ARKIVI:
7 Mars 2026

Kryengritësja e Masbjeshkës që triumfalisht iu kthye përkatësisë së mohuar

Shkrime relevante

Urime për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit

Luan Dibrani, Gjermani  Sot, më 7 Mars, në këtë ditë të shënuar të...

Fjalë respekti dhe mirënjohjeje për Mësuesin tim, Sabri Raçi

Arif Ejupi, Gjenevë Disa njerëz kalojnë në jetën tonë pa lënë fare...

Misionarët e dijes dhe të ardhmërisë

Arif Ejupi, Gjenevë (Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit,...

Histori e pa treguar, islamizimi i shqiptarëve…!

Nga Ismet M. Hasani, Suedi ____ Moderator: Asdren Shala (në tekstin e mëtejmë...

Shpërndaj

Me znj. Amina Nuraj, korrik 2019, restorant “Trofta”, Burim

BAJRAM KABASHI

RECENSION

Po bëhen pothuaj mbi dhjetë vjet që kur komunikoj me Amina Nurajn nga Novi Pazari, që nga koha kur ajo ishte fëmijë. Unë nuk e dija se cila është mosha e saj atëherë kur komunikonim së bashku, para vitit 2016. Mirëpo, ajo për mua ishte një vajzë që imponohej me fjalorin e saj të pasur kulturor dhe për brengën që e shfaqte për prejardhjen e saj.

Në një pjesë të madhe të fëmijërisë së saj ajo kishte menduar se është me përkatësi kombëtare boshnjake, por duke i dëgjuar bisedat familjare qysh si fëmijë, nga prindërit dhe të afërmit, ajo e kishte kuptuar se nuk ishte boshnjake, por shqiptare! Identitet kombëtar ky që mbarë familja e kishte mbajtur të fshehur.

Kur flisja me të në atë kohë, komunikonim në gjuhën boshnjake dhe ndërkohë nisi të më tregonte se së shpejti do t’ia nisë ta mësonte gjuhën shqipe. “Për gjashtë muaj do ta mësoj shqipen dhe pastaj do të komunikojmë shqip me njëri tjetrin”, më pati thënë.

Pavarësisht se nuk doja që ta zhgënjeja, thjesht nuk besoja se për një kohë kaq të shkurtër ajo do të arrinte ta përvetësonte komunikimin në gjuhën shqipe. E një ditë e pata pyetur se çfarë moshe kishte, ndërsa ajo, që atëbotë e mbante mbiemrin Nuroviq, më pati thënë se gati i ka mbushur 16 vjet.

Paskam biseduar më një fëmijë, thash vetë me vete…! Por, atëherë e kuptova dhe u befasova nga kjo çupë “e vogël”; prej fjalorit të saj kulturor të pasur dhe etjes së madhe për të treguar se është shqiptare… Ky fakt më pati gëzuar shumë, sidomos këmbëngulja dhe misioni jetësor i saj që e pati treguar qysh si fëmijë, për ta zgjuar veten dhe popullin që i përkiste.

Në të vërtetë, njerëzit si Amina Nuraj lindin dhe e tregojnë gjithë atë që historia e pamëshirshme nuk i ka lejuar ta tregojnë. Ajo rrëfeu me këmbëngulje, zgjuarsi dhe trimëri të madhe se është shqiptare dhe se nuk e fsheh qenien e saj si arbërore e Masbjeshkës!

Kështu, nuk kaluan as gjashtë muaj dhe Amina Nuraj nisi të fliste shqip, në fillim duke i gjetur fjalët dhe duke i formuluar mendimet me vështirësi, por më vonë duke e pasuruar dukshëm fjalorin në gjuhën shqipe.

Sot Amina Nuraj flet rrjedhshëm, sikur që jep edhe intervista të shumta gjithashtu në gjuhën shqipe.

Fakti “se u takova” virtualisht me një njeri, që është shumë më e madhe se vitet që ka, me një Njeri që është një vullkan shpërthyes në vetvete, më gëzoi pa masë. U gëzova se me Amina Nurajn e vazhdova punën time profesionale aty ku e kisha lënë përpara luftës me intervistat dhe reportazhet e shumta nga Sanxhaku, përkatësisht nga Masbjeshka!

Intervistat me Amina Nurajn që nga dhjetori 2016 janë bashkëbisedimet më të lexuara që i kisha pasur me këdo në jetën time të gjatë në profesion.

Ndoshta fakti se e kisha intervistuar dhe ia kisha hapur dyer e dritare në portalin “Drini”, pati ndikuar që të shtohen sulmet ndaj portalit që e udhëhiqja qysh prej vitit 2006. Mendoj se edhe ato intervista ndikuan që të shkatërrohej tërësisht e për të satën herë arkivi i portalit “Drini”, qoftë me këtë, apo me intervistat që i kisha bërë me Aminen.

Por, portali “Drini” u rimëkëmb për të satën herë, ndërsa Amina Nuraj e vazhdoi edhe më furishëm rrugën e saj kah vetvetja e mohuar shqiptare.

Nga një fëmijë i druajtur, por këmbëngulës për ta treguar të vërtetën e fshehur, Amina Nuraj gradualisht u bë personalitet i dashur publik, duke u ftuar nga Presidenca e Shqipërisë, nga Kryeministria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, dhe nga shumë studio e radio anembanë hapësirës shqiptare në Gadishullin Ilirik.

Amina Nuraj, kjo kryengritëse e lindur për të drejtat e fshehura dhe të mohuara për më shumë se një shekull, pa e ditur as vetë, e vazhdoi rrugën nga aty ku e kishin lënë të tjerët: Aqif Blyta me trimat e tij, Shaban Polluzha, Mulla Zekë Bërdyna e shumë e shumë të tjerë.

Ajo e vazhdon rrugën iluministe të të gjithë atyre që në histori bënë përpjekje të jashtëzakonshme arsimore e kulturore për ta zgjuar Sanxhakun (Masbjeshkën) e asimiluar gjuhësisht, si Ernest Koliqi me mësimdhënësit e tij, e shumë të tjerë.

As dikush nga paraardhësit e Amina Nurajt nuk e ka folur shqipen për dhjetëra vjet, pavarësisht se kanë bartë qeleshe në kokë. Por, gjuha mësohet shpejt kur njeriu do, ashtu sikur që harrohet po ashtu shpejt kur u nënshtrohesh metodave pushtuese të asimilimit.

Prandaj, zemra e njerëzve si Amina, edhe kur nuk e flasin shqipen, ata në fakt e flasin atë me zemër…!

E një ndër veprat më madhështore në shërbim të rizgjimit arsimor e kulturor të asaj krahine fatkeqe në historinë e dhimbshme të kombit është rifillimi i kurseve për mësimin e gjuhës shqipe, që udhëhiqet nga vetë Amina Nuraj.

Kjo është një vepër me domethënie historike, vepër tejet e çmuar në aspektin arsimor dhe kulturor.

Unë kam biseduar shpesh me Amina Nurajn, e cila më ka rrëfyer se pjesa dërmuese e banorëve të Masbjeshkës (Sanxhakut) janë me rrënjë dhe gjen shqiptar, andaj është e drejtë legjitime kthimi i tyre kah kultura dhe historia e mohuar shqiptare, edhe nëse nuk e njohin gjuhën shqipe.

Njerëzit duhet ta kuptojnë se mund të jesh shqiptar edhe kur nuk e flet shqipen dhe se nëse do dhe ke ambicie, atëherë një ditë mund ta mësosh edhe gjuhën e të parëve.

Thjesht, kjo që bën Amina Nuraj duhet parë më shumë në aspektin e historisë fatkeqe të banorëve të Masbjeshkës, të cilët nuk janë fajtorë pse i endën nëpër etni të ndryshme, herë në atë myslimane, e herë në atë boshnjake.

Kush i ka të parët shqiptarë, ai është shqiptar dhe përkatësia e tij kombëtare shqiptare nuk e dëmton, e as nuk e rrezikon askënd. Ashtu siç nuk rrezikohet Kosova nga serbët lojalë ndaj vendit, po ashtu nuk ka mundësi të rrezikohet Serbia nga banorët e Luginës së Preshevës, e as nga banorët e Sanxhakut të Novi Pazarit, nëse ata me këmbëngulje i kërkojnë dhe i realizojnë të drejtat e veta.

Të drejtat dhe liritë njerëzore që ua garanton edhe Kushtetuta e Republikës së Serbisë, pavarësisht se nacionalistët serbë mund të mos pajtohen, janë minimumi i asaj çfarë meritojnë banorët e atjeshëm.

Amina Nuraj me inteligjencën e saj, me natyrshmërinë, me humanizmin dhe me vendosmërinë njerëzore e kombëtare arriti që t’i hapë dyert e çështjes që Serbia e kishte konsideruar të harruar dhe të mbyllur njëherë e përgjithmonë.

Prandaj, pas kryengritjeve të Aqif Blytës, Ahmet Dacit e të shumë trimave të tjerë të asaj ane në kohë shumë të vështira për Masbjeshkën, dalja në skenën publike e Amina Nurajt i jep jehonë e vëmendje publike kësaj çështjeje. Ajo e bëri një kryengritje të paimagjinueshme ndaj përkatësisë së huaj etnike që ia kishin mveshur të tjerët. Posa e zbuloj tragjedinë historike, e tha hapur e qartë se ajo është shqiptare, madje edhe kur nuk e njihte gjuhën shqipe. Të jesh shqiptare, serbe, bullgare, kroate, hungareze apo çka do tjetër, është gjëja më normale e mundshme, por është e pakuptueshme që kur i përket ndonjërit prej këtyre kombeve pa pasur lidhje gjenetike me të dhe pa të penguar a ushtruar dhunë tjetri ndaj teje, vazhdon të mbetesh aty.

Amina Nuraj e bëri atë që duhet ta bënte secili prej nesh, që kur nuk i përket një kombi e kulture tjetër dhe e zbulon se kujt i përket, atëherë deklarohesh hapur se je shqiptare apo tjetër.

Këtu nuk ka vend për ndonjë triumf atdhetar, por vetëm për zgjim kulturor në vendin tënd. Amina në këtë këndvështrim duhet të mos entuziazmohet nga ata që thërrasin për ndonjë misionarizëm se ta dish dhe ta kuptosh përkatësinë etnike nuk është asgjë tjetër pos respekt ndaj vetvetes, ndaj historisë e kulturës dhe ndaj traditave tua të mohuara.

Pas përpjekjeve vetëmohuese dhe rreziqeve të kuptueshme që i ka kaluar Amina Nuraj në rrugën e saj të vendosur kah vetja e mohuar nga politikat shfarosëse mbi njëshekullore, tani është koha që politika dhe diplomacia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë të jenë shumë më afër njerëzve të tillë, duke ia bërë të qartë Serbisë se atë më tepër e dëmton fshehja e identiteteve, sesa bërja publike e tyre.

Prandaj, libr i zonjës Amina Nuraj “Unë, bija e Atdheut”, duhet parë si pjesë e sinqeritetit, e kulturës dhe e vendosmërisë së saj për ta përhapur lajmin për rigjetjen e vetes së humbur si shqiptare e Sanxhakut, e asaj malësie që populli shqiptar gjithmonë e ka quajtur Masbjeshka.

Pamje nga promovimi i mbrëmshëm në Librarinë “Dukagjini” në Prishtinë, ku jam une, Bajram Kabashi, Amina Nuraj dhe Bashkim Pushkolli.

***

Sonte me 8 nëntor 2025, në Librarinë Dukagjini të Prishtinës, u bë promovimi i librit të Amina Nurajt nga Pazari i Ri (Novi Pazari), “Unë, bija e Atdheut”, ku fola edhe une , Bajram Kabashi, si recensent i librit.
Pjesë e promovimit ishte edhe Bashkim Pushkolli, luftëtari i njësive speciale të UÇK-së, të cilin qe nja 15 vite e kisha mik virtual, por që nga dje pata kënaqësinë e madhe të takohesha me të.
Foton e ka bërë gazetari i njohur, vetereani i gazetarisë nga Radio Televizioni i Kosovës në Prishtinë, miku im i hershëm Zekë Sinani. 
PS!
Ky libër do të ishte mirë të përkthehej menjëherë në gjuhën boshnjake dhe angleze, e pastaj edhe në ndonjë gjuhë tjetër.

____

  • Ky recension i imi është pjesë e librit të Amina Nuraj, “Unë, bija e Atdheut”

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. I nderuari Kryeredaktor!

    Ky recension i juaji është relevant për arsye se “rrahë” një çështje ¨që duhet ditur të gjithë ata që né i quajmë “boshnjakë”, e në fakt, nëse “hyjmë” në rrënjët pak më të thellla të familjeve të tyre “dalin se janë shqiptar”.
    Kam pas rastin te¨udhëtojë prej Novi Pazarit (Pazari i Ri) nëpër Dugo Polana (Fushat e gjata), për të shkuar në Sjenicë, ku kisha disa “kolegë” të studimeve. Rrugës, ndaleshemi në një furrë buke (në Duga Polana), ku kishte mish te¨pjekur të deleve dhe aty vinin disa pleçë në plisa të bardh’ në kokë dhe, nga kureshtja “hynim” në bisedë me ta – natyrisht në gjuhën serbo-kroatishte, ngase ata NUK kuptonin shqipën. Mirëpo, pas pak fjalësh, ata na tregonin se i mbjanë plisat e bardh’ në kokë, për te¨”dëshmuar” se me prejardhje janë SHQIPTAR, por fatkeqsisht NUK e dinin asnjë fjalë shqip. Tmerr!
    Nuk po e zgjas me KOMENTIN.

    Respekt,
    për juve, dhe
    për znj. Emina Nuraj

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu