Përfaqësues të “Kongresit të Manastirit”
Të harruarit tanë të ndritur – bijat dhe bijtë e arsimimit shqiptar.
Në themelet e arsimit dhe vetëdijes kombëtare shqiptare nuk qëndrojnë vetëm pushka e lirisë, por edhe pena e mësuesit, fjala e patriotit, drita e diturisë. Në një kohë kur gjuha shqipe ndalohej, kur fëmijët flisnin në gjuhë të huaja në bankat e shkollës, u ngritën njerëz të zakonshëm me zemër të jashtëzakonshme.
Nga Shkupi katolik, ku besimi dhe përkushtimi ndaj atdheut merrnin formë në heshtje, në rrugë të rrezikshme dhe nën vëzhgimin e pushtuesve, e deri në Rekën e Epërme dhe Manastirin ortodoks, ku vetëdija shqiptare përpiqej të ruhej mes ndikimeve të huaja – lindi një brez që e donte dijen si shpëtim dhe gjuhën si shenjtëri.
Ata nuk u bënë të njohur për poste, as për pasuri, por sepse hapën shkolla, shkruan libra, mësuan fëmijët e popullit. Nuk bënë zhurmë, por lanë gjurmë.
Emrat e tyre nuk janë fshirë. Janë aty. Në librat e historisë, në faqet e gazetave, në dokumente arkivash dhe madje në programet shkollore.
Sot, kur përmendet një figurë e arsimimit kombëtar, shpesh nuk ndodh për të kujtuar sakrificën, por për ta lidhur me një karrierë, një fond, një projekt, një vend pune. Kujtimi është kthyer në valutë. Emri – në reklamë. Ideali – në imazh.
E ndërkohë, drita që ata ndezën me aq mund, rrezikon të shuhet në harresë të qëllimshme. Nëse nuk kujtojmë me ndershmëri, nëse nuk flasim për ta pa interes, atëherë nuk kemi më të drejtë të flasim për arsim kombëtar.
Lavdi Shkupit, Manastirit dhe Rekës së Epërme shqiptare.


