Sami Islami, Londër
___
JAPA APO DHASHË
___
Të gjitha mediat (jo mediet) përveç rolit të tyre të drejtpërdrejtë, që në rend të parë është informimi, ato në mënyrë të tërthortë luajnë edhe rolin se si do të duhej të flitej gjuha jonë e bukur shqipe? Për fat të keq kjo gjë nuk po ndodhë. Gjuha shqipe po nëpërkëmbet mu nga ata që duhet të jenë më kompetentët që ta flasin bukur. Kështu, duke u përsëritur fjalë të ndryshme, për një pjesë të mirë të njerëzve që nuk janë të lidhur drejtpërdrejtë me gjuhën, në mënyrë krejt spontane “ po dalin, e pastaj edhe po nguliten” në ndërgjegjen gjuhësore të shqiptarëve gabime të ndryshme. Fjalë të tilla (të gabueshme) ka shumë, por kësaj radhe do të ndalemi ta trajtojmë pak a shumë vetëm fjalën (foljen) “jap” dhe disa trajta të tjera që dalin prej saj.
Nuk ka pothuaj asnjë medium elektronik, si televizion ose media të tjera të Kosovës, pa e përmendur këtu edhe gjuhën e folur, të mos dëgjohet përdorimi gabim i fjalës (foljes), siç e theksuam më lart, “jap”. Kjo mund të ndeshet si në shembujt “Ia japa librin shokut” , “Ia japa fjalën mikut”. “Kur e takova shoqen, ajo nuk ma japi dorën” e të tjera, e të tjera të kësaj natyre.
Është interesant të theksohet se këtë lloj gabimi e kam dëgjuar edhe nga deputetë të Parlamentit të Kosovës! Dhe nëse doni ta dëgjoni se si duhet të shqiptohet kjo fjalë, mos e dëgjoni gjuhën e mediave, gjuhën e analistëve tanë. Shkoni në malësi dhe bisedoni me njerëz të thjeshtë që nuk janë të ndikuar nga gjuha e qytetit. Ata (malësoret) nuk do ta bëjnë këtë gabim kurrë. Ata ndoshta nuk kanë bërë edhe ku ta dish sa shkollë, por nuk thonë “Ia japa fjalën”, por “Ia dhashë fjalën”. Pra ata edhe në mos paçin mësuar gramatikë në shkolla sa duhet, ata në këtë pikë e flasin shumë ma mirë gjuhën, se ata të mediave televizive që e mbajnë veten si “me shkollë”.
Nuk dua të ju lodhi me gramatikë, lexues të dashur, por pasi që jemi tek kjo temë, më duhet pak të shpjegoj se pse fjala (folja) “jap” quhet folje e pa rregullt? Kjo folje nuk e di se si ndodhi të ngatërrohet me modelin e foljeve të rregullta. Me që ky artikull do të lexohet edhe nga ata që nuk e kanë shumë të qartë këtë ndryshim, më duhet ta sqaroj, së pari dallimin në mes foljeve të rregullta dhe të pa rregullta. Foljet e rregullta quhen ato folje kur rrënja e tyre nuk ndryshon gjatë zgjedhimit. P.sh. në kohën E TASHME kemi “(unë)punoj”, “(ti) punon”, “ai ose ajo) punon”, kurse në kohën E KRYER TË THEJSHTË (ose ndryshe quhet aorist), kemi: “(unë) punova”, “(ti) punove”, “(ai ose ajo) punoi”. Pra në të gjitha kohët (në këtë rast në kohën e tashme- në kohën kur po kryhet veprimi) , si dhe në kohën e kryer të thjeshtë, rrënja “pun” nuk ndryshon. Për këtë arsye këto quhen folje të rregullta.
Kurse tek foljet e parregullta (në këtë rast tek folja “jap”, aty ku del ky gabim), rrënja e foljes ndryshon, si për shembull: Në kohen E TASHME (në kohën kur po flasim) kemi. “(unë) jap”, “(ti) jep” “(ai ose ajo) jep”, kurse në kohen E KRYER TË THJESHTË, kemi “(unë) dhashë” , “(ti) dhe”, “(ai ose ajo) dha”. Dhe ndryshimi duket qartë, se nga jap, jep, jep i kohës së tashme; bëhet dhashë, dhe, dha në kohën e kryer të thjeshtë.
Pa hyrë edhe më shumë në çështje gramatikore, duhet të jemi të kujdesshëm kur e përdorim këtë folje ( pra foljen “jap”),e cila në kohën E KRYER TË THJESHTË (pra në kohën që posa është kryer veprimi), nuk bën “(unë) JAPA, “(ti) JAPE” “(ai ose ajo) JAPI”, por “(unë) DHASHË”, “(ti) DHE”, “(ai ose ajo) DHA”.



Nje shkrim i mire i z. Islami me te cilin pajtohem njeqind perqind.