ARKIVI:
6 Mars 2026

Isa Demaj, Mësuesi që na mësoj të mos përkulemi

Shkrime relevante

Transport i fshehtë me pothuajse 1 miliard në ar dhe para për Zelenskyj u ndalua në Hungari

Kiev, Ukrainë 20260225. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyj pret kryeministrin Jonas...

Rugovishtja mes ruajtjes dhe asimilimit gjuhësor

MSc. Adem Lushaj, Deçan (Vështrim rreth librit, Ndryshimi i varietetit gjuhësor (Rasti...

Donna Dafi vjen me superhitin provokues për fuqizimin e grave “Touch Me Like That”

Shtutgart, 7 mars 2026 Skena ndërkombëtare e muzikës pop-dance po tronditet nga...

Kur ideologjia fetare bëhet filtër i arsyes

Basri Beka, Prishtinë Debati me mikun tonë X është një shembull klasik...

Shpërndaj

Në 40-vjetorin e rënies së tij
Hyrje – Mësuesi që mbeti pishtar
Ka njerëz që japin mësim në shkollë.
Ka të tjerë që japin mësim në jetë.
Por ka edhe disa të rrallë që japin mësim edhe në burg, edhe në heshtje, edhe pas vdekjes.
Isa Demaj ishte njëri prej tyre.
Në këtë 40-vjetor të rënies së tij, Isa Demaj nuk përkujtohet si kujtim i zbehur, por si zë i gjallë i ndërgjegjes kombëtare, si pishtar që nuk u shua as në errësirën e burgjeve jugosllave, as në rrethanat e errëta të një vdekjeje që edhe sot mbetet e pazbardhur.
Isa Demaj ishte mësues në profesion, por udhëheqës shpirti në mision kombëtar. Për ne nxënësit e tij, ai nuk ishte vetëm mësues i shkronjave, por mësues i qëndrimit, i guximit dhe i dinjitetit. Në bankat e shkollës së Haxhajt, ai mbolli atë që pushteti i kohës e kishte më së shumti frikë: ndërgjegjen kombëtare.
Bankat e shkollës dhe fryma e Rugovës
Nuk është rastësi që nga ato banka dolën organizatorë ilegalë, të burgosur politikë dhe dëshmorë. Ishte fryt i një mësuesi që e dinte se dija pa dinjitet është bosh, ndërsa arsimi pa liri është robëri.
Isa Demaj nuk i ndante nxënësit sipas notave, por sipas përgjegjësisë ndaj jetës dhe kombit. Ai e shndërroi shkollën në vatër, ndërsa fjalën në besë.
Betimi i Tresheve të Rugovës – Hallkë që nuk u këput
Jo pa qëllim, në këtë përkujtim, zë vend të veçantë grupi i tresheve të Rugovës. Ky grup nuk ishte rastësi, por betim i dhënë me vetëdije të plotë, përballë mësuesit dhe prijësit tonë shpirtëror, Isa Demaj.
Në shtatorin e vitit 1977, para tij, u betuam si bij të Rugovës për t’i shërbyer lirisë dhe çështjes kombëtare, duke e ditur se kjo rrugë do të na çonte drejt burgut dhe vuajtjes.
Dhe ashtu ndodhi.
Nga ky betim dolën tre emra që historia i mban si dëshmi të gjalla:
Dëshmori Ibrahim Nikçi, që betimin e vulosi me jetën;
Riza Rexhep Taku – Demaj, bashkudhëtar i palëkundur i qëndresës;
Sak Muji (Sylë Mujaj), i burgosur politik dhe dëshmitar i gjallë i asaj kohe.
Të tre ishim pjesë e grupit ilegal të Rugovës, të arrestuar dhe të burgosur në vitet 1981–1990, si dhe aktivë në vlimin organizativ të Pranverës së Madhe Studentore të 11–26 marsit 1981, që tronditi themelet e Jugosllavisë dhe e futi Kosovën në rrugën e pakthyeshme drejt lirisë.
Isa Demaj nuk ishte vetëm mësuesi ynë.
Ai ishte njeriu para të cilit u dha betimi, duke e ditur çmimin.
Dhe ai nuk u tërhoq. As ne.
Burgu dhe vdekja e errët
Arrestimi i Isa Demajt në vitin 1979 dhe vuajtjet në burgjet jugosllave nuk e thyen. Ashtu si shumë shokë të tij – Adem Demaçi, Metush Krasniqi e qindra të tjerë – ai dëshmoi se burgu mund ta mbyllë trupin, por jo mendimin.
Pas burgut, Isa Demaj nuk e gjeti qetësinë. Vdekja e tij në Pavlan të Pejës, në rrethana të dyshimta, mbetet plagë e hapur. Thanë shumë, por e vërteta mbeti e thjeshtë: pushteti kishte frikë nga ai, sepse mësuesit që zgjojnë ndërgjegje janë gjithmonë të rrezikshëm për regjimet e frikës.
Poezia, buka dhe kujtesa
Kujtimi i Isa Demajt jeton sot edhe në poezinë e burgut, edhe në akrostikun kushtuar emrit të tij, edhe në vizatimet simbolike të djegura në tul e kore buke.
Buka – simbol i jetës dhe mbijetesës – u kthye në memorial kujtese.
Edhe aty, fytyra e Isa Demajt dëshmon se kujtesa nuk ka nevojë për mermer; mjafton zemra dhe besa.
Dedikim
Ky shkrim, së bashku me poezitë dhe vizatimet, i kushtohet me përulje:
Familjes së Isa Demajt, për dinjitetin dhe qëndresën;
Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës (SHBPK), në krye me Shefik Sadikun, për kujtesën institucionale dhe mirënjohjen;
të gjithë shokëve të burgut dhe të persekutuarve politik, që e mbajtën betimin deri në fund.
Isa Demaj nuk ishte vetëm mësues i një kohe.
Ai është mësues i përjetshëm.
SHTOJCA LETRARE
NJË MINUTË HESHTJE
(Mësuesit tim Isa Demaj)
Symal Leqenakut
Përmallim.
Hajlë n’maje t’Rugovës,
Ngushëllim.
Qatërr e Kosovës,
Malësi.
Të banë i Gucisë,
Trimni.
E bukura More,
Histori.
Qeleshe e bardhë,
N’stuhi.
Urë e ndeztë n’vatër,
Fëmi.
Shqipni etnike,
Gjeografi.
Flamur – feniks,
N’Siparunt.
Një yll prej Qiellit
U shkund.
Sak Muji (Sylë Mujaj)
Burgu i Nishit, 1987

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu