ARKIVI:
7 Mars 2026

Kur lidershipi humb shpirtin e vet

Shkrime relevante

Izraeli ka hakuar kamerat e trafikut të Teheranit dhe përdori AI për të planifikuar vrasjen e Khamenei

Ali Khamenei nuk është më. Foto: Khamenei.ir Arnt Jensvoll / Document.no Sulmi ndaj...

Nga Mësonjëtorja e Korçës te Shkollat Shqipe në Diasporë

(7 Marsi – Dita e Mësuesit) Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë 7 Marsi është një...

Arsyetimi, manipulimi, kontrolli i pushtetarëve

Nga: Aurel Dasareti Gënjeshtra kur një person me pushtet e arsyeton vetveten...

Padia në Gjykatën e Strasburgut, do të konstaton diskriminimin në pasivizimin e adresave në Luginën e Preshevës

Në foto: Gjykata e Strasburgut për të Drejtat dhe Liritë Njerëzore   Nga:...

Cili është ujku të cilin nuk po e njohim?

Fahri Xharra, Gjakovë Asnjë popull tjetër i botës në të cilën ne...

Shpërndaj

Nga Isuf Bajraktari

Në thelb, çdo njeri lind me një qëllim – për të evoluar. Çdo shoqëri gjithashtu. Çdo popull zgjedh drejtimin e tij përmes një lideri që supozohet të mishërojë energjinë, idealin dhe shpirtin e tij. Por çfarë ndodh kur lidershipi, në vend që të evoluojë, ngurtësohet në formë e jo në përmbajtje?

Në Kosovë, prej disa vitesh, jemi dëshmitarë të një paradoksi politik. Populli që kërkoi ndryshimin më të madh, që votoi me shpresë për drejtësi, barazi dhe dinjitet, sot ndihet sërish i ndarë. Jo pse ideali mungon – por sepse rruga që e çon drejt tij është kthyer në korridor të mbyllur nga vetë ata që e udhëheqin.

Liderët tanë shpesh flasin për sovranitet, drejtësi e rend, por rrallë reflektojnë për rendin shpirtëror që i paraprin çdo rendi shoqëror. Nuk mund të kesh drejtësi të jashtme nëse brenda vetes mbart frikë, inat, ose etje për pushtet. Nuk mund të kesh harmoni në shtet nëse nuk ke harmoni në mendje. Si individi, ashtu edhe lideri, nëse nuk ruan lidhjen me “shpirtin e vet”, humbet busullën.

Fitoret zgjedhore, pa vetëdije të lartë, janë fitore që mpaken. Vetëvendosja, si lëvizje, lindi nga ideali i ndërtimit të një realiteti të ri – por rrezikon të bëhet pjesë e po atij sistemi që dikur e kritikonte. Nuk është më ideali që përcakton veprimin, por pushteti që formëson idealin. Dhe kur pushteti kthehet në qëllim, jo në mjet, lind ajo që filozofia e quan ndotje e mendjes.

Në shtëpinë e shtetit, populli është themeli. Ai që priret të bëhet prijës duhet të jetë koordinues i rendit të brendshëm, jo pronar i tij. Tradita e urtë shqiptare e quan “krye të shtëpisë” atë që ruan ekuilibrin, që kujdeset për çdo anëtar të saj, jo atë që sundon me fjalë të mëdha. Sot, Kosova ka nevojë për prijës që dinë të dëgjojnë më shumë se të flasin, që e ndjejnë peshën e popullit si përgjegjësi, jo si pronësi.

Sepse vetëm atëherë kur lideri kthehet tek vetvetja – tek qëllimi fillestar i pastër për të shërbyer e jo për të sunduar – mund të rikthehet edhe lidhja me popullin që e besoi. E kur kjo lidhje ngrihet në vetëdije, çdo veprim politik bëhet i shenjtë: jo si pushtet mbi të tjerët, por si përpjekje për harmoni me të gjithë.

Në fund, nuk është populli që duhet të përkulet para liderëve, por liderët që duhet të kujtojnë se janë pasqyra e shpirtit të popullit të tyre. Nëse ajo pasqyrë njolloset nga egoja, të gjithë humbim dritën.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu