
Nga: Isidora Nikollëbibaj
Kosova e vitit 2025 është një vend me rini të talentuar por të zhgënjyer, me pasuri mendore por me institucione të plogëta, dhe me një horizont të mbuluar nga mjegulla e një politike që i ngjan më shumë një rrethi vicioz sesa një rruge drejt progresit.
Sot, ajo që e përshkruan më saktë politikën kosovare është mungesa e energjisë, mungesa e vizionit dhe ajo çka është më alarmante – mungesa e ndjeshmërisë ndaj realitetit në terren. Politika kosovare ka hyrë në një fazë evazioni të heshtur: Mungesë përballjeje me temat thelbësore, heshtje përballë krizës sociale dhe ekonomike, dhe një përkushtim alarmant ndaj lojërave të brendshme politike në vend të interesit qytetar.
Rinia kosovare nuk është vetëm viktimë. Ajo është pasuri, forcë dhe zgjidhje. Por po përjashtohet.
Papunësia po rritet. Shumë të rinj sot e shohin të ardhmen jashtë Kosovës. Jo për shkak se nuk e duan vendin, por sepse vendi nuk po ju ofron më asnjë sinjal se ky i do ata. Institucionet publike janë bërë vende ku meritokracia vdes në pritje, ndërsa servilizmi, militantizmi dhe nepotizmi lulëzojnë si bar i keq në çdo zyrë shtetërore.
Një shembull i qartë i kësaj gjendjeje është fenomeni i largimit masiv të mjekëve dhe anestezistëve të rinj. Pasi i kalojnë vitet më të vlefshme në studime të lodhshme, sakrifica personale dhe edukim të lartë profesional, ata përballen me pagë minimale, mungesë të kushteve dhe një sistem shëndetësor që as nuk i stimulon, as nuk i respekton. Ndërkohë, Gjermania dhe shtetet e tjera të Perëndimit i presin “me duar të hapura”, falas, gati si dhuratë. Kjo është një katastrofë kombëtare që po ndodh nën hundën e një shteti që nuk ka as kurajo, as vullnet për të mbajtur njerëzit më të vlefshëm pranë vetes.
Kemi kthyer vendin në një pikë eksporti talentesh – por importojmë vetëm fjalë të zbrazëta.
Çështjet madhore si arsimi, drejtësia, zhvillimi ekonomik dhe marrëdhëniet me jashtë, janë zëvendësuar nga narracione boshe, akuza politike dhe populizëm i lodhur. Ndërkohë, rinia po ikën. Jo vetëm fizikisht. Por po ikën edhe shpirtërisht. Po e humbet besimin, po e humbet interesin, dhe ajo që është më e rrezikshme – po e humbet durimin.
Por kur politika hesht, rinia duhet të flasë.
Të rinjtë duhet të jenë më shumë se votues. Ata duhet të jenë pjesëmarrës. Të mos kënaqen me premtime boshe, me statuse në Facebook nga politikanët apo me konferenca që nuk sjellin asnjë veprim konkret. Duhet ta kërkojnë llogarinë, t’i vënë politikanët në presion, të organizohen, të ngrejnë zërin. Jo për ideologji, por për të ardhmen.
Ky është momenti, që, të gjithë ata që kanë mendjen e kthjellët dhe shpirtin kritik, të mos heshtin. Të mos rrinë indiferentë. Sepse indiferenca sot është një lloj bashkëpunimi me regresin.
Kosova ka nevojë për një zgjim. Jo thjesht politik. Por shoqëror. Moral. Mendësor. Dhe ky zgjim nuk do të vijë nga lart. Do të vijë nga poshtë. Nga njerëzit. Nga rinia. Nga ata që nuk janë të kapur, që nuk janë të korruptuar, që nuk janë të ngopur.
E ardhmja e këtij vendi nuk mund të mbetet në duart e atyre që janë të lidhur me të kaluarën. Ajo ju takon atyre që kanë vizion për të nesërmen.
Kjo është koha për të folur. Sepse nëse nuk flasim sot, nesër nuk do të kemi më asgjë për të thënë.
Përfundim: Rreziku i një devijimi kulturor
Fenomen tjetër shqetësues që po zë gjithnjë e më shumë vend në shoqërinë tonë është solidarizimi i një pjese të rinisë me një version regresiv të fesë islame, dhe braktisja e lidhjes shpirtërore, historike dhe kulturore me Perëndimin, me krishterimin dhe me vetë aleatin tonë më të madh: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në vend që të krenohemi me Amerikën – që na ndihmoi gjatë eksodit tonë biblik dhe kontribuoi në mbijetesën tonë si komb – një pjesë e paarsimuar dhe e dezinformuar e shoqërisë, e impresionuar nga ndikimi i errët i ish-okupatorëve tanë shekullorë, ia kthen shpinën pikërisht atij që përfaqëson lirinë dhe të ardhmen: Amerikës.
Ky është jo vetëm një gabim politik e strategjik, por një devijim kulturor i rrezikshëm që duhet adresuar me guxim dhe me mençuri.
Kosova nuk mund të ecë përpara duke u kthyer prapa. Rinia nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke e mohuar të vërtetën. Zëri i saj duhet të dëgjohet – sepse ky vend nuk ka luksin të heshtë më.


