Në një shoqëri që ende nuk e ka shkundur pluhurin e tranzicionit, fakti që persona si Fatmir Limaj e Sami Lushtaku, të përfshirë dikur në listën e zezë amerikane, rikthehen sot në jetën publike si kandidatë politikë, tregon se Kosova po lëviz drejt një normalizimi të devijimit moral. Kjo nuk është më demokraci përfaqësuese, por demokraci e deformuar, ku morali politik është shndërruar në dekor për marketing elektoral.
Në çdo shtet të përgjegjshëm, përfshirja në listën e sanksioneve ndërkombëtare do të mjaftonte për t’i mbyllur dyert e institucioneve. Por në Kosovë, ky fakt interpretohet si dëshmi e qëndrueshmërisë politike. Kështu, “lista e zezë” e Washingtonit — që përfaqëson gjykim moral, jo thjesht financiar — po humbet ngjyrën e saj, sepse mungon reflektimi vendor.
Sanksioni si sinjal etik, jo hakmarrje politike
Kur SHBA përfshiu në listën e saj emra si Milan Radoičić, Zvonko Veselinović dhe Žarko Veselinović, nuk e bëri këtë për arsye etnike apo gjeopolitike, por për shkak të përfshirjes së tyre në rrjete të krimit të organizuar dhe korrupsionit që kërcënojnë stabilitetin rajonal. Në të njëjtën mënyrë, përfshirja e ish-komandantëve të UÇK-së si Limaj e Lushtaku në listat e mëparshme nën programin “Balkans” ishte paralajmërim moral për ndarjen mes lirisë dhe abuzimit të saj.
Megjithatë, në vend që të shërbejnë si shembuj për ndalimin e keqpërdorimit të autoritetit, këta emra vazhdojnë të qëndrojnë në qendër të vëmendjes elektorale, të ftuar në debate televizive, madje edhe të glorifikuar në fushata lokale. Kjo tregon se mekanizmat e vetërregullimit moral në Kosovë kanë pushuar së funksionuari.
Ku është reflektimi i shoqërisë?
Mediat që dikur mburreshin me investigime, sot shpesh heshtin. Akademikët që dikur reagonin me peticione e letra publike, tash janë mbyllur në auditore dhe në heshtje të mirëpaguar nga projektet qeveritare. Shoqëria civile, dikur ndërgjegjja e Kosovës, është shndërruar në zë burokratik të donatorëve. Askush nuk pyet më pse individët e sanksionuar shfaqen sërish si “zë i popullit”.
Nëse mediat nuk flasin, qytetarët nuk kuptojnë. Dhe kur qytetarët nuk informohen, ata votojnë për imazhe, jo për ideale. Kështu, sistemi politik kthehet në ekonomi të perceptimeve, ku gjithçka blihet me pak “heroizëm” të vjetër dhe me shumë marketing të ri.
Rreziku i legjitimitetit të rremë
Në momentin që një individ i sanksionuar për korrupsion apo krim organizuar rikthehet si kandidat politik, ndodh një përmbysje e rendit moral: ligji bëhet relativ, ndërsa morali selektiv. Kjo është rruga drejt kapjes së moralit publik — forma më e sofistikuar e kapjes së shtetit.
Në vendet e tjera të rajonit, si Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut, përfshirja në një listë të tillë ka prodhuar dorëheqje dhe distancime politike. Në Kosovë, përkundrazi, krijon mobilizim elektoral. Kjo është pasojë e mungesës së vetëdijes institucionale dhe e transformimit të mediave në instrumente pasivizimi, jo të informimit.
Kur mungon trysnia e jashtme, bie maska e brendshme
Sot nuk ka trysni të drejtpërdrejtë amerikane për këto çështje — dhe pikërisht kjo e bën situatën më serioze. Sepse tani është koha kur Kosova duhet të tregojë pjekurinë e saj morale pa tutorë ndërkombëtarë. Kur nuk ka “urdhër” nga ambasadat, testohen vlerat e brendshme të institucioneve dhe shoqërisë. Fatkeqësisht, për momentin, ato po dështojnë.
Nëse qeveria, mediat dhe akademia nuk e marrin seriozisht sinjalin që japin listat e zeza amerikane, Kosova do të rrezikojë të zhyten në relativizmin moral — ku gjithçka justifikohet dhe askush nuk mban përgjegjësi. Atëherë “lista e zezë” nuk do të ketë më vlerë: do të jetë thjesht një inventar emrash që publiku e harron dhe politikanët e shfrytëzojnë.
Pastrimi moral fillon në kutinë e votimit
Demokracia nuk është vetë shifra e votave, por cilësia morale e atyre që i marrin. Asnjë komb nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi njerëz që janë sanksionuar për korrupsion, krim apo abuzim të pushtetit. Përndryshe, Kosova rrezikon të bëhet shembull i një demokracie që jeton pa moral dhe e përdor patriotizmin si strehë për mungesën e llogaridhënies.



