jashtë çdo ideje të lidhjes me entitetin politik që quhet “Shqipëri”. Çdo të thuhej, në të vërtetë, nëse do të vërenim një shumicë gjermanike në Alsas për ta bërë atë një krahinë gjermanike, në kuptimin politik të termit?

Këto qasje evidente bëjnë të peshohet rreziku i përdorimit të argumenteve “historike” për të mbështetur të drejtën e një populli që të zotërojë trojet që ka humbur apo që tani nuk i zotëron më, veçse duke qenë në pakicë: dihet roli që ka luajtur ideja e atdheut “origjinal” në gjenezën dhe në përligjjen e Izraelit.

Megjithatë, kur shohim këmbënguljen me të cilën përdoret argumenti historik për të provuar që serbët kanë “një të drejtë” ndaj Kosovës, duke pasë qenë banorët më të hershëm të saj, por të zhvendosur më vonë nga shqiptarët, nuk është keq që të tregojmë se, për herë të parë, historia dhe gjendja e tanishme përputhen.

Në një artikull të kohëve të fundit, Mishel Obeni (Michel Auben), ky na kujton se Kosova përbënte “qendrën ekonomike dhe politike të mbretërisë mesjetare serbe në shekujt e trembëdhjetë dhe të katërmbëdhjetë 1); paskësh qenë, pra, vetëm fitorja turke e cila, pasi i kishte dëbuar serbët nga tokat më të mira, i kishte shtrënguar (serbët, -p.), pastaj, veçanërisht në vitin 1690 dhe 1738, që të emigronin drejt Hungarisë jugore. Dhe turqit na i paskan plotësuar vendet bosh me elementë të islamizuar, të ardhur nga Shqipëria e Veriut!

Mos të ngulmojmë në faktin se vendosja e një qendre të pushtetit politik dhe ekonomik në një truall të dhënë, nuk garanton aspak, sidomos në Mesjetë, karakterin zotërues etnik nga ana e atyre që mbajnë autoritetin politik: Kështu despotati i vogël “serb” i Serresit, në Greqinë e Veriut, mundi të zotërojë nga viti 1355 gjer në vitin 1371, mbi një popullsi me shumicë greke 2). Është thënë shumë se nacionalizmi është një shpikje moderne, fatmirësisht e panjohur nga popujt mesjetarë, që nuk ishin aq të ndjeshëm sa ne për karakterin “e jashtëm” të atyre që mund t’i zotëronin përkohësisht.

Le të pranojmë, ndërkaq, se serbët ishin në shumicë në Kosovë ne shekullin e trembëdhjetë: por atëherë nuk mund të ndaloheshim që të pyesnim edhe se kush e banonte krahinën më parë. Të gjithë e dinë se sllavët janë populli indoevropian që ka ardhur më vonë në Europë, sepse ardhjet e njëpasnjëshme të pushtimeve të tyre u përkasin shekujve VI dhe VII 3). Dihet, gjithashtu, se në atë kohë, shumë shekuj të romanizimit nuk kishin mundur, sakaq, të zhduknin popullatat e vjetra autoktone, Dakët në Rumani, Thrakët në Bullgari, Ilirët në Dalmaci, në Shqipëri dhe më Maqedoni. Për të ardhur te Kosova, askush nuk e mohon se qysh prej shekullit XVIII para erës sonë, kishin lindur dhe ishin zhvilluar shumë formacione politike ilirë të cilat hap pas hapi kaluan nga gjendja tribale në statusin e mbretërive të vërteta të vogla dardane, peneste, paeoniane, për të mos përmendur veçse më të rëndësishmet 4). Tani punimet më të fundit, si gjuhësore ashtu edhe arkeologjike, të gjitha provojnë sot se ilirët janë, pa asnjë dyshim, stërgjyshërit e drejtpërdrejtë të shqiptarëve 5). Për sa i takon arkeologjisë, studimet e qeramikave dhe të stolive (vathë, karfica, unaza, tokëza rrobash), provojnë se ka një vazhdimësi të jashtëzakonshme në trajtat dhe në teknikat e nekropoleve ilire antike dhe në zbulimet në qytetet mesjetare që u përkasin shekujve VI – VII të erës sonë (Kalaja e Dalmacës në Pukë dhe sidomos Kruja): kaq është e vërtetë kjo sa arkeologu jugosllav B. Coviçi i çmoi materialet e Kalasë së Dalmacës si të shekujve VI dhe VII para erës sonë 6). Na duhet të kujtojmë se gërmimet në Kalanë e Dalmacës filluan në shekullin e fundit dhe në atë kohë thuhej se ato ishin dëshmi të “civilizimit të lashtë sllav”. Por është krejtësisht e sigurt që kjo vazhdimësi iliro-shqiptare nuk del vetëm në truallin e tanishëm të Shqipërisë: zbulimet e bëra në nekropolet e Mjeles, pranë Virpazarit, në Malin e Zi dhe në të dy qytetet e rajonit të Ohrit, në Maqedoni, kanë lejuar që të dalin në dritë objekte që i përkasin të njëjtit civilizim . Është e kuptueshme se vetëm aktiviteti jashtëzakonisht i madh i arkeologëve shqiptarë pas Luftës, duhet marrë parasysh për të shpjeguar bollëkun më të madh të gjetjeve të bëra në truallin kombëtar.

Serbët në Kosovë: jo në sh. VII, por në atë të XIII!

Në mungesë të çdo dokumenti që do të provonte asgjësimin apo emigrimin e popujve ilirë vendorë në kohën e pushtimeve sllave, është e natyrshme që të mendojmë se Kosova gjatë gjithë Mesjetës së hershme, si edhe vetë Shqipëria, e kishte ruajtur në mënyrë të pandërprerë një popullsi thelbësisht ilire, domethënë shqiptare. Sigurisht që kemi edhe një dukuri sllavizmi, në të cilin toponimia është dëshmitari më i mirë; por dihet se toponimia është një argument me pak vlerë për të përcaktuar etninë e një popullate: le të mendojmë edhe një numër të madh toponimesh sllave që ndodhen në vetë Shqipërinë, por askush nuk mbështet mendimin se popullata ka pasë qenë ndonjëherë sllave në shumicë. Së fundi një argument i tillë nuk do t’u shërbente aspak ithtarëve të “tezës serbe”, sepse shumica e toponimeve sllave të Kosovës, – si edhe ato të Shqipërisë, – janë më tepër bullgare sesa serbe, gjë që është krejtësisht e natyrshme, meqë bullgarët e kishin pushtuar rajonin qysh në sh. IX dhe, veçanërisht, në sh. X, në apogjeun e perandorisë së fundit bullgare, që kishte si kryeqytet Ohrin. 9). Në këtë kohë serbët ishin ende larg Kosovë: në të vërtetë në sh. IX dhe X, formacionet e tyre koherente janë Rashia, në luginën e Ibarit, në perëndim të Moravës, si edhe Zeta, e cila i përgjigjet në mënyrë të përgjithshme Malit të Zi: Vetëm në kohën kur princi Stepan, mori kurorën mbretërore, në vitin 1217, Shteti Serb u zgjerua dhe vuri dorë në rajonin e Pejës (Peç), ndërsa tërësia e Kosovës mbeti në atë kohë jashtë kufijve të Stepanit. Pra, mos të këmbëngulet më kot: çdo argument i tipit “historik” nuk mundet veçse të kthehet kundër tezës “serbe”, sepse Historia na mëson se serbët janë, në lidhje me Kosovën, pushtues të ardhur shumë vonë.

Pushtimi serb a mundi ta zhdukë popullsinë e vjetër iliro shqiptare?

Në fakt, janë vetë tekstet serbe ato që na provojnë të kundërtën: në vitin 1348, një donacion që i bëri car Stepan Dushani IX manastirit të Shën Mihalit dhe Gabrielit në Prizren na provon se rreth këtij qyteti kishte së paku 9 fshatra, që cilësoheshin si shqiptare (arbanas) 10). Në vitin e mëparshëm, kodi i famshëm që kishte shpallur po ky sovran, shprehte shqetësimin për një dinamizëm të jashtëzakonshëm të shqiptarëve, të cilëve mundohet t’u kufizojë vendosjen në tokat e veta 11). Le të saktësojmë që, nëse shqiptarët quheshin prej kohësh si nomadë, kjo me siguri nuk mendohej kështu sepse ata ishin “barinj të hershëm” por thjeshtësisht sepse ata ishin katandisur në këtë gjendje nga trysnia ekonomike dhe politike që ushtronte populli zotërues (që dominonte). Tanimë, në vitin 1328, ndodhte e njëjta gjë në rajonet Diabolis, Koloné dhe në Ohër ku Zhan Kantakyzeni tregon për takimin e pernadorit bizantin, Adronikut III me “shqiptarët nomadë” të Maqedonisë qendrore 12). Nuk ka asnjë dyshim se dominimi serb ishte tepër i rëndë për shqiptarët që duheshin nënshtruar; me gjithë qëllimet propagandistike të autorit, ka doemos të vërteta në ato që shkruante, andej nga viti 1932, një propagandist i kryqëzatës, Gijomë d’Adami: “meqë ata popuj, qofshin latinë apo shqiptarë janë shtypur nga një zgjedhë e padurueshme dhe tepër e rëndë e senjorëve sllavë që u marrin shpirtin me taksa të shumta, që keqpërdorin klerin dhe i vënë nën hekura fisnikët e shpronësuar. Këta të fundit, të gjithë së bashku apo individualisht mendojnë se do t’i pastronin duart e tyre po t’i zhytnin në gjakun e atyre sllavëve që vepronin kësisoj” 13).

