ARKIVI:
6 Mars 2026

Jo përçarje…, por bashkim kombëtar !

Shkrime relevante

Transport i fshehtë me pothuajse 1 miliard në ar dhe para për Zelenskyj u ndalua në Hungari

Kiev, Ukrainë 20260225. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyj pret kryeministrin Jonas...

Rugovishtja mes ruajtjes dhe asimilimit gjuhësor

MSc. Adem Lushaj, Deçan (Vështrim rreth librit, Ndryshimi i varietetit gjuhësor (Rasti...

Donna Dafi vjen me superhitin provokues për fuqizimin e grave “Touch Me Like That”

Shtutgart, 7 mars 2026 Skena ndërkombëtare e muzikës pop-dance po tronditet nga...

Kur ideologjia fetare bëhet filtër i arsyes

Basri Beka, Prishtinë Debati me mikun tonë X është një shembull klasik...

Shpërndaj

Prof. Sabri Tahiri, Gjilan

___

TË NDALOJMË PËRÇARJEN – TË RINGJALLIM BASHKIMIN KOMBËTAR

Në emër të patriotizmit dhe shtetndërtimit, kampet politike po e ushqejnë urrejtjen e njeriut ndaj tjetrit. Kjo përçarje po e rrezikon unitetin kombëtar dhe të ardhmen e shtetit shqiptar në Kosovë dhe më gjerë.

Në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare, po shfaqet me shqetësim të madh një dukuri që rrezikon jo vetëm unitetin tonë shoqëror, por edhe vetë qenien e shtetit – përçarja e brendshme e ushqyer në emër të patriotizmit dhe shtetndërtimit.

Kampet politike, grupimet ideologjike e mediat e lidhura me to po e thellojnë ndarjen mes shqiptarëve, duke e shndërruar debatin publik në arenë armiqësie, e jo në hapësirë mendimi. Kjo klimë e urrejtjes, që po normalizohet përditë, është një plagë që po i dëmton vetë themelet mbi të cilat me aq shumë mund e sakrifica është ngritur shteti ynë.

Kjo nuk është thjesht pasojë e rivaliteteve të sotme politike. Rrënjët e saj janë të thella dhe të dhimbshme. Shekuj robërie, ndarjeje e nënshtrimi kanë lënë gjurmë në mendësinë tonë kolektive, duke ngjallur te ne një dyshim të përhershëm ndaj njëri-tjetrit. Në vend të besimit, kemi trashëguar mosbesim e në vend të bashkëpunimit, rivalitet të vazhdueshëm.

Por sot, kur më në fund kemi liri e shtet, nuk mund të lejojmë që mendësia e robit të vazhdojë të udhëheqë të ardhmen tonë.

Ne duhet ta kuptojmë njëherë e mirë se patriotizmi i vërtetë nuk matet me fjalë të mëdha goditëse e linçimi kundër vëllezërve tanë politikë, por me përkushtimin për të ndërtuar institucione të forta, drejtësi të barabartë dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët. Patriotizmi nuk është urrejtje; është dashuri – dashuri për vendin, për gjuhën, për kulturën dhe mbi të gjitha, për njeriun shqiptar.

Në një kohë kur fqinjët tanë – sidomos Serbia me pretendimet e saj të hapura ndaj sovranitetit të Kosovës, dhe Greqia me qasjet e saj nënçmuese ndaj çështjeve kombëtare shqiptare – vazhdojnë të shfaqin qëndrime agresive, uniteti ynë kombëtar bëhet kusht i mbijetesës.

Por ky unitet nuk mund të ndërtohet mbi urrejtje, mbi propagandë dashakeqe apo përjashtim. Ai ndërtohet mbi mirëkuptim, solidaritet dhe bashkëpunim. Shqiptarët, më shumë se kurrë, kanë nevojë të shohin tek njëri-tjetri aleatin, jo kundërshtarin. Të rikthejnë besimin në idenë se bashkimi është forcë, ndërsa përçarja është humbje.

Historia jonë e afërt na ka treguar se kemi mundur t’i bëjmë ballë çdo rreziku vetëm kur kemi qenë të bashkuar – nga Lidhja e Prizrenit e deri te luftërat për liri në Kosovë. Në të kundërt, çdo ndarje, çdo grindje, çdo armiqësi brenda kombit tonë ka sjellë vetëm dobësi, zhgënjim e stagnim. Armiqët tanë shekullor, armën më të fuqishme kundër nesh e kanë pasur dhe sot e kanë, përçarjen dhe ndarjet tona.

Prandaj, është koha të ndalojmë këtë çmenduri që po na dëmton shpirtërisht e kombëtarisht. Pra, ne duhet që: Të kthejmë gjuhën e përbaltjes në gjuhë bashkëpunimi. Të kultivojmë dashurinë për njeriun shqiptar, kudo që jeton. Të ndërtojmë një kulturë politike dhe shoqërore ku mendimi ndryshe nuk është arsye për armiqësi, por shenjë e pjekurisë demokratike.

Rreziku nga jashtë do të jetë gjithmonë prezent, por rreziku nga përçarja e brendshme është më i madh dhe më shkatërrues.

Përçarja ndër nesh dhe mosbashkpunimi ndërshqiptarë po e bllokon potencialin tonë të madh natyrorë dhe njerëzorë që kemi, dhe në vend që më shpejt të zhvillohemi si komb e të faktorizohemi në rajon e më gjërë, ne po vazhdojmë të mbetemi ndër vendet më të varfëra dhe më të pazhvilluara.

Vetëm të bashkuar, të urtë dhe të mençur mund të mbrojmë lirinë tonë, shtetin tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

Koha e urrejtjes, përçarjes dhe e bllokadave duhet të marrë fund. Koha e bashkimit dhe bashpunimit ndërshiptarë duhet të fillojë tani.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu