
Nga: Safet Sadiku
Ese
Nga rrëfimet nr.112: Kjo vëmendje kushtuar sjelljeve të iriqit nënkupton, “njeriun që nuk del nga zona e tij e ngushtë, nga frika, egoja, ose mjedisi që e mban peng”. Iriqi është i vogël, por i mençur.
Ai e di se jashtë ferrave ka dritë, por ka edhe rrezik. Prandaj rri aty ku e njeh terrenin. Aty ku nuk e prek askush, por as nuk ecën askund. Nganjëherë, edhe ne njerëzit jemi si iriqat… E ndërtojmë ferrën tonë prej frike, zakoni, komoditeti. Mendojmë se aty jemi të sigurt, por në të vërtetë, jemi të burgosur brenda vetes. Shoqëria jonë ka shumë “iriqë”. Politikanë që nuk dalin nga mendësia e vjetër. Qytetarë që nuk dalin nga apatia. Të rinj që nuk dalin nga pritja. Jashtë ferrës është jeta me dritë, me stuhi, por edhe me mundësi. Por, kërkon guxim të dalësh.
Të përballesh me veten është njëlloj sikur të hapësh rrugë mes gjembash. Iriqi nuk del nga ferrat sepse i druhet botës!… Njeriu nuk del sepse i druhet ndryshimit!… Por as liria nuk rritet në ferra!… Ajo lind vetëm kur del jashtë tyre…
Mendimet rrjedhëse e reflektuese, nga përvoja jetësore, ku shprehja e ngulitur në fjalorin e popullit tonë: “Iriqi nuk del nga ferrat“, lidhet me gjendjen e demokracisë, frikën nga ndryshimi dhe mungesën e guximit qytetar e politik, natyrisht edhe për vendimmarrje historike… Ai nuk del nga ferrat! Të tjerët nuk dalin nga apatia! Dhe, pritja po bëhet si zbatimi më i mirë i ligjeve që nuk disiplinojnë asnjë përgjegjësi…
Në çdo kohë tranzicioni, shoqëritë përballen me një dilemë të thellë: të qëndrojnë në sigurinë e vjetër apo të dalin në pasigurinë e re. Logjika e vjetër “Iriqi nuk del nga ferrat” përshkruan me saktësi këtë gjendje. Iriqi, i mësuar me mbrojtjen e vet, nuk guxon të dalë në dritë! Ai zgjedh ferrat, sepse aty ndjehet i sigurt, megjithëse i kufizuar. Edhe demokracia jonë, shpesh, i ngjan këtij iriqi.
Pas lirisë së fituar me gjak, ne u përballëm me sfidën më të madhe: lirinë dhe përgjegjësinë për të ndërtuar shtet. Por në vend që të ecim përpara, shumëkush mbeti në ferrën e vet ideologjike, partiake apo personale. Institucionet tona, që duhej të ishin hapësira të debatit dhe përgjegjësisë, u kthyen në fole ferrash, ku secili mbrohet me gjemba, por askush nuk guxon të afrohet me mirëbesim.
Në vend të ndërtimit të përbashkët, u thellua ndarja dhe në vend të dialogut, lulëzoi dyshimi! Në vend të demokracisë së gjallë, mbizotëroi mbrojtja e interesave të ngushta. Zëri i studentit: Demokracia kërkon liri, por edhe guxim. Kërkon daljen nga ferra e frikës, nga mendësia se, “jam më i sigurt në heshtje se në ndryshim”. Ne nuk mund të forcojmë një sistem që mbrohet vetëm me fjalë, por jo me vepra.
Kur Kuvendi nuk funksionon, kur qeveria nuk votohet, kur populli e sheh politikën si lojë e jo si përgjegjësi, atëherë ferrat janë bërë shumë të dendura, dhe iriqët tanë nuk dalin më dot jashtë tyre. Të forcosh demokracinë do të thotë të dalësh nga ferrat e komoditetit politik. Të pranosh se ndershmëria nuk është dobësi, por është themel i lirisë.
Mbase kjo shprehje po na krijon nervozitet! Por, të kuptosh se shteti nuk është strehë e pushtetit, por pasqyrë e shoqërisë, edhe kjo gjë nuk është turp. Çdo qytetar që hesht përballë padrejtësisë, çdo politikan që manipulon ligjin, çdo intelektual që zgjedh neutralitetin pa funksionalitet është një iriç më shumë që fshihet në ferrat e tij, se sa është pjesë e zhvillimit të vendit. Në parim, pyetja ime është e thjeshtë: A do të vazhdojmë të fshihemi pas gjembave të frikës, apo do të dalim në dritë për t’u përballur me veten? Sepse demokracia nuk ndërtohet me iriqë që qëndrojnë në ferra, por me njerëz që guxojnë të dalin prej tyre, edhe kur toka jashtë është e ashpër, edhe kur drita është verbuese. Vetëm atëherë do të mund të themi se kemi mësuar jo si të fitojmë lirinë, por si ta meritojmë atë. Po mësojmë madje si ta ndërtojmë demokracinë në mes ferrave me shumë iriq!…
Por iriqët tanë nuk u shqetësuan as kur një institucion ndërkombëtar i tha shqiptarëve: “Ejani, merrni miliardëshin e parë për investime, zhvilloni vendin tuaj, sepse koha nuk ju pret.” Ata nuk lëvizën nga ferrat e tyre. Nuk i tronditi as mundësia për t’u hapur ndaj botës, as thirrja për bashkëpunim, as përfitimi që mund të vinte për popullin. Sepse iriqi, kur është mësuar të mbrohet vetëm me gjemba, e sheh çdo dorë të shtrirë si kërcënim, jo si mundësi.
Në vend që të shfrytëzohej rasti për ta treguar Kosovën si një vend të qëndrueshëm, me institucione funksionale e klimë besimi, disa zgjodhën të vazhdojnë lojën e vjetër të bllokadës dhe mosbesimit. Në vend të bashkëpunimit, prodhuan mosveprim, në vend të vizionit, sollën arsyetime, në vend të unitetit, mbollën ndarje. Kështu, ndërsa bota u thotë shqiptarëve, “dilni nga ferrat”, ata që kanë pushtetin, e të qenurit liderë politikë, të udhëheqin këtë dalje, që duhet të jenë të parët që të japin shembullin, përsëri qëndrojnë të fshehur, duke u mbrojtur me gjemba e heshtje.
Pamja është e shëmtuar, thotë bota, dhe me të drejtë: sepse nuk ka gjë më të dhimbshme sesa të shohësh një popull të lirë që e mban veten të burgosur në ferrat e vetëkrijuara!… Demokracia, nëse nuk ushqehet me guxim dhe përgjegjësi, shndërrohet në një kopsht ferrash, të bukur nga jashtë, por plot gjemba brenda. Forcimi i demokracisë nuk fillon me deklarata, por me vendime.
Me kthimin e besimit, me lëvizjen e parë jashtë ferrave. Sepse përderisa iriqët tanë vazhdojnë të mburren me gjembat e tyre, vendi nuk do të ecë përpara, dhe as demokracia nuk do të piqet kurrë në diellin e lirisë që shumë të tjerë e fituan me gjak. Në fund, gjithçka zbret në një të vërtetë të thjeshtë, por shpesh të harruar: demokracia nuk ndërtohet me frikë, por me besim.
Ajo nuk kërkon njerëz të përsosur, por njerëz të ndershëm! Nuk kërkon pushtetarë të fuqishëm, por shtetarë të përgjegjshëm. Kosova nuk ka mungesë potenciali, ka mungesë besimi, dhe besimin për të ecur përpara duhet ta mbjellim të gjithë pa maska, pa alibi dhe pa ferrat e zakonit.
Të dalësh nga ferrat nuk do të thotë të braktisësh mbrojtjen, por të besosh në dritën që vjen nga përgjegjësia. Të ndërtosh institucione që nuk varen nga individët, por nga vlerat. Të kultivosh kulturën e llogaridhënies, jo frikën e transparencës. Sepse në fund, demokracia nuk matet me numrin e fjalimeve, por me sinqeritetin e veprimeve.
Ajo nuk qëndron mbi gjemba, por mbi parime. E vetëm atëherë kur politika, shoqëria dhe secili prej nesh do ta kuptojë këtë, mund të themi se jemi në rrugën e duhur për ta bërë lirinë të plotë. Të pranosh se ndershmëria nuk është dobësi, por themel i lirisë!…
Ky është mësimi që i duhet jo vetëm Kosovës, por çdo demokracie që kërkon të qëndrojë e fortë, e drejtë dhe e vërtetë ndaj vetes dhe gjithë shoqërisë sonë!
(Shkëputur nga dorëshkrimet)



Si ka mundësi, që iriqat të kenë impuls me dalë prej ferrave per të luftu per Demokracinë apo Shtetin, kur ata (iriqat) as ia kan idenë se çka asht Demokracia apo Shteti?
Iriqat tonë në fakt i ka nxjerrë jashtë prej kultures së Demokracisë dhe kultures së Shtetit (europian) Baba Sulltani per 5 shekuj rresht.
Por e keqja ma e madhe asht se klyshat e sulltanit kan merrë peng iriqat e nuk i lshojnë. Si me ia ba teshti?
Po vazhdune iriqat me ndejtë në ferra, kan me ardhë ujqit kojshi me i hanger.
Tesh i mson jeta iriqat se çka me ba.
Respekt për përshkrumin tuaj!
Iriqat një rrug kanë; SOVRANI ti baj një thirrje! Qoftë dhe paqsore, ti thotë : iriq Boll keni ndenjur të fshehur ndaj Popullit, duke qeverisur me mashtrime; ( është fjala për iriqët frikacak që kanë rrënuar Shtetin, që nuk I takon Vetëm Atyreve e të kapardisen me shtetin si trima). Shtei I takon trimave që Janë profesionista të fushave të ndryshme shkencore. Që Do të thotë; se prej tyre del Shteti i meritokracis. Dhe shkrimi I z. Safet SADIKU është i holl e I kuptueshëm, Sidomos për Ato që e dijnë se për Kë iriq e ka fjalën Autori i shkrimit….
Flm. Respekt!