
Nga Delvina Kërluku, Shkup
Qytetarët e Strugës dhe të Dibrës, gati sa nuk u besonin veshëve të tyre, kur mbi urën kryesore të Drinit dëgjuan një fragment nga liturgjia që këndohej nga grupi i përfaqësuesve të Kishës Ortodokse të Maqedonisë, i udhëhequr nga Mitropoliti i Eparhisë (Dioqezës) Dibër – Kërçovë z. Gjeorgji, të këndohet edhe në gjuhën shqipe.
Ky veprim më vonë u përsërit edhe në ujërat e Radikës në Dibër, gjatë lëshimit të kryqit në këto ujëra, ku hudhen kryesisht djem të rinj për t’a kapur, meqë sipas mësimeve të fesë së krishterë i sjell fat atij dhe komunitetit.
Siç dihet dje, më 19 janar, sipas kalendarit Julian, ortodoksët festonin Ditën e Ujit të Bekuar, që ndryshe quhet edhe Teofani ose Pagëzimi i Krishtit. Kjo ditë përfaqëson pagëzimin e Krishtit në ujërat e lumit Jordan nga Shën Gjon Pagëzori. Në këtë ditë u shfaq Trinia e Shenjtë: Ati (zëri nga qielli; Biri (Jezusi); Shpirti i Shenjtë (në formë pëllumbi).
Kjo për sa i takon mësimeve fetare, por ne na intereson lajmi që na erdhi në formë sihariq – përdorimi i gjuhës shqipe në këtë ceremoni fetare, pasi deri sot nuk e praktikuan gjuhën amtare në liturgji, pasi ua rrëmbyen edhe kishat e tyre.
Në krye të herës, pas vitit 2001, u formua shoqata Josif Bageri (kryetare e parë pata fatin të jem unë), ku me ndihmën e partisë BDI, xha Brankos, …dhe aktivistëve të shumtë, bëmë përpjekje duke dhënë kontribut për zgjimin kombëtar e fetar të kësaj pjese të popullit tonë.
Dhe ne, anëtarët e shoqatës, dje ndiem një gëzim e kënaqësi, pasi përjetuam një satisfaksion për mundin e derdhur vite e vite më parë për të ndrequr një padrejtësi të pushtetit, jo vetëm monist, por edhe diskriminues.
Ai pushtet nuk u kënaq duke ua marrë shqiptarëve ortodoksë shkollat, por edhe kishat dhe klerin. Dje, si rrallë herë, edhe strukturat e caktuara kishtare të shtetit amë, (pas ardhjes në krye të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare të Peshkopit Johan), sipas disa informatave që kam, ishin përkujdesur të sjellin disa klerikë shqiptarë enkas për këtë ceremoni.
Pra, mbajtja e meshës ortodokse edhe në gjuhën shqipe në Maqedoni, më 19 janar, përbën një akt me rëndësi të shumëfishtë historike, juridike dhe kombëtare.
Ky zhvillim nuk duhet parë thjesht si një ngjarje liturgjike, por si shenjë e një procesi të vonuar, por të mbarë, drejt barazisë reale fetare dhe etno-kulturore në hapësirën ballkanike, ku shqiptarët ortodoksë kanë qenë për dekada të tëra të margjinalizuar, të padukshëm ose, edhe më keq, të instrumentalizuar.
Së pari, ky akt shënon një gjest të vonuar, por thellësisht të drejtë të barazisë fetare, duke afirmuar parimin se besimi nuk mund dhe nuk duhet të jetë mjet për mohimin e identitetit gjuhësor e kombëtar.
Liturgjia në gjuhën shqipe është shprehje konkrete e së drejtës për ta praktikuar fenë në gjuhën amtare, pa ndërhyrje e pa imponime që shpien drejt asimilimit.
Së dyti, ky zhvillim përfaqëson realizimin e të drejtave universale të njeriut, veçanërisht të së drejtës për lirinë e ndërgjegjes, besimit dhe shprehjes kulturore. Këto të drejta, të sanksionuara në konventat ndërkombëtare dhe në doktrinën bashkëkohore të të drejtave të njeriut, nuk janë privilegje të dhëna nga strukturat shtetërore, apo fetare, por obligime morale dhe juridike që duhen përmbushur.
Së treti, liturgjia edhe në gjuhën shqipe, shënon fillimin e ndreqjes së gabimeve strukturore të shoqërisë moniste, të cilat, përmes politikave përjashtuese, kanë prodhuar deformime të thella në ndërgjegjen kolektive. Mohimi i shqiptarëve ortodoksë, zaptimi i kishave të tyre historike – përfshirë trashëgiminë e Patrikanës së Ohrit dhe Kishën e Mbigurit, e cila u dogj në rrethana të dyshimta – janë pasojë direkte e këtij mentaliteti monist, që sot duhet të ballafaqohet me të vërtetën historike.
Së katërti, ky akt përbën një zgjim fetar dhe kombëtar të vëllezërve tanë ortodoksë, të cilët për një kohë të gjatë janë ndodhur në një hapësirë heshtjeje të imponuar. Zgjimi nuk ka karakter përjashtues, por emancipues: ai synon harmonizimin e identitetit fetar me atë kombëtar, pa konflikt dhe pa mohim reciprok.
Së pesti, ky zhvillim duhet të shërbejë si thirrje për zgjimin e interesimit të Shqipërisë (Tiranës zyrtare). Heshtja institucionale përballë çështjes së shqiptarëve ortodoksë, dhe shqiptarëve në përgjithësi, jashtë kufijve shtetërorë, ka qenë një boshllëk i dukshëm në politikën kombëtare. Shteti ka obligim dhe përgjegjësinë morale dhe kushtetuese të interesohet për mbarë kombin kudo qoftë, se nuk është faji i tij që historia e ka copëtuar në pesë-gjashtë pjesë.
Mbështetja e liturgjisë në gjuhën shqipe dhe e të drejtave të shqiptarëve ortodoksë, nuk është ndërhyrje në punët e brendshme të askujt, por mbrojtje e standardeve universale dhe e trashëgimisë sonë kombëtare.
Në përfundim, ajo që po ndodh sot, nuk është fundi i një procesi, por fillimi i një ndreqjeje padrejtësie historike.
Na priftë e mbara!
Shih videon:


