
Murteza Osdautaj, Prishtinë
___
(Pse nuk do ta votoj më LDK-në nëse brenda listës së saj vendosen armiqtë më të poshtër të kësaj partie)
LDK, për shumë vite, ishte partia ime. Jam munduar për këtë parti, në të gjitha mënyrat, deri në vitin 2013 kur një deputet nga Deçani i cili kurrë s’i ka kontribuuar gjë LDK-së, gati në mënyrë mafioze, arriti që t’i vë në funksion edhe bashkëpunëtorët e mi të ngushtë të nëndegës time ku isha kryetar që të më luftonin e të më tradhtonin nga brenda.
U bë e mundur që një person që s’ka bërë kurrë gjë për LDK-në, që vetëm se ka përfituar prej saj pozita e pasuri për vete dhe familjen e tij, që ka fituar vota duke e përdorur emrin e familjarit të tij të vrarë, me anë të disa leshkove të pa kurriz, ta mundë një fanatik të partisë që ka sakrifikuar para lufte, gjatë luftës dhe pas luftës.
Edhe pse bashkëpunëtorët e mi nga nëndega më tradhtuan, unë nuk u largova nga LDK. Kontribuova në mënyrë tjetër për të. Shkrova për LDK-në dhe propagandova për të mirat dhe vlerën e saj sa herë ishte e mundur.
Po LDK ishte krimbur në kokë. Ardhja e Isa Mustafës dhe klanit të tij të qyqavt, ishte fillimi i rënies së LDK-së, një rënie që nuk po ndalet kurrë. Kjo ndodhi se me Isën filloi shthurja e saj dhe e forcës së saj ideologjike dhe parimore. U futën në parti armiqtë e LDK-së të ORA-s të cilët, sa ishte gjallë Presidenti Rugova, votonin kundër tij dhe ndërmerrnin gjithçka që ta minonin pozitën e tij të liderit të pakontestueshëm (shembulli i kryetarit aktual të Pejës dhe i disa personave tjerë të cilët, falë Isa Mustafës dhe LDK-së u bënë edhe deputetë edhe ambasadorë e konsuj edhe pse në situata kyçe ishin haptas kundër LDK-së dhe lidershipit të saj). Përveç parashutistëve të futur në LDK, përveç profiterëve të LDK-së (disa prej tyre) që të arriturat e tyre politike i arritën duke përdorur emrin dhe gjakun e personave të vrarë të familjeve të tyre, koalicionet me PDK-në, NISMA-n dhe AAK-në do ta gjunjëzojnë partinë përfundimisht.
Sot Abdixhiku doli me lajmin se në listën e LDK-së do ta fusë Fatmir Limajn e NISMA-s dhe shumë të tjerë, armiq të përbetuar të LDK-së që nga viti 1998. Vetëm ta them se, përfaqësuesit e LDK-së në institucionet publike janë keqtrajtuar në mënyrën më të pashtër nga mekanizmat e PDK dhe të partive tjera sa herë që ato ishin në pushtet, edhe kur ishin në koalicion me LDK. Po LDK kurrë nuk lodhej dhe kurrë nuk u kujdes për njerëzit e saj. Kryesisë së saj i interesonin pasuritë dhe resurset e vjedhura nga PDK dhe ndarja e tyre. NISMA dhe Fatmir Limaj, të cilin LDK mëton ta fusë në listën e saj, në vitin 2019, me anë të Ministrit të arsimit nga NISMA-s, me një akt, largoi nga pozitat e tyre të gjithë drejtorët e departamenteve në MASHT vetëm për shkak se i përkisnin, me shumicë, LDK-së. Ndoshta Abdixhiku nuk e di, por këtë akt të shëmtuar nuk arriti ta zhbëj as Ministresha Hikmete Bajrami, pasuese besnike e Isa Mustafës, edhe pse ‘ishte’ nga LDK dhe edhe pse ish zv.kryeministri, Z. Hoti, ia kishte kërkuar decidivisht. Në këtë kohë ministresha koketonte me PDK-në dhe nuk e lodhte kokën për bashkë partiakët e saj të mbetur rrugëve.
Përfundimisht po deklaroj se, nëse në listën e LDK-së futen mbeturinat e PDK dhe të AAK (siç janë Limaj dhe ndonjë person tjetër) të cilët njihen si armiq të LDK-së, unë dhe familja ime nuk do të votojmë për LDK-në dhe do të largohemi prej saj përfundimisht.
Nëse LDK futë në listën e saj persona si Limaj, do të jem njëri nga njerëzit që, individualisht dhe publikisht, do të bëj thirrje që të mos votohet LDK.
Boll e kanë bërë mut!


