ARKIVI:
7 Mars 2026

Kritikë ndaj popullit tim që ka mësuar ta durojë çdo poshtërim

Shkrime relevante

Shkarkimi: Përgjigjia meritore ndaj pecedentit të rrezikshëm kushtetues

Nga: Dr. Sadri Ramabaja ______ Dekreti i Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e...

Me cilën dorë duhet të pijë ujë Presidentja – sipas mullës Mustafë Bajrami dhe neoosmanit Gëzim Kelmendi?!

Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë ____ Mullahu Mustafë Bajrami duket se së...

Trump: – Irani do të goditet shumë rëndë sot

David Vojislav Krekling, Aftenposten Foto: Jose Luis Magana / AP Presidenti Donald Trump...

E kam përkrahë Vjosën por ajo kujtofti se s’ka shtet pa qenë hija e saj si bajrak mbi çati!

Nga: Çun Lajçi ___ Mall i kotë për një atdhe të lodhun ___ Me vetveten...

Shpërndaj

Lirim Gashi, Prizren 

Populli ynë fle mbi qymyr, por zgjohet në errësirë.
Nën tokë ka resurse energjetike të mjaftueshme për t’i ngrohur brezat që ende nuk janë lindur – dhe megjithatë i mungon truri, madje edhe për ta prodhuar një daltë të vetme, e lëre më për ta zbuluar ndonjë teknologji moderne për nxjerrjen e fosileve dhe mineraleve.
Çmimi i energjisë elektrike rritet për 16% në vendin më të varfër të Evropës, por askush nuk ndien asnjë motiv për t’u zemëruar, e lëre më për t’u revoltuar.
Mjafton t’ia mbushësh shqiptarit barkun me propagandë boshe – dhe ai e bën turpin e heshtjes ritual të përditshëm.
Ndërkohë që buka, qumështi, vaji, mishi dhe gjithçka që e mban trupin në jetë – bëhet çdo ditë më e shtrenjtë, populli bën selfie.
Sepse shqiptarët e shesin dinjitetin për një karikues celulari dhe votën për një thes miell.
Imagjinoni, në një vend ku paga mesatare është 300 euro, 300 gram mish i grirë kushton 3 euro.
Dhe çfarë bën populli? Asgjë.
Tërhiqet, e ul kokën – dhe vazhdon t’i dojë pa kusht politikanët që ia ngulin thikën pas shpine.
Ky popull nuk mashtrohet – ky popull dëshiron të mashtrohet.
Sepse, i adhuron gënjeshtarët, mashtruesit dhe plaçkitësit si Perëndi: me nënshtrim, me frikë dhe me dëshirën për të qenë gjithmonë të gënjyer, të mashtruar dhe të plaçkitur prej tyre.
Dhe pikërisht pse është i tillë, politikanët ndihen si Perëndi.
Pra ata ndihen si Perëndi jo për shkak të pushtetit të tyre, por për shkak të skllevërve të tyre që i adhurojnë aq shumë saqê ua financojnë edhe operacionet plastike të grave të tyre të shëmtuara – përmes kontributeve doganore dhe tatimore, ndërsa vetë s’kanë as bukë për të ngrënë, por askush nuk e qan kokën pse.
Sepse shqiptari nuk e pyet veten pse e ka rrogën kaq të vogël në vendin që ka çmimet më të larta në Evropë – ai ka vendosur të heshtë, të presë,, të durojë dhe të vuaj.
Një popull që nuk e do veten, nuk duhet të habitet nëse shfrytëzohet nga tregtari dhe poshtërohet nga politikani.
Nëse e do hajdutin më shumë se djalin tënd, i cili largohet nga vendi për të mbijetuar, atëherë as Zoti nuk mund të të mbrojë nga poshtërimi i politikanit të pashpirt, sepse ti nuk je viktimë –ti je bashkëpunëtor.
Mos u habit kur sheqeri është më i shtrenjtë te ti se sa në Gjermani, sepse ti vetë ke zgjedhur të jesh i plaçkitur, i varfër dhe i shtypur.
Mos pyet pse askush nuk të mbron, kur vullnetarisht je bërë viktimë e atyre që të plaçkisin.
Ky popull nuk është i mashtruar – ai është i vetëdorëzuar. Dhe një popull që gjen lumturi në robëri, meriton vetëm zinxhirë të tjerë.
“Skllavi që nuk kërkon lirinë, nuk është vetëm një skllav – ai është një mjet.” – Jean-Jacques Rousseau
Kosova, një vend që jeton mbi pasuri të pashfrytëzuar, ka çdo ditë përpara një varfërie të vetëkrijuar.
Nën tokë ka energji – por nuk ka njerëz që mendojnë. Rryma i shitet 16% më shtrenjtë, por shqiptari hesht. Jo nga frika – por sepse ka mësuar që heshtja e bën atë “qytetar të mirë.”
Ndërkohë, raftet e supermarketeve janë më të frikshme se korridoret e spitaleve – sepse atje vdes dinjiteti. 300 gram mish i grirë kushton 3 euro, një çmim që në Gjermani është 30% më i ulët –edhe pse atje paga mesatare është dhjetë herë më e lartë.
Në Kosovë paga mesatare është rreth 300 euro, ndërsa në Gjermani më shumë se 3.200 euro. Por populli ynë blen më shtrenjtë, ha më pak dhe hesht më shumë. Ai që hesht kur i merret buka, do të heshtë edhe kur t’i merret ajri.
“Ai që nuk proteston kur buka bëhet më e shtrenjtë, nuk meriton të ushqehet.” – Bertolt Brecht
Politikanët vjedhin miliona nga tenderët, nga rezervat, nga ajri – dhe përkundër që nuk ndëshkohen, shpërblehen me vota. Ky nuk është më mashtrim – është një marrëdhënie e sëmurë mes grabitësit dhe të grabiturit.
Me paratë e të varfërve, ndërtohen buzët dhe gjokset e grave të politikanëve. Operacionet plastike janë më të shpeshta se operacionet e zemrës të njerëzve të zakonshëm. Kosova është një vend ku gratë e pushtetitarëve e ndërrojnë fytyrën çdo vit, ndërkohë që qytetari i zakonshëm nuk mund ta ndryshojë veshjen një herë në vit.
“Kur padrejtësia bëhet ligj, kundërshtimi bëhet detyrë.” – Thomas Jefferson
Por ky popull nuk bën kundërshtim. Ai hesht. Ai do pushtetin më shumë se fëmijët e tij. Ai adhuron udhëheqësin që ia vendos të ardhmen e keqe në qafë – dhe pastaj pyet: Pse askush nuk më mbron?
Sepse askush nuk të mbron, kur ti vetë i jep shenjë grabitësit që të të grabis.
Ti nuk je i mashtruar – ti je i edukuar keq nga prindërit e keqarsimuar.
Prindërit më sa duket na kanë mësuar se të varfrit e meritojnë varfërinë dhe se të pasurit janë të zgjedhurit e Zotit.
Na kanë mësuar se heshtja është mençuri dhe kryengritja është turp. Por tani është koha të kuptojmë:
Një popull që nuk e kërkon lirinë, është një ndihmës i tiranisë.
Një popull që i do politikanët hajdutë më shumë se dritën, do të jetojë gjithmonë në errësirë.
Përkundër se ende nuk është zbatuar rritja e çmimit të energjisë me 16% në shtetin më të varfër të Evropës, në një vend që ka burime të pafundme energjetike, por asnjë njohuri dhe teknologji për t’i përdorur ato – çmimet e ushqimeve, pa të cilat jeta nuk mund të ekzistojë, rriten pa kontroll – dhe askush përveç meje nuk shkruan për këtë.
Kjo më bën të mendoj se të gjithë kanë më shumë para se unë – dhe nuk u bëhet fare vonë.
A mund të imagjinohet që 300 gram mish i grirë të kushtojë 3 euro në një vend ku paga është 300 euro?
E pyes veten, pa emocion dhe pa mëshirë:
A e dinë shqiptarët e verbuar se e meritojnë të shkelën si bubrecat nga tregtarët që u shesin produkte ekzistenciale me çmimet më të larta në Evropë ?
A e dinë shqiptarët injorantë se e meritojnë të shkilën, të shtypen dhe të grabiten veçanërisht nga politikanët që u shesin pluhur dhe mjegull me çmimet që ua bëjnë jetën ferr ?
A e dinë ata se këta shitës pluhuri dhe mjegulle me pagat që i marrin prej tyre i financojnë vetem operacionet plastike dhe intervenimet kirurgjike të grave të tyre të shemtuara, për të mos u turpëruar nga kolegët e tyre kur i marrin me vete në dasmat tallava, ndërkohë që vjedhin miliona nga buxheti, doganat, taksat, tenderët e manipuluar dhe falimentimet e sajuara të fabrikave imagjinare ?
A e dinë shqiptarët që janë më të zbrazur në kokë se sa kungujt e Halloween-it?

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. Autori bën një pasqyrim tronditës të realitetit shoqëror shqiptar – një thirrje e hapur kundër apatisë, pranimit të padrejtësisë dhe nënshtrimit të heshtur përballë pushteteve të korruptuara në Kosovë. Me një stil të drejtpërdrejtë, pa kompromis dhe shpesh brutal, autori godet fort jo vetëm politikanët e korruptuar, por edhe vetë qytetarin e zakonshëm që ka pranuar të jetë pjesë e këtij cikli poshtërues.
    Ky shkrim nuk është një analizë e qetë – është një akt zemërimi. Ai shpalos kontrastet e dhimbshme të jetës në një vend të pasur me burime, por të varfër në mendim dhe drejtim. Të gjithë e ndjejmë: rryma është më e shtrenjtë, ushqimi më i paarritshëm, politika më e korruptuar, e megjithatë reagimi qytetar mungon. Dhe këtu vjen thelbi i mesazhit: nuk është më mashtrimi që sundon popullin – është dorëheqja nga përgjegjësia.
    Autori nuk kërkon të japë zgjidhje – ai kërkon të zgjojë. Të zgjojë një popull që, sipas tij, është vetë dëshirues i gënjeshtrës, adhurues i atyre që e shtypin dhe indiferent ndaj atyre që e paralajmërojnë.
    Por ky reagim nuk duhet të lexohet si një akt përçmimi ndaj qytetarit, por si një përpjekje për t’i treguar pasqyrën atij – pa filtra, pa zbukurime, pa iluzione. Për të thënë: mjaft më me heshtje, mjaft më me durim të verbër, mjaft më me nënshtrim.
    Ky nuk është thjesht një tekst – është një klithmë, një thirrje për zgjuarje kolektive. Dhe sado e dhimbshme të jetë, ajo që na thotë është kjo: nëse nuk ndryshojmë vetë, atëherë jemi bashkëpunëtorë të atyre që na poshtërojnë çdo ditë.
    Një popull që e ndien dhe e përballon të vërtetën, është një popull që mund të ndryshojë. Ai që vetëm hesht – mbetet skllav i heshtjes së vet.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu