ARKIVI:
7 Mars 2026

Integrimi, siç e përjetuan shqiptarët në Greqi, ishte shpesh një lojë me rregulla të padrejta, shembulli i Nikos

Shkrime relevante

Izraeli ka hakuar kamerat e trafikut të Teheranit dhe përdori AI për të planifikuar vrasjen e Khamenei

Ali Khamenei nuk është më. Foto: Khamenei.ir Arnt Jensvoll / Document.no Sulmi ndaj...

Nga Mësonjëtorja e Korçës te Shkollat Shqipe në Diasporë

(7 Marsi – Dita e Mësuesit) Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë 7 Marsi është një...

Arsyetimi, manipulimi, kontrolli i pushtetarëve

Nga: Aurel Dasareti Gënjeshtra kur një person me pushtet e arsyeton vetveten...

Padia në Gjykatën e Strasburgut, do të konstaton diskriminimin në pasivizimin e adresave në Luginën e Preshevës

Në foto: Gjykata e Strasburgut për të Drejtat dhe Liritë Njerëzore   Nga:...

Shpërndaj

Viktoria Fitore Malo
____
Realiteti i shqiptarëve në Greqi, sidomos për brezin që erdhi në vitet ’90, nuk ka qenë thjesht një histori integrimi të vështirë, por shpesh një proces tjetërsimi të imponuar. Shumë shqiptarë nuk u lejuan të integrohen siç ishin; u shtynë të bëhen diçka tjetër, të ndryshojnë emrin, gjuhën, sjelljen, madje edhe mënyrën si prezantonin familjen. Kjo nuk lindi nga boshllëku, por nga një shoqëri që për dekada e kishte ndërtuar identitetin e vet mbi idenë e homogjenitetit etnik dhe mbi frikën e të huajit ballkanik. Shqiptari duhej të ishte i padukshëm për t’u pranuar.
Kjo është arsyeja pse rrëfimet si ky i Nikos të prekin kaq shumë: ato zbulojnë se integrimi, siç e përjetuan shqiptarët në Greqi, ishte shpesh një lojë me rregulla të padrejta. Në vend që t’u jepej hapësirë për të qenë shqiptarë dhe grekë në jetën e tyre të përditshme, shumë prej tyre u vunë para presionit të heshtur për të hequr dorë nga njëra pjesë, sepse identiteti i tyre shihej si problematik.
Ky fenomen nuk është unik për Greqinë. Edhe Turqia, e sidomos 40–100 vite më parë, ka ushtruar një presion shumë më sistematik për t’i zhdukur shtresat e identitetit shqiptar: emra të ndërruar, mbiemra të stërgjyshërve të përmbysur me imponim, regjistra ku një familje e tërë kthehej turqisht me një firmë nënpunësi. Kultura trajtohej si diçka që mund ta rrasje në një zarf dhe t’ia ndërroje etiketën.
Dhe këtë nuk e them vetëm si analizë teorike, shumë shqiptarë e kanë përjetuar në lëkurë. Mjafton të kujtohet rasti im kur linda dhe do të regjistrohesha me emrin Fitore. Nëna ime e kishte vendosur bukur, shqip, me kuptim. Por nënpunësi, serioz e i palëkundur, ia ktheu: “Ky emër s’është turk. Vendosja Müzaffer.” Dhe aty fillon absurdi i këndshëm ballkanik: nëna ime, absolutisht jo njeri i qetë, i përgjigjet “Po mirë, Müzaffer as nuk është turqisht… Shiko, ky është fëmija im. Po desha i vë emrin “hu gardhi”, por ama do ia vë shqip!”
Rezultati? Katër vjet e paregjistruar… thjesht sepse Fitore nuk u përshtatej pritshmërive identitare të zyrës. Pothuajse si një personazh i letërsisë absurde: ekzistoja, por shteti nuk ishte gati të pranonte që ekzistoja. Dhe kush e di ç’pasoja psikologjike mund të më kenë mbetur si fëmijë nga ky status “jashtë regjistrit”: ndoshta prandaj kam atë lirinë e çuditshme për të mos iu bindur kornizave, ose ndoshta prandaj kam një farë “imuniteti” filozofik, kur një fëmijë rritet katër vjet pa u marrë vesh nëse ekziston zyrtarisht apo jo, më pas vështirë se e tremb ndonjë formular, ndonjë burokrat, apo ndonjë autoritet që të thotë “kështu duhet”! Në fund të fundit, kur ke qenë “në limbo” administrative, edhe universi të duket më i butë…
Kjo lloj politike shkon përtej paragjykimit spontan shoqëror; është një formë asimilimi që hyn në dokumente, në gjuhë, në vetë biografinë e njeriut. Ndryshe nga Greqia, ku stigmatizimi shpesh buronte nga frika shoqërore dhe narrativa mediatike, Turqia e kishte të formalizuar: identiteti duhej rrasur në një kornizë të vetme, edhe nëse fëmija mbetej “jashtë sistemit” për katër vjet, derisa korniza të dilte e kënaqur.
Krahasuar me këtë, Evropa Perëndimore kishte një qasje krejt tjetër, më të lirshme, më organike, ku nuk të diktonin as emrin, as gjuhën, as kujtesën familjare. Atje integrimi ishte proces natyror, jo administrativ. Ndaj sot ka një paradoks: vende ku dikur integrimi ishte i lehtë, tani ndeshen me komunitete që as nuk e synojnë integrimin. Ndërsa shqiptarët, në Greqi e Turqi, u përballën me të kundërtën: dëshira për të qenë pjesë e shoqërisë shpesh i përplaste me mekanizma shtetërorë apo shoqërorë që u kërkonin të mos ishin më vetvetja.
Prandaj historia e Nikos nuk është thjesht rrëfim personal, ashtu siç as rasti im me katër vitet “në limbo burokratike” nuk është episod humoristik i izoluar. Të dyja tregojnë një të vërtetë të madhe: ka vende ku njeriu, për t’u pranuar, duhej të hiqte dorë nga vetja. Dhe pavarësisht humorit me të cilin e tregojmë sot, ky realitet ka formësuar breza të tërë shqiptarësh. Tani, Niko po i themi, se pale si e ka pasë emrin nga fillimi…

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu