
Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë
____
Mullahu Mustafë Bajrami duket se së fundi ka zgjeruar dukshëm aktivitetin e tij publik.
Nga komentator i përhershëm i luftërave në Iran e Lindjen e Mesme, tani paska marrë edhe një detyrë të re: inspektor i moralit dhe protokollit të Presidencës së Kosovës.
Kështu, pasi na informoi për bombardimet, për Trumpin dhe për zhvillimet e botës islame, hoxha tani ka zbuluar një problem shumë më të madh shtetëror:
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, paska pirë ujë para kamerave në ditë Ramazani… dhe për më tepër – sipas vëzhgimit të tij të mprehtë – me dorën e majtë!
Pra, ndërsa shtetet merren me diplomaci, ekonomi dhe siguri kombëtare, në Kosovë paska kush merret me një çështje shumë më të rëndësishme:
cilën dorë përdor presidentja kur i thahet fyti.

Nëse vazhdon kështu, ndoshta shumë shpejt mullahu do të propozojë edhe disa reforma të tjera shtetformuese:
– me cilën dorë duhet të nënshkruhen dekretet presidenciale;
– me cilën dorë duhet të përshëndeten ambasadorët;
– dhe pse jo, një ditë edhe me cilën dorë duhet të votojnë qytetarët në zgjedhje.
Sepse kur disa predikues nuk arrijnë të ndikojnë në politikë, përpiqen të kontrollojnë të paktën gjestet e përditshme të njerëzve.
Por këtu lind një problem i vogël për këtë ambicie.
Republika e Kosovës nuk është as xhami, as teqe dhe as kurs etikete fetare. Ajo është një shtet laik, ku institucionet nuk udhëhiqen nga manualet e mullave, por nga Kushtetuta dhe vullneti i qytetarëve.

Kjo foto është punuar nga teologu Tim Shkupi (Musa Lamallari) nga Shkupi
Prandaj përgjigjja është shumë e thjeshtë:
Presidentja mund të pijë ujë me cilëndo dorë që dëshiron.
Ndërsa disa predikues mund të vazhdojnë të merren me dorën e majtë…
sepse për çështjet e mëdha të shtetit duket se nuk u ka mbetur shumë dorë në punë.



Islami i ka disa rregulla strikte. Ai tregon se me cilen dore duhet te pihet uji, por njejte tregon edhe se me cilen kembe duhet te hyje myslimani ne toalet (Wc). Sipas rregullave myslimani ne wc duhet te hyje me kemben e majte dhe te dale nga ajo me kemben e djathtë.