
Bisedoi: Hajriz Mamaj
Nga Psikologia Klinike drejt Parlamentit të Kosovës
Vetëm pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare në Kosovë, zgjedhje nga të cilat qytetarët shpresojnë të dalë një parlament stabil, funksional dhe në shërbim real të popullit. Në këtë garë politike, krahas figurave të njohura, po shfaqen edhe emra të rinj, profesionistë të fushave të ndryshme, që synojnë të sjellin një frymë ndryshe në politikë.
Një prej këtyre emrave është Dafina Broqi, psikologe klinike, anëtare e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë dhe kandidate e Partisë Demokratike të Kosovës për deputete nga Peja. Me znj. Broqi biseduam rreth rrugëtimit të saj profesional, motivimit për t’u përfshirë në politikë dhe prioriteteve që ajo synon t’i çojë në Kuvendin e Kosovës.
Pyetje: Znj. Broqi, çfarë ju shtyu që nga profesioni i psikologes klinike të angazhoheni në politikë?
Dafina Broqi:
Orientimi im politik nuk ka ardhur rastësisht. Ai buron nga ngjarjet historike dhe përjetimet që kanë ndikuar drejtpërdrejt në formimin tim si njeri dhe profesioniste. Rrëfimet e prindërve për përpjekjet për liri, si dhe përjetimi i luftës së fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më kanë bindur se kontributi për vendin nuk mjafton vetëm në profesion, por edhe në institucione.
Jam e bindur se në Parlamentin e Kosovës mund të jem një zë i vërtetë për qytetarët e mi, sidomos për ata që shpesh nuk dëgjohen.
Pyetje: Pse pikërisht Partia Demokratike e Kosovës?
Dafina Broqi:
PDK është partia që ka kontribuar drejtpërdrejt në lirinë e Kosovës. Shumë prej atyre që sakrifikuan për këtë vend sot përballen me trauma dhe ngarkesa emocionale të pashëruara. Si psikologe klinike, e ndiej për obligim moral dhe profesional që këtë dimension ta sjell në qendër të vëmendjes politike.
Besimi për kandidimin tim erdhi si rezultat i punës dhe përkushtimit tim profesional, të cilat u vlerësuan edhe nga dega e PDK-së në Pejë.
Pyetje: Na tregoni pak për prejardhjen dhe vlerat familjare që ju kanë formuar.
Dafina Broqi:
Vij nga një familje punëtore, me vlera të forta morale dhe njerëzore. Prindërit e mi më kanë mësuar ndershmërinë, përkushtimin dhe respektin për njeriun. Nëna ime është kontabiliste, babai ka qenë fotograf, ndërsa vëllai dhe motra janë të angazhuar në fushën e drejtësisë.
Këto vlera i bart me vete në çdo angazhim timin publik dhe profesional.
Pyetje: Cili ka qenë rrugëtimi juaj profesional?
Dafina Broqi:
Jam diplomuar në Psikologji Klinike në Universitetin e Tetovës. Rrugëtimi im profesional ka nisur që në moshën 18-vjeçare, me shumë përkushtim dhe mbështetjen e prindërve.
Fillimisht kam punuar në Qendrën Logopedike “La Plus”, ku kam fituar përvojë të çmuar në trajtimin e klientëve. Aktualisht jam e angazhuar në Qendrën e Dubravës si zyrtare e lartë për trajtimin e të burgosurve dhe çështjeve sociale, duke u fokusuar veçanërisht te personat e traumatizuar dhe të lënë pas dore nga sistemi.
Pyetje: Si kanë ndikuar këto përvoja në vendimin tuaj për të kandiduar?
Dafina Broqi:
Kam parë nga afër pasojat e papunësisë, varfërisë, dhunës dhe mungesës së shërbimeve psikologjike. Këto përvoja më kanë bindur se ndryshimi i qëndrueshëm duhet të vijë nga institucionet. Prandaj kam vendosur të garoj për të qenë zë i qytetarëve në Parlament, veçanërisht i grave, të rinjve dhe personave me probleme të shëndetit mendor.
Pyetje: Cilat janë prioritetet tuaja programore?
Dafina Broqi:
Prioriteti im kryesor është që shëndeti mendor të trajtohet si prioritet kombëtar. Konkretisht, synoj:
Shëndeti mendor
- Shërbime psikologjike falas në institucionet publike
- Qendra funksionale të shëndetit mendor në çdo komunë
- Mbështetje për familjet e personave me sëmundje mendore
Drejtësia sociale
- Rritje të ndihmave sociale
- Mbështetje për nënat vetushqyese
- Politika sociale që nuk i lënë qytetarët vetëm
Fuqizimi i grave
- Mbrojtje ligjore dhe mbështetje psikologjike për gratë viktima të dhunës
- Punësim dhe trajnim profesional
- Barazi reale, jo vetëm formale
Të rinjtë
- Investim në arsim cilësor
- Mbështetje për shëndetin mendor të të rinjve
- Mundësi reale për punësim, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë
Pyetje: Pse qytetarët duhet t’ju votojnë ju?
Dafina Broqi:
Së pari, sepse përfaqësoj një parti që ka merita historike për lirinë e Kosovës.
Së dyti, sepse shumë familje, nëna dhe ish-luftëtarë kanë nevojë për trajtim psikologjik dhe mbështetje institucionale.
Së treti, sepse dijen dhe profesionin tim do ta vë në shërbim të të gjithë atyre që kanë nevojë. Nuk premtoj mrekulli, por punë të ndershme dhe angazhim për një shoqëri më të shëndetshme, më të drejtë dhe më njerëzore.
Votoni PDK – Nr. 130
Votoni Dafina Broqin – Nr. 107


