Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim deputetin e Parlamentit të Suedisë, me prejardhje nga Kosova, Adnan Dibrani dhe Arbër Gashin, aktualisht i përfshirë në qeverisje lokale në Suedi, në pritje të bëhet deputet në parlamentin suedez në rast të zgjedhjes së Adnan Dibranit në Parlamentin Evropian.
Në takimin e përzemërt u diskutua për zhvillimet aktuale dhe proceset politike nëpër të cilat po kalon vendi ynë, për arritjet në shumë fusha, si dhe për objektivat dhe sfidat që Kosova ka para vetes.
![]()
Duke uruar deputetin Dibrani dhe kandidatin Gashi për arritjet e tyre në jetën politike e institucionale të Suedisë, kryetari Konjufca e konsideroi të një rëndësie të veçantë integrimin e bashkëkombasve tanë në jetën publike të vendeve të tjera, ku ata jetojnë dhe veprojnë.
Kreu i Kuvendit tha se rasti i deputetëve me prejardhje nga Kosova në Parlamentin e Suedisë dhe i veprimtarëve të tjerë politikë atje, është shembulli më i mirë i këtij integrimi, duke shërbyer njëkohësisht si urë lidhjeje midis vendit ku jetojnë dhe atij prej nga vijnë, përkatësisht Kosovës.
![]()
Deputeti Dibrani dhe kandidati Gashi e njohën kryetarin Konjufca me punën dhe angazhimet e tyre në jetën politike të Suedisë dhe veprimtarinë parlamentare suedeze.
![]()