Shtojmë edhe se autorët bizantinë janë shumë të ndjeshëm për njëjtësimin e popullit, që nga Shqipëria gjer në Maqedoni: historiani Laonikos Kalkokondilis, që shkruante në sh. XV, pasi nënvizonte se shqiptarët e kohës së tij janë mjaft të ndryshëm nga serbët dhe nga boshnjakët 14), përfundon se nuk ka ndonjë popull tjetër i cili, më shumë se shqiptarët, t’u përngjasë maqedonasve 15).

Idriz Seferi në Kaçanik…

Shqiptarët bënë qëndresë

Mësymja turke nis në këtë kontekst, në gjysmën e dytë të sh. XIV dhe e vërteta është se në këto ngjarje shqiptarët mundën të riafirmohen në Kosovë, por me siguri jo në atë mënyrë siç janë paraqitur gjerat zakonisht: në vend që të hipnin në “vagonin e mallrave të armikut”, popullsia shqiptare, që nga Liqeni i Shkodrës e përtej në Kosovë, u bë bllok me popujt e tjerë të krishterë. Për goditjen vendimtare të 1389-s, autorët grekë përmendin, përveç serbëve dhe bullgarëve, edhe shqiptarët e veriut, ata të Himarës, të Epirit dhe të brigjeve detare 16). Kronikat turke të Idriz Bitlisit përmendin veçanërisht pjesëmarrjen e shqiptarëve të krahinës së Shkodrës, princi i të cilëve, Gjergj Balsha, kishte dërguar në luftë 50.000 veta 17). Të njëjtat njoftime gjenden edhe në kronika të tjera otomane, si në ato të Aliut dhe të Saadedinit 18).

Shqiptarët e varur nga “vëllezërit turq” në Manastir…!

Shqiptarët nuk ishin aspak të prirur që t’u nënshtroheshin otomanëve

Disfata e vitit 1389, duke çorganizuar tërësisht Shtetin serb, u la fushë të lirë senjorëve vendorë më të shkathët, ndërmjet të cilëve edhe princave shqiptarë të Veriut dhe të Verilindjes: më i shquari është Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut, i cili nga krahinat e sipërme të Matit, mundi në fund të sh. XIV dhe në fillim të sh. XV, që të shkëpusë një principatë të gjerë që shkonte nga grykëderdhja e Ishmit gjer në Prizren, në zemër të Kosovës: si pasojë, në vitin 1420, ai u mundësoi raguzianëve një privilegj tregtar, “që nga brigjet gjer në tokat e veta, e gjer në Prizren” 19). Ky pushtet i ri shqiptar sigurisht që pati ndikimin e vet për zhvillimin e një klase tregtare në gjirin e popullsisë, që ishte gjer në atë kohë mjaft e rrënuar: arkivat e Raguzës (Dubrovnikut) provojnë, për shembull, se një numër tregtarësh shqiptarë të Raguzës tanimë qëndrojnë me dëshirë në Kosovë: në marsin e vitit 1428, kemi rastin e Marko de Tanit të cilit Republika i dërgon një letër në Prishtinë 20); madje, edhe pas nënshtrimit të Kastriotëve ndaj turqve, gjendet ende, në të njëjtin qytet, në vitin 1448, tregtari shqiptar Çymo Mati de Tani 21).

Kështu nuk kemi asnjë arsye që të mendojmë se otomanët, në këtë fazë të fitores, u mbështetën në mënyrë të veçantë te shqiptarët, të cilët iu kundërvunë sllavëve: padyshim që s’është e padobishme që të sjellim në kujtesë se shqiptarët në atë kohë ishin të krishterë, si edhe serbët, dhe nuk ishin aspak të prirur, nga ana tjetër, që t’u nënshtroheshin otomanëve. Nëse këtu mund të jetë jo me vend që të flasim për veprimtarinë e Skënderbeut, disa nga ndeshjet e të cilit u zhvilluan në kufijtë e Kosovës, mund të përmendim megjithatë faktin se historiani bizantin Dukas, në mesin e sh. XV, na jep si shkakun kryesor të triumfit turk, pakësimin e shqiptarëve, që nga Dalmacia gjer në Thrakë 22). Sa për kronikat turke, ato nuk mungojnë së vëni në dukje ngritjet krye të shqiptarëve në Kosovë, veçanërisht në vitin 1467, kur të “revoltuarit” u panë të grabitin bagëtitë në Tetovë, nën drejtimin e një “tradhtari” të quajtur Iskender 23).

Është, pra, e qartë se një pjesë e rëndësishme e popullsisë shqiptare gjendej në Kosovë qysh përpara fitores turke, pa qenë nevoja të shpjegohet fakti, për të marrë me mend shpërthimin e emigrimeve në masë, për të cilat burimet nuk bëjnë zë. Dukuria që nuk ka pasur kurrë çështje ndeshjesh ndërmjet sllavëve dhe shqiptarëve në kohën e car Dushanit dhe sidomos në kohën e përpunimit të principatës së Kastriotëve, është së fundi një tregues se “pushteti shqiptar” u shtri hap pas hapi dhe përgjithësisht u pranua nga popullsia vendore, padyshim se kjo e kuptonte tanimë e prej shumë kohësh elementin shqiptar. Për sa i përket përcaktimit të rëndësisë relative të shqiptarëve në raport me sllavët në Kosovën e sh. XV, duhet thënë se kjo është thuajse e pamundur, me gjithë burimet e reja që na sjellin regjistrat kadastrale otomane (defterler) e që botimet na i kanë vënë para syve: shembulli më i mirë është botimi, në vitin 1974, nga Selami Pulaha, i regjistrit të Sanxhakut të Shkodrës, që mban datën 1485, dhe që përfshin krahinat e Shkodrës, të Pejës (Peç), të Podgoricës dhe të Bihorit 24).

Nënshtresa: shqiptare

Na duhet të vëmë në dukje ndershmërinë e skajshme me të cilën S. Pulaha trajton të dhënat e pasura toponimike dhe antroponimike që na jep nga këto burime: është mirë që të përsërisim bashkë me të se një shqiptar mund të ketë fare natyrshëm një emër sllav dhe ndërsjellas dhe një toponimi sllave apo shqiptare e kjo nuk mund të paragjykojë natyrën e popullatave në shqyrtim 25). Megjithatë është e sigurt që përdorimi i përbashkët i një toponimie dhe antroponimie të dyfishtë dëshmon për një përzierje etnike, për të cilën mund të shprehet, sipas rajoneve, vlera e përbërësve: për sanxhakun e Shkodrës (që përfshin të gjithë zonën kosovare të Pejës), S. Pulaha dallon këtu tri bashkësi elementesh shqiptare që dalin në pah më shumë apo më pak: Krahina e Shkodrës, ku shqiptarët përbëjnë shumicën e plotë; krahinat e Piperit, Shestanit dhe të Altunit, ku duket se ka një barazpeshë ndërmjet të dy popullatave dhe zona e Pejës, ku shqiptarët janë në pakicë 26) dhe ku vërejmë, ndërmjet të tjerash që mjaft e emra fshatrash që kanë një emër sllav janë, në të vërtetë, me shumicë shqiptare 27). Përfundimi thelbësor qëndron në atë se një përzierje kaq e fortë ndërmjet të dy elementëve të popullsisë do të ishte menjëherë e papërfytyrueshme nëse njëri element apo tjetri do të vendosej tani në rajon: kadastra otomane e Shkodrës tregon, pra, veçanërisht në zonën e Pejës, se shqiptarët përbëjnë atje një përbërëse shumë të lashtë të popullsisë vendore; dhe se, përveç të tjerash, ne nuk kemi njohje për ndonjë lëvizje në masë të Shqipërisë drejt Kosovës para sh. XVI, gjë që të bën të mendosh se një pjesë e madhe e elementit shqiptar kosovar i vendos rrënjët në popullatën e lashtë iliro-shqiptare, që zotëronte atje që në kohet e Antikitetit 28).

Për pjesën tjetër të Kosovës duhet të dimë se është ruajtur një regjistër kadastral që, në këtë rast, bën fjalë për Kosovën qendrore (Vilkili): Nga ky regjistër i vitit 1455, historiani boshnjak A. Hanziç nxjerr saktësisht po ato përfundime: përzierja e popullsisë si ndërlikimi i tullave që mbivendosen njëra mbi tjetrën, megjithatë bëhet mbi një nënshtresë (substrat), në themelin e vjetër shqiptar 29) .

