
Nga: Basri Beka, Prishtinë
___
Kërkesë publike për veprim të Prokurorit të Shtetit
Prokurori i Shtetit ka detyrim kushtetues dhe ligjor të veprojë pa vonesë ndaj fjalimit dhe deklarimeve publike të Milazim Krasniqit, të mbajtura në tryezën e organizuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame me temën “PROJEKTI PËR KONVERTIM FETAR NË KOSOVË, HESHTJA KONSENSUALE DHE PASOJAT EVENTUALE”.
Në këtë fjalim janë konstatuar elemente serioze të veprave penale, të cilat nuk mund të relativizohen si “opinione akademike” apo “diskurs fetar”.
1. Nxitje e urrejtjes dhe thirrje e tërthortë për dhunë
Deklarata “Nëse arrijmë organizim të duhur, ashtu si Zoti ka kërkuar nga besimtarët — e ju e dini çfarë kërkon Zoti nga besimtarët kur janë në luftë” përbën thirrje të koduar për veprim kolektiv fetar në rrethana të paraqitura si “kërcënim ndaj fesë”. Në kontekstin doktrinar islam, kjo nënkupton thirrje për xhihad. Kjo është thirrje indirekte për dhunë dhe mobilizim fetar, e dënueshme sipas Kodit Penal për nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe dhunës mbi baza fetare.
2. Diskreditim dhe demonizim i lëvizjeve civile dhe politike
Etiketimi i “Lëvizjes së Deçanit” dhe “Lëvizjes për Rikthim” si projekte “gjenocidale” dhe vazhdimësi e projekteve historike për “çrrënjosjen e muslimanëve” është shpifje e rëndë, gjuhë demonizuese dhe nxitje e armiqësisë kundër grupeve dhe individëve konkretë. Ky diskurs krijon klimë linçimi publik dhe rrezik real për rendin dhe sigurinë publike.
3. Kontestim i sovranitetit të Republikës së Kosovës
Pretendimi se “Kosova nuk është shtet sovran” dhe se “është nën Rezolutën 1244” përbën mohim të rendit kushtetues, legjitimitetit shtetëror dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ky është diskurs politik destabilizues, i papranueshëm dhe juridikisht problematik.
4. Narrativë konspirative dhe islam politik
Akuzat ndaj Bashkimit Evropian, Vatikanit dhe “bashkësisë ndërkombëtare” si aktorë që “qëllimisht nxisin reagimin e muslimanëve për t’i ndëshkuar më pas” janë teori konspirative që synojnë radikalizim, polarizim shoqëror dhe legjitimim të konfliktit fetar. Ky është manifestim i qartë i doktrinës së islamit politik, jo analizë akademike.
5. Abuzim me historinë dhe pseudo-shkencë
Përdorimi selektiv dhe i deformuar i historisë jashtë kontekstit shkencor, i shoqëruar me retorikë mobilizuese fetare, nuk është shkencë por propagandë.
Një individ që vetëprezantohet si albanolog, por që përdor termin sllav “bukval(e)/bukfale” në diskurs publik normativ, dëshmon mungesë të kompetencës filologjike dhe të disiplinës akademike. Në albanologji, kjo është profesionalisht e turpshme dhe e papranueshme.
6. Prodhim real dhune – precedentë të dokumentuar
Diskurse të këtij tipi prodhojnë dhunë reale. Radikalizimi nuk ndodh te elitat, por te individë të rinj e të manipulueshëm, të cilëve u serviret narrativa e “rrezikimit të fesë” dhe “detyrimit hyjnor për veprim”.
Rasti i masakrës në Sidnei, si dhe rasti i para disa viteve kur i riu me prejardhje nga Mitrovica që vrau dy ushtarë amerikanë në Gjermani, janë shembuj të qartë të pasojave të indoktrinimit fetar-politik. Këta autorë nuk veprojnë spontanisht; ata janë produkt i një procesi bindjeje ideologjike.
7. Shfrytëzim i keq i “lirisë së shprehjes” për thirrje xhihadiste
Prokuroria duhet ta marrë seriozisht faktin se diskurse të tilla abuzojnë me parimin e lirisë së shprehjes për të justifikuar dhe normalizuar thirrje për luftë xhihadiste. Prijës fetarë dhe ideologë që “shpëlajnë trurin” e të rinjve nuk bëjnë asgjë më shumë sesa Milazim Krasniqi: ata përdorin gjuhë të koduar, referenca fetare dhe narrativë viktimizuese për t’i bindur besimtarët se po vazhdojnë një “mision hyjnor” apo një konflikt të përhershëm që, sipas tyre, ka nisur shekuj më parë.
Ligji penal nuk ndëshkon mendimin, por ndëshkon nxitjen, indoktrinimin dhe mobilizimin për dhunë. Kur “fjala e lirë” përdoret për thirrje të kamufluara në luftë fetare, ajo humb mbrojtjen kushtetuese dhe bëhet objekt ndjekjeje penale.
Kërkesë konkrete
Kërkohet nga Prokurori i Shtetit:
Të iniciojë hetim penal ndaj Milazim Krasniqit për nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe dhunës mbi baza fetare.
Të vlerësojë përgjegjësinë penale për abuzim të lirisë së shprehjes me qëllim radikalizimi dhe mobilizimi fetar.
Të hetojë nëse kemi të bëjmë me veprimtari të organizuar të islamit politik dhe radikalizimit nën petkun e ligjërimit publik.
Liria e shprehjes nuk është licencë për thirrje në luftë fetare. Heshtja institucionale përballë kësaj gjuhe është bashkëpërgjegjësi. Ligji duhet të veprojë.



KA FRIGE TERRI PREJ DRITES.
Një grimë dritë e zhdukë errësirën, e po të ndezën reflektorët e krejt botës, ditës nuk ia shtojnë dritën! (IMH)
Respekt,
për z. Bajram Gjergj Kabashi – Kryeredaktor në RD