Letër zyrtare drejtuar Shtetit të Vatikanit: Urime për zgjedhjen e Papës Leoni XIV dhe kërkesë për njohjen e Kosovës
Atë i Shenjtë,
Ju lutemi, pranoni urimet tona më të sinqerta për zgjedhjen tuaj në postin apostolik të Shën Pjetrit.
Si president i Lidhjes Shqiptare për Rikthimin në Katolicizëm, kam nderin, në emër të Lidhjes sonë dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh respektin tonë të thellë.
Jemi të bindur se, falë përvojës suaj të gjatë diplomatike dhe formimit tuaj në një vend ku liria dhe dinjiteti njerëzor janë parime themelore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ju do të udhëhiqni misionin tuaj me mençuri dhe guxim në këto kohë të trazuara që po kalon bota.
Atë i Shenjtë, lejoni të tërheqim vëmendjen tuaj mbi fatin e veçantë të popullit shqiptar, pasardhës të Ilirëve, një prej popujve më të lashtë të Europës dhe, ndoshta, njëri prej më të panjohurve për rolin e tij të rëndësishëm në përhapjen dhe mbrojtjen e krishterimit.
Një perandor me origjinë ilire, Konstantini i Madh, dha Ediktin e Milanos, që shpallte lirinë e kultit për krishterët. Justiniani i Madh, gjithashtu ilir, mbeti besnik ndaj Romës gjatë gjithë sundimit të tij, duke forcuar primatin dhe autoritetin e papës. Ai luajti një rol të rëndësishëm në historinë e krishterimit, jo vetëm për mbështetje aktive ndaj Kishës, por edhe për shkruarjen e Kodit Justinian (Corpus Juris Civilis), i cili pati një ndikim të qëndrueshëm, jo vetëm në ligjet civile, por edhe në të drejtën kishtare, duke formuar kështu sistemet juridike në botën e krishterë.
Shën Jeronimi, i lindur në Dalmaci, një rajon i banuar nga Ilirët, përktheu Shkrimet e Shenjta në latinisht, duke dhënë lindjen e Vulgatës. Shën Niketa i Remesianës (Niketa Dardani), peshkop me origjinë dardane, konsiderohet si autori i himnit të shenjtë të gjithë krishterimit, Te Deum. Më vonë, Kisha ka pasur disa papë me origjinë iliro-shqiptare.
Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mbrojtës i flaktë i krishterimit kundër pushtimeve osmane, është nderuar nga Selia e Shenjtë si Athleta Christi. Ai ishte mburoja e Europës, shpesh vetëm, por gjithmonë besnik ndaj Romës.
Për fat të keq, populli ynë ka përjetuar shekuj vuajtjesh. Pushtimi osman ka sjellë masakra, spastrime etnike dhe konvertime të dhunshme në islam. Edhe pse islami u pranua si një nevojë për mbijetesë, ai nuk ka depërtuar kurrë plotësisht në shpirtin shqiptar, i cili ka mbetur thellësisht i lidhur me rrënjët e tij kristiane.
Atë i Shenjtë, më lejoni të ju informoj për një ngjarje historike që ndodhi më 20 tetor 2023 në Deçan, Kosovë. Një grup qytetarësh shqiptarë shpalli publikisht largimin e tij nga islami dhe dëshirën për t’u rikthyer në fenë katolike, në një lëvizje që ishte njëkohësisht shpirtërore dhe patriotike. Kjo lëvizje tani është përhapur në të gjithë trojet shqiptare dhe në diasporë.
Unë vetë quhesha Muhamet Shabani. Më 9 maj 2024, i udhëhequr nga thirrja e brendshme e Krishtit, u pagëzova në Kishën Katolike. Zgjodha të quhem Belisar Jezerci, për t’u rilindur plotësisht në fenë dhe historinë e paraardhësve të mi. Sot, më 9 maj 2025, festoj 3 ngjarje të rëndësishme: ditëlindjen time, përvjetorin e pagëzimit dhe zgjedhjen tuaj, të cilën e konsideroj si një shenjë të Providencës, aq më tepër që ju vini nga SHBA-të, shteti më mik i shqiptarëve.
Atë i Shenjtë, po ju kërkojmë përulësisht, si bij të Kishës dhe si bij të një populli të plagosur, njohjen zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga Selia e Shenjtë. Një njohje e tillë do të përbënte një akt drejtësie për një popull evropian që ka shprehur një vullnet të sinqertë për rikthim me fenë e tij origjinale.
Papa Françesku, që ju emëroi kardinal, me shembullin e tij, ka hapur rrugën për një njohje të tillë: udhëtimi i tij i parë në Evropë ishte në Shqipëri, dhe nën udhëheqjen e tij, Selia e Shenjtë e njohu shtetin e Palestinës.
Po ashtu, do të ishte një nder i madh për ne të takohemi me Shenjtërinë tuaj, qoftë në Vatikan, qoftë në Kosovë, për t’ju shpjeguar këtë rilindje shpirtërore që ka prekur kaq shumë shqiptarë. Do të ishim gjithashtu thellësisht të nderuar nëse Shenjtëria juaj do të kishte mundësinë të vizitonte Kosovën dhe të kremtonte meshën e shenjtë në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, në nder të kësaj shqiptare të madhe, e cila u lind në një tokë të persekutuar dhe u bë dritë për njerëzimin.
Populli i Nënë Terezës së shenjtë ka besim të plotë në ju.
Jezusi Krisht ju dhëntë forcë, paqe dhe frymëzim në misionin tuaj.
Me gjithë devocionin tim filial,
Në emër të Lidhjes Shqiptare për Rikthim në Katolicizëm,
Belisar JEZERCI, historian
Bruksel, më 09 maj 2025