Minierat, nxitje për imigrim shqiptarësh

Duhet të shtojmë ende se ky element shqiptar u përforcua qysh në fillim të sh. XV, me anë të një imigrimi “ekonomik”, i tërhequr për shfrytëzimin e pasurive minerare të Kosovës, veçanërisht të argjendit të Sbrenicës dhe të Novo Brdos: këta shqiptarë, gjithmonë të krishterë, – kuptohet, – janë teknikë të cilët e nisën me emigrimin drejt Raguzës dhe që vinin veçanërisht nga Shqipëria bregdetare veriore (Tivari, Shkodra). Por edhe nga zonat malore (Mati) 30). Këta teknikë zunë vend në Kosovë në breza të shumtë: kështu është rasti i Petar Gonoviç Prishtinasit (nga Pishtina) 31), e Johan Progonoviçit nga Novomonte (Novo Brdo), si edhe i shumë të tjerëve, padyshim 32). Nuk është pa interes të shënojmë edhe se edhe në sh. e tetëmbëdhjetë, ky imigrim shqiptar katolik, i tërhequr për punën në miniera, vazhdonte dhe tërhiqte vendosjen e këtyre në Novo Brdo, në Gjakovë, në Pirshtinë, në Trepçe, sipas raporteve nga vizitorë të dërguar nga papa në rajon 33).

Përfundime:

Në Kosovë gjenden, natyrisht, sllavët ose popujt e sllavizuar; bullgarët e më pas serbët të cilët pushtuan, duke filluar me sh. VII, një krahinë, popullsia e së cilës ishte tërësisht iliro-shqiptare qysh nga Lashtësia. Sigurisht ngulimi (implantacioni) sllav dhe sllavizimi i pashmangshëm i një pjese të popullsisë origjinale, u lejoi serbëve në fillim të sh. XIII, që ta bënin Kosovën qendrën politike dhe ekonomike; por askush nuk mund ta dijë kurrë se cilat ishin, në atë kohë, përpjesëtimet përkatëse të të dy elementëve, bashkëjetesa e të cilëve duket se nuk pati, megjithatë, probleme të mëdha. Më tej, fitorja otomane dhe dobësimi i njëpasnjëshëm i Serbisë i lejoi popullsisë shqiptare, shpesh nga kundërveprimi i brendshëm dhe falë migrimit malësor të shqiptarëve të krishterë të Veriut, që të peshonin gjithnjë e më tepër në Kosovë. Mjaft studime janë ende të nevojshme që ta afirmojmë këtë; por ka shumë gjasa që, edhe para emigrimit sllav të 1690-s dhe të 1738-s, shqiptarët përbënin në Kosovë, një pakicë të rëndësishme, madje edhe shumicën e popullatës. Nga ana tjetër do të ishte e padrejtë që të harronim që serbët nuk ishin të vetmit që ikën nga zonat që në atë kohë u islamizuan: madje edhe në çastin e emigrimit të madh serb të 1737-’38-s, shumë mijëra shqiptarë të krishterë lanë zonat malore të krahinës së Shkodrës dhe u vendosën në rrethinat e Karlovacit, në Kroaci, ku qeveria austriake i qasi në kuadrin e politikës së saj të kolonizimit ushtarak; tani, këta “Klementiner”, siç quhen në tekstet austriake, gjenden bashkë të përzier me elementët serbë, që emigruan në po ato çaste dhe u vendosën njëlloj: ata do të ruanin traditat dhe gjuhën e tyre gjer në vitin 1910, që ishte koha e sllavizimit definitiv të tyre 34).

“Desllavizimi” i Kosovës është, pra, një problem i rremë: ai është vetëm një pasojë e këtyre lëvizjeve të gjera të rrudhjeve nga sipër (të konveksionit), që kanë karakterizuar gjithmonë historinë e popujve ballkanikë. Këto lëvizje, të mbështetura në substratin e vjetër që mbetet gjithmonë shqiptar, u bënë pa dhunë gjatë të gjithë Mesjetës dhe gjatë kohës së parë moderne, në mënyrë që episodet e 1690-s dhe të 1738-s duhet vetëm të quhen si pikëmbërritje. Këto lëvizje shekullore nuk kanë lidhje me projektet e gjera të qeverisë jugosllave cila, ndërmjet të dy luftërave, kërkonte të kombinonte pjesëtimin e Shqipërisë me Italinë fashiste dhe as me dëbimin masiv të shqiptarëve që iu drejtuan Turqisë 35).

*) Titulli në origjinal: “Les Albanais ont-ils envahi le Kosovo?”.

K O M E N T E

1 KOMENT

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu