ARKIVI:
14 Mars 2026

Lutja e luleve, poezi nga Violeta Kadriu

Shkrime relevante

Atdheu mbi të gjitha

Nga: Arif Ejupi ATDHEU MBI TË GJITHA Lini mënjanë parti e fe, punoni për...

Me Vjosen më shumë dëmtohet sesa forcohet LDK-ja!

Florim Zeqa Deshtakët e LDK-së, të cilët deri dje e quajtën tradhtare...

Lutja e luleve, poezi nga Violeta Kadriu

Violeta Kadriu, Prishtinë LUTJA E LULEVE Mos na veshni verën me dimër me...

Ungjilli i rakisë kozmike dhe i trekëndshit magjik

Shkruan e knon: Lirim Patrioti (Lirim Gashi, Prizren) ____ „U ime Oca i Sina...

Shpërndaj

Violeta Kadriu, Prishtinë

LUTJA E LULEVE

Mos na veshni verën me dimër me dhëmb
Mos na zëni rrezen, duam t’ lulëzojmë
Mos shkundni lulqershinë, rënkon poezia
Mos na helmoni ajrin, duam të frymojmë
Aty ku çel gonxhe mos ngulitni gjëmb
Mos ndyni lotusin, verbohet Afërdita
Në zemra vashërore duam t’ erësojmë
Hapjani portat qiellin, të na depërtojë drita
Mos lejoni zemra t’ na thahet si shkëmb
Mos vyshkni narcisin, shterr mitologjia, frizia
Ndal simfoninë kënga, i shkurtohet rrita
Mos zhdukni trëndafilin, dashurinë na errëson zia!

Si do ylberojë ylberi nëse s’ çel irisi
Kush ta puthë beharin nëse s’ erëson jorgovani
Ku treten lotët e Evës nëse thahet zambaku
Kur dy zemra t’ dashuruara ndeshen n’ fushë mejdani
Po pa orkide si do na pjellojë fisi
Si do vlojë trimëria nëse s’ kuqëlon bozhuri
Si ta shprehim faljen nëse shkundet tulipani
Nga petal i tij çahet, lulon dhe guri
Kush fsheh dashuri si gardena, më t’ bardhë se plisi
Foshnjën n’ djep pa lule si ta ninojë lulaku
Magjisë së klizantemës mos t’ i fiket nuri
A stoliset nusja, dhëndrri pa karajfilë ngjyrë gjaku?!

BLERIME TË PËRVUAJTURA TË 8 MARSEVE TONA

Blerime të përvuajtura
kanë shtrirë krahët e vellon e hirtë tash sa vjet
në strofullën e afshit amënor
ku ti shndërruar në zog pret sqephapur të të ushqej
e freskoj fytin e zhuritur nga klithja e përjetshme:
“Gëzuar, ah Nanë…!”

Unë ajo që të jap dhe frymën e përtejfundit
kur ti përpëlitesh nga dielli gushtak pa hije askund
e gjeth vjeshtak që të kalamendin erërat sa andej- këndej
trotuareve të parqeve,
ku hapave tanë u mbet jehonë troku e “ psherëtimat e pritjes”,
të një bote që e kanë kapluar ethet e tundimit të madh.

Blerim i përvuajtur dhe i përflakur
dhe në shkëlqimsyrin gështenjë
hijëzuar nga kristal loti të rinjomur
ku harqe zemrash thurin xherdanë me aguliqet e para
fjetur në humbëtirat e pranverave të përmalluara për riblerim.

Blerim i përvuajtur në gonxhe mimozash
ndër degë sythebleroshe aromë rigjallënimi Parajse
e manushaqesh ylberore të dashurive të para e të përjetshme
ku akordohen rrahjet e zemrave tona,
njërës që u zhurit qysh në nusëri
e tjetrës qysh në vegjëli
nga loti i dhembjes e mallit pa kthim…

A thua “ Antarktida” jote u verbua nga ozoni
e çeli kaktuse prapë në prag të dimrit të madh
në Fushën e Thatë të saj;
në “ Saharën” time a do të zë vend rigjethimi e lulimi
apo anasjelltas?!

Dashuria ime dua të dritërojë e kthjellojë prapë
si Liqeni Voston në fund Antarktide
pa e ditur bota se Ti dhe Unë e kemi eksploruar qëmoti
duke mos lejuar që ujin e tij
ta ndotin pluhurat, mbeturinat e botës antiamë e antibijë…

Edhe ashtu
zbulimi i Antarktidës lidhet me 14 dhjetor, datën e lindjes sime
se siç po vijnë gjërat
në këtë botë peshon më shumë dita se vetë mileniumi

Luloni, mimoza e manushaqe erëdehëse
prapë luloni,
këtë fillimbehar prapë rinoni
të fala e urime Nanës sime t’ i qoni
edhe sot mos harroni!

TI

A mos je engjëll, hyjni apo zanë,
a qipariz i blertë më njomështaku në pyll,
a ndoshta je diell apo e kuqrreme hanë,
apo n’ galaktikën qiellore më i ndritshmi yll?!

A ndoshta je gurrë, që asnjëherë nuk ngrihet,
a lum më i rrjedhshëm,që rrjedh në shkretëtirë,
a dritë parajse, prej së cilës s’ mund të fshihet,
a aromë zymbyli, parfumi më të mirë?!

A mos je sirenë e artë më e bukura në det,
a plazhi më i bukur me më të imtën rërë,
a muzë e lazdruar, që s’ lë të fle asnjë poet,
apo në pajë të nuses më depërtuesja gjilpërë?!

A je tingull i ëmbël fyelli,që ndihet në çdo mal,
a melodi kitare që fle në çdo serenatë,
a ngrohtësi behari që u thotë ngricave”ndal”,
a puhizë verore që më deh çdo ditë e natë?!

A lulja më e bukur,që e para i qeshet beharit,
a zë i mallshëm bilbili që ndihet në çdo stinë,
a reflektim ylberi që i qeshet borës e barit,
pëllumbeshë, shqiponjë, a ndoshta gjeraqinë?!

Ndoshta je shpatë Kastrioti,
që ndër shekuj trimërorë vringëllon,
flamurkuq Dardanie,
që petale lulëkuqesh shtron,
më duket se je fjalë më kuqloshe lirie,
e cila përul shkëlqimin e çdo madhështie!

DY PALË BUZË

Dy palë buzë të afshta
vallë, a i shitoi dashuria,
nuk di më shumë janë të mbara a t’ mbrapshta,
në çdo stinë në to çel qershia?!

Dy palë buzë njomështake
sfidojnë çdo yll pas reje,
kurrë s’ duan të mbeten gjysmake,
pandalë tërheqen prej meje e teje.

Dy palë buzë shumë të nxehta
freskojnë dhe ujëkristal liqeni,
thithin “ polen” me “ këmbë” të lehta,
nuk di a kanë ardhë nga Edeni.

Dy palë buzë të fildishta
ëngjëllojnë blerimin e kësaj pranvere,
në t’ njëjtën kohë të ashpra e të brishta,
s’ duan t’ ia dinë për shi a puhizë ere.

Dy palë kuqaloshe mishi e gjaku
lozin e qeshin me ty e me mua,
çdo ditë presin t’ u hiqet duvaku,
njëra- tjetrës t’ i thonë” A më do sa të dua?”

Ngado që e kthej kokën
më shfaqen dy palë buzë mishatore,
dehin aromë t’ Kosovës tokën,
bulz karanfili, jorgovani, lulebore.

Me 14 mars 2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu