
Emin Azemi, Shkup
____
Shkrimtari Ramadan Rexhepi i cili më shumë se gjashtë dekada jeton në Suedi, vjen sërish para lexuesve me romanin KALAVECËT, nën siglën e Shb. “Agoraprint” e Prishtinës. Paraprakisht nga kjo shtëpi botuese ishte botuar edhe romani “Udhëkryqi”, një nga kryeveprat e letërsisë së gjithmbarshme shqipe.
Në epokën e letrave shqipe, Ramadan Rexhepi, ka qenë një yll i cili ka shndërritur nga një largësi e madhe gati kosmike, për shkak të rrethenave që kaloi autori dhe vepra e tij, e cila nuk arriti të komunikoj në parametra normal me lexuesin atëherë kur ajo u shkrua
Me librin më të ri KALAVECËT, duke ndjekur traditën e lavdishme të prozës franceze, me autorët, Mopasan, Stendal, Balzak, Flober etj. Ramadan Rexhepi rishfaq prirjet e tij krijuese për ta paraqitur sa më shumështresore botën e njeriut… Siç ndodhë edhe në romanin “Kalavecët” ku jepen disa detaje nga jeta postdiktaroriale në Shqipëri, në prozën e Ramadan Rexhepit, përgjithësisht, gërshetohet përvoja njerëzore dhe shkathtësia letrare në “ekzaminimin” e realiteteve dhe gjendjeve nëpër të cilat kalojnë personazhet.
Mbi disa veçanti të veprës së Ramadan Rexhepit, po shkëpusim një fragment nga vlerësimi i shkrimtarit Ibrahimm Kadriu, i cili ndër të tjera për “Kalavecët” shkruan:
“Ramadan Rexhepi është një emër gati i harruar në letrat shqipe, por rrezatimi i këtij emri në hapësirën tonë letrare, ndonëse disi i tërthort, lë të kuptojmë se kemi të bëjmë me një krijues që ardhjen e tij në letërsi nuk e bëri vetëm si rutinë, por si vokacion me individualitet dhe identitet të veçant krijues.
Edhe libri KALAVECËT që po botohet nga Shtëpia botuese AGORAPRINT, sikur na rikthen në vitet e largëta të 50-ta, 60- ta, atëherë kur Ramadan Rexhepi u shfaq si një meteor që shkëlqeu për një kohë në hapësirën tonë letrare. Ai madje qysh i ri, siç dëshmohet nga një e dhënë e vetë autorit, mësojmë se tregimin “Letra e vajzës bonjare” e shkroi në moshën njëzet vjeçare.
Rrugët e jetës pastaj e larguan dhe për më shumë se gjashtë dekada ai ndodhet në megrim, por gjithmonë i pashkëputur dinamika e shkrimit.
Proza KALAVECËT përbëhet prej katër cikleve narrativedhe secili cikël (VDEKJA E NJË YLLI, PERDJA ESTONEZE, PËRDHOSJA E MALLKIMEVE, si dhe PLAGA E HAPUR) mbart në vete linja të veçanta fabulare, por që kanë emërues të përbashkët një topos – Shqipërinë, ku autori ndërthur gjithë arkitekturën e tij përmbajtësore
Me këtë prozë, Ramadan Rexhepi edhe njëherë dëshmohet si mjeshtër i fjalës artistike dhe ashtu si në novelat e para me një titull të përbashkët KUMBONARET, edhe në prozën KALAVECËT ai ruan autenticitetin e rrëfimit përmes një figurshmërie të pasur gjuhësore e estetike. Ai bën përpjekje që të krijoj tekst sa më artistik që është e mundur, një strukturë tekstore që thotë më shumë se një kuptim dhe e cila do të ndikonte në lexuesin. Ai ishte i vetëdijshëm se kufizimi i mendimit në një tekst letrar jo vetëm do ta ngushtonte vlerën e tekstit të përftuar, po edhe përfilljen dhe ndikimin e tij.
Ky përcaktim vërehet jo vetëm në shqiptimin e kontrasteve të jetës konkrete e të botës së brendshme të personazheve, të tablove të pasura e të përshkrimeve të rralla poetike në prozën KALAEVCËT, po dhe të zbulimit të veçantive shpirtërore kur një person ballafaqohet me veten ose me të tjerët në rrethana të rënda të gjallimit.
Prandaj shpresojmë se me botimin e kësaj proze, lexuesit sërish do t’i rikthehet një emër që pa dyshim paraqet modelin e prozatorit modern shqiptar”, nënvizon Ibrahim Kadriu.
Ndërkaq redaktori i këtij libri Sabit Rrustemi ka bërë këtë vlerësim për romanin “Kalavecët”:
“Për mbamendësit, emri i Ramadan Rexhepit në letrat shqipe figuron nga vitet pesëdhjeta të shekullit të shkuar e këndej.
Në vitin 1957 ai mbaroi së shkruari romanin UDHËKRYQI, i cili epiqendër kishte aksionin e armëve në Kosovë që u inicua dhe u zbatua përmes UDB-së , e cila udhëhiqej nga Rankoviqi, por ndjeshmëria e ngjarjeve dhe pasojat e mundshme që mund t’i kishte bëri qy kjo vepër të priste kohë më të mira për t’u botuar.
Autori i ri i asaj kohe e solli librin e parë me tregime pak vite më vonë, më 1963, nën titullin KUMBONARET. Përmes kësaj vepre, ai, bashkë me Anton Pashkun, u bënë dhe prijatarë ëtë prozës modern në letërsinë shqipe të Kosovës. Por, ngjarjet që pasuan fill pas botimit të veprës së tij të parë dhe përndjekja që iu bë shkaku se ishte pjesë e Grupit atdhetar të Adem Demaçit, ia ndryshoi tërësisht rrjedhën e jetës.
Arratisja e detyrueshme dhe qëndrimi larg atdheut ndikuan që, një premtues i madh i prozës shqipe, siç ishte Ramadan Rexhepi, për dekada të tëra t’I humbte kontaktet me bashkëkombasit e tij, duke u përballur me një jetë emigrant nëpër shtetet e Përendimit.
Tek pas viteve nëntëdhjeta, përkatësisht pas çlirimit të Kosovës ( 1999), ai do t’i rivë lidhjet dhe takimet me vendlindjen dhe miqtë e tij krijues që thuaja e kishin harruar, jo vetëm duke ardhur fizikisht po, edhe duke i publikuar krijimet e tij, të cilat i kishte shkruar gjatë kohës san a kishte munguar.

Ramadan Rexhepi me kritikun letrar, Emin Azemin
Pas katër veprave në prozë që iu publkuan mes viteve 2010 – 2024, shkrimtari ynë që këtë vit shënon 85 vjetorin e lindjes, na vë para një sprove të re, me dorëshkrimin, KALAVACËT.
Janë katër njësi letrare, apo katër storie jetësore që zhvillohen brenda një kontinenti që quhet Europë, me epiqendër Shqipërinë, ku fatet njerëzore, pra jo vetëm shqiptare, përballen qoftë me VDEKJEN E NJË YLLI, me PERDEN ESTONEZE, po edhe me PËRDHESJEN E MALLKIMEVE si dhe me PLAGËN E HAPUR, përmes të cilave, artistikisht ndërthurret apo mbarështrohen fatet njerëzore në nuance të ndryshme rrëfimore me një sens tejet poetic – letra si dhe mjeshtri artiistike që, jo vetëm zgjon kurreshtjen e lexuesit po edhe dëshmon potencën e j krijuese, kardshi moshës si dhe vetë kohës me të cilën përballet”, shkruan Sabit RRUSTEMI.
Për dukjen artistike të ballinës së librit, është kujdesur artsiti ynë i shquar figurativ Avni Xh Behluli.


